Jak Marlekaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Jak Marlekaj (Pult, 19 nëntor 1906 - Bari, 27 korrik 2003) qe frat françeskan, gjuhëtar e akademik shqiptar.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Leu në Pult, i biri i Pjetër dhe Bute Pepaj, më 19 nëntor 1906, me emër pagëzimi Lul.[1]

Mësimet e para i mori nga albanologu At Justin Rrota. Më 1917-1924 qe nxënës në Kolegjin Françeskan. Gjimnazin e kreu në Shkodër pranë liceut “Illyricum” kurse studimet teologjike në Areco, Itali. Më 1931 merr Urdhrin e meshtarisë dhe deri në vitin 1937 jep mësim në “Illyricum” gjuhë dhe letërsi. Është kryeredaktor i revistës “Zani i Shna Ndout” më 1932 dhe bashkëpunon me “Hyllin e Dritës” që drejtohej nga At Gjergj Fishta dhe At Anton Harapi. Boton përkthimin shqip të veprës “Zêmra n’udhtim” të shkrimtarit Milly Dandolo. Deri më 1941 kryen studime për Gjuhë dhe Letërsi moderne, në Universitetin e Bolonjës, ku mbron shkëlqyeshëm laurën “La grafica albanese attraverso scrittori del periodo 1462-1908″ dhe merr titullin “Doktor” në letërsi. Më 1942, Át Jaku, ose ndryshe Prof. Dr. Luigj Marlekaj, boton “Appunti del Corso di Lingua Albanese” dhe një vit më pas shkrimin “Per lo studio delle palatali albanesi”. Para nji komisioni të posaçëm të arsimit shtetëror italian, fiton më 1955 të drejtën për të mbajtur ligjerata për gjuhën shqipe në të gjitha universitetet e Italisë, dhe i mban në Milano, Bolonjë dhe Bari. Përfundon studimin bibliografik “Indice Generale della Rivista Indo – Greco – Italica, Anno 1917-1933″; paraqet studimin “Giuseppe Schirò e le tradizioni popolari albanesi” në një konferencë për Zef Schiro-in; boton studimin “Scanderbeg nelle tradizioni popolari albanesi” (1969) dhe përgatit shqip-italisht me një hyrje, botimin e veprës së At Gjergj Fishtës “Jerina ose Mbretnesha e Luleve”.

Qe bashkëpunëtor i revistës “Shêjzat” të Ernest Koliqit. Me nisjen rishtas të “Hyllit të Dritës” më 1993, ishte një ndër bashkëpunëtorët e saj. La arkivë të pasur dorëshkrimesh historike të nxjerra nga Propaganda Fide, të shekujve XVI-XVII, studime gjuhësore e letrare të cilat gjenden në Bibliotekën Françeskane “At Gjergj Fishta” në Shkodër. Gjatë kësaj kohe është marrë edhe me studimin e arbëreshëve të Italisë, disa për të cilin ndodhen të transkriptuara në Arkivin Françeskan në Shkodër. At Jak Marlekaj ndërroi jetë në Kuvendin e Shën Andout në Bari, Itali, më 27 korrik 2003.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Kurti, P. Donat (2003). Provinça Françeskane Shqiptare (në latinisht). Shkodër: Botime Françeskane. fq. 125. ISBN 99927-789-1-1.