Aqif pashë Elbasani
Aqif pashë Elbasani | |
---|---|
Ministër i Brendshëm dhe i Luftës i Shqipërisë | |
Në detyrë 28 maj, 1914 – 3 shtator, 1914 | |
Paraprirë nga | Esad pashë Toptani |
Pasuar nga | Shahin Dino |
Regjent | |
Në detyrë 30 janar, 1920 – 22 dhjetor, 1921 | |
Paraprirë nga | Principata e Shqipërisë |
Pasuar nga | Omer pashë Vrioni II |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 1860 Elbasan, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 10 Shkurt 1926 Elbasan, Republika Shqiptare |
Nënshtetësia | Shqiptar |
Partia politike | Partia Kombëtare |
Bashkëshortja/et | Ifet hanëm Vrioni |
Fëmijët | Ibrahim bej Biçakçiu |
Punësimi | nëpunës, ministër |
Aqif pashë Biçakçiu i njohur nga historiografia më tepër si Aqif pashë Elbasani (Elbasan, 1860 - 10 shkurt, 1926) ka qenë nëpunës i administratës së Perandorisë Osmane dhe figurë politike shqiptare.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lindi në Elbasan më 1860, i biri i Mahmud Pertef pashë Biçakçi-Elbasani dhe Shefikat hanëm Alizotit, në oxhakun e Biçakçinjve. Nga e ëma vinte nga një familje e rëndësishme bejlere e Gjirokastrës, binte kushëri i parë me Esad pashë Toptanin.[1][2] Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të lartat në Stamboll.[3]
Më 1894 zgjidhet anëtar i Këshillit Administrativ të Sanxhakut të Elbasanit, ndërhyn në paqtimin e një demostrimi popullor në Elbasan më 1897. Më 1906 me ferman të Sulltanit iu akordua dekorata "Misi Brisan", për shkak të zellit patriotik e shërbimeve në dobi të interesave të shtetit e t[ vendit.[4] Në vitin 1907 nga Sulltan Abdyl Hamiti II i jepet titulli Rumeli Bejlerbej për "besnikëri të merituar". Më 1908 me shpalljen e kushtetutës ishte ndër përkrahësit më të mëdhenj të klubit "Bashkimi". Më 1909 mori pjesë në Kongresin e Dibrës me Dervish bej Biçakun, myderriz Ali efendi Bashën e Beniamin Nosin.[4] Më 1910 është ndër kontribuesit e mitingut kundër gërmave arabe që xhonturqit donin t'ua detyronin shqiptarëve. Me fushatat ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës u largua në Napoli. Me 24 dhjetor, ai, Shefqet bej Vërlaci dhe Dervish Bej Biçaku, u nisën për Stamboll, sipas kërkesës së deputetëve shqiptarë në mexhlisin osman, të cilët, " ... duan të sqarojnë gjendjen e tyre."[5] Më 1912 përdori gjithë ndikimin e tij për suksesin e kryengritjes së përgjithshme.
Në nëntor 1912 delegatët e Elbasanit për në Kuvendin e Vlorës (Frashëri, Dajiu, Nosi) u zgjodhën në shtëpinë e tij. Më 25 nëntor 1912 ngriti flamurin kombëtar në Elbasan. Në prill të 1913 me largimin e trupave serbe nga qyteti, Ismail Qemali e emëroi Prefekt të Elbasanit, detyrë të cilën e ushtroi derisa më 1914 u emërua Ministër i Brendshëm dhe i Luftës në periudhën e Princ Vidit.
Me kryengritjen e Shqipërisë së Mesme shkoi në Bari,[6] ku qëndroi 6 muaj dhe më pas u vendos në Shkodër. Internohet për disa muaj nga malazezët dhe nga rrethanat e krijuara nga zhvillimet e Luftës së Parë Botërore dhe ofensiva austro-hungareze kundër Malit të Zi, u lirua.
Më 1916 bashkë me Ahmet bej Zogollin ishte nismëtar i kongresit të pambajtur të Elbasanit për të formuar një qeveri në emër të Vidit e për ta lënë Austro-Hungarinë para faktit të kryer. Por kjo përpjekje u ndalua nga austro-hungarezët.[7] Përkrahu Abdyl bej Ypin në organizimin e punimeve për Kongresin e Lushnjes.[8] Më 1920 i zgjedhur nga Bashkia e Peqinit, përfaqësoi Kazanë e Peqinit si delegat në Kongres,[8][9] ku emërohet kryetar dhe me vendosjen e rendit të Regjencës, emërohet si një nga anëtarët e Këshillit të Naltë duke përfaqësuar elementin bektashi.
Duke përfituar nga kriza e Mirditës, në bashkërendim me grupimin "Bashkimi i Shenjtë" dhe dorëheqjen e Zija Dibrës nga qeveria Evangjeli, Biçakçiu nënshkroi me Imzot Luigj Bumçin shkarkimin e Evangjelit. I indinjuar nga mospranimi i tij, organizon një komision grushti shteti dhe i dërgon në hotelin "Internacional" ku banonte kryeministri, për ta shtrënguar të jepte dorëheqjen që çoi në krizën e dhjetorit me kabinetet pakditore. Mosbesimi që ndolli qeveria Prishtina, bëri që ish-ministra, deputetë, funksionarë dhe oficerë të tërë të braktisnin Tiranën dhe të shkonin në Elbasan.[10] Pas grevave dhe demonstratave, Biçakçiu dhe Bumçi ngarkuan Idhomeno Kosturin që të formonte një qeveri derisa të mblidhej parlamenti. Me kthimin e fuqisë kombëtare me në krye Zogun që kish shkuar për të qetësuar Mirditën dhe kthimin e deputetëve nga Elbasani, u bë mbledhja e parë të parlamentit më 22 dhjetor 1921. Në atë mbledhje Evangjeli dëshmoi për grushtin e shtetit që ish bërë dhe kësodore parlamenti vendosi për të rrëzuar dy regjentët që kishin gisht, duke e zëvendësuar Aqif Pashën me Omer pashë Vrionin. Biçakçiu u tërhoq në Elbasan me premtimin ndaj qeverisë që do të qëndronte urtë.[11]
Pas krizës së dhjetorit 1921 dhe nisjes së çarmatimeve të popullsisë nga qeveria Ypi duke nisur nga Shqipëria e Mesme, kapiteni Sali Ohri doli në ilegalitet. Sipas Vllamasit kjo lëvizje u pa si kërcënim që po i bëhej qeverisë nga ana e Aqif Pashës, pasi Sali Ohri ishte nipi i tij. Atëherë qeveria emëron në Elbasan si prefekt Abedin Nepravishtën - siç e kish kërkuar më herët pashai. Nepravishta i dha të kuptonte që duhet të shpërndante fuqitë e armatosura. Por pasi Aqif Pasha nuk u zmbraps nga qëndrimet e tij, duke shpresuar se do të pëlciste kryengritja edhe nga Bajram Curri, Elez Isuf Ndreu, Halit Lleshi dhe Hamid Toptani. Nepravishta i kumton që të largohej, meqë propaganda për kryengritje në emër të tij mund ta dëmtonte nëse kryengritja nuk do të përfundonte me sukses.[12] U vendos në Vjenë, ku formoi "Partinë Kombëtare". Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923 zgjidhet deputet i Korçës në Kuvendin Kushtetues.
Ndërroi jetë më 10 shkurt 1926.[3]
Trashëgimia politike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas burimeve të përdorura nga historiani Kastriot Dervishi, atentati që çoi në vrasjen e Esad pashë Toptanit ishte i shtyrë nga Aqif Pasha, si rival politik i atyre kohëve - dhe paratë për ta financuar u nxorrën nga fondet e Këshillit të Naltë.[13] Vllamasi e cilëson se pas Kongresit të Lushnjes ishte "në krye të njërës rrymë. Përfshinte elementin konservator, ngatërrestar dhe pa program".[14] Vllamasi përshkruan se pas vrasjes së Esad Pashës, Halit Lleshi si i besuar i vjetër i Toptanit, u fal dhe lidhi besë me Aqif Pashën.[15] Mustafa Kruja në një letërkëmbim të tij e përshkruan "patrijot, bektashí i fortë e trim. Kushrî i parë prej nanet i Esat Toptanit, por kundreshtar i tij."[2]
Më 1926, me rastin e vdekjes, gazeta “Liria Kombëtare”, e vlerësonte si “njeri pozitiv” duke e përjashtuar nga bejlerët dhe pashallarët “e liq”.[16] Veprimtaria politike e Aqif pashë Elbasanit është vlerësuar po ashtu nga pushteti politik. Në vitin 1962 ai është dekoruar me urdhërin “Për veprimtari patriotike” të klasit II-të.[17]
Në vitet e pluralizmit politik, është ngritur për të një përmendore, e vendosur në njërin prej shesheve publike të Elbasanit.[18]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 569. ISBN 99927-780-6-7.
- ^ a b Kruja, Mustafa; Margjokaj, P. Paulin (2006). Letërkëmbim (1947-1958). Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 373. ISBN 99943-34-47-6.
- ^ a b Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 90. ISBN 9789994356225.
- ^ a b Kotherja 2012, p. 21.
- ^ Kotherja 2012, pp. 22-23.
- ^ Gazeta “Liri i Shqipërisë”, Sofje, 21 janar 1915, f.1, lajmi: Në Shkodër.
- ^ Vllamasi 2012, pp. 132
- ^ a b Vlora, Syrja bej (2013) [1921-1925]. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Përkthyer nga Ali Asllani. Tiranë: Iceberg. fq. 320, 323. ISBN 978-9928-4140-4-5.
- ^ Vllamasi 2012, p. 182.
- ^ Vllamasi 2012, pp. 258-261.
- ^ Vllamasi 2012, pp. 264-266.
- ^ Vllamasi 2012, pp. 269-272.
- ^ Dervishi, Kastriot (2010). Plumba politikës. Tiranë: 55. fq. 46. ISBN 978-99943-56-43-0.
- ^ Vllamasi 2012, p. 206.
- ^ Vllamasi 2012, p. 229.
- ^ Gazeta Liria Kombëtare, 28 korrik 1926, f. 1
- ^ Gazeta “Zëri i Popullit”, 27 nëntor 1962
- ^ Kotherja 2012, p. 122.
Literaturë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Kotherja, Hyqmet (2012). Pavarësia e Elbasanit 1912: (35 firmëtarët) (PDF). Tiranë: "2 Lindje, 2 Perëndime". ISBN 9789995606503. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 29 tetor 2019. Marrë më 13 dhjetor 2018.
- Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. ISBN 978-9928-140-54-8.