Pjetër Meshkalla

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Át Pjetër Meshkalla

Pjetër Meshkalla S.J. (Shkodër, 25 shtator 1901 - 28 korrik 1988) ka qenë meshtar katolik, jezuit shqiptar.

Biografia[redakto | përpunoni burim]

U lind në qytetin e Shkodrës, në rrugën e Daulles. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe më pas shkoi për studime teologjike në Linz të Austrisë ku kishte bashkëstudent Dom Kolec Prennushin, në Goricë të Sllovenisë dhe në Fakultetin e Filozofisë në Napoli (Itali). Më 1931 u shugurua meshtar i Shoqërisë së Jezuit në Shkodër dhe dha letërsi, gjuhë shqipe e filozofi në Seminarin Papnor.

Më 1934 themeloi rrethin «Shën Gjon Bosco» për edukimin e rinisë, dhe vazhdoi në Tiranë më 1937 në rrethin e «Shën Pjetrit».

Në vitin 1945, regjimi komunist i kërkoi bashkëpunim. Por ai, jo vetëm që nuk pranoi, por në predkun e mbajtur me rastin e vdekjes së Imzot Luigj Bumçit, demaskoi hapur regjimin. Për ketë arsye, më 1946 u arrestua. Pas një hetuesie të gjatë, më 18 prill 1947, Gjykata Ushtarake e Granizonit të Tiranës, e dënoi me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave për pesë vjet, si një nga themeluesit e organizatës «Bashkimi Kombëtar» dhe për agjitacion e propagandë. Në po këtë gjyq u dënuan edhe Dom Shtjefën Kurti e Imzot Irine Banushi. Dënimin e vuajti në disa kampe pune dhe në burgun e Burrelit, prej ku dhe u lirua më 1961, por pa të drejtën e shërbimit si meshtar. Kur në Shkodër po zhvillohej Revolucioni kulturor, ai i dërgoi një letër Mehmet Shehu, ku në fund i shkruante: "Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqsore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit". Ndaj, më 29 prill 1967, në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, u organizua një mbledhje për "demaskimin" e veprimtarisë së tij. Dhe më 19 korrik të po atij viti, me vendim nr. 44, Gjykata e Shkodrës e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë për "agjitacion e propagandë".

Pas lirimit më 1978, u internua në kampin e Vlorës. Vdiq me 28 korrik të vitit 1988. Është kleriku i parë që u dekorua më 1992 «Pishtar i Demokracisë».[1] Në nderim të persekutimit dhe qëndrimit të tij përgjatë regjimit komunist, Jezuitët i vunë emrin e tij shkollës së mesme që mëkëmbi Kolegjin e moçëm Saverian.[2]

Referencat[redakto | përpunoni burim]

  1. ^ "Skeda "Pjetër Mëshkalla"". kujto.al. 
  2. ^ "Themelimi i Kolegjit Saverian në Shkodër më 1877". vaticannews.va.