Arkivat në Shqipëri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Merge-arrows.svg
Ndihmoni që kjo pjesë dhe pjesa Arkivi i Shtetit Shqiptar të bashkohen në një artikull të vetëm. {{{2}}}


Institucioni kryesor arkivor në Shqipëri është Arkivi Qendror i Shtetit të Republikës së Shqipërisë (A. Q. SH.), në të cilin, pas Luftës së Dytë Botërore, pushteti diktatorial grumbulloi të gjitha materialet dokumentare arkivore të ruajtura nga njësitë arkivistike të institucioneve fetare dhe institucionet apo individët e ndryshëm të qytetit të Shkodrës dhe qyteteve të tjera të rëndësishme të Shqipërisë. Arkivi Qendror i Shtetit u krijua në qershor 1945, pranë Institutit të Shkencave. Prej vitit 1955 funksionoi si Drejtori e Arkivave, pranë Ministrisë së Brendshme, dhe përbëhej nga Arkivi Qendror i ish-PPSH (për fondet e periudhës së diktaturës komuniste) dhe Arkivi Qendror Historik i RPSH (për fondet e para 28 nëntorit 1944). Me 1963 u ngrit Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, në varësi të Këshillit të Ministrave dhe të dy arkivat u shkrinë në AQSH. Drejtoria e Përgjithshme drejton punën arkivore për administrimin e Fondit Arkivor të Shtetit dhe përgatit rregullat e udhëzimet metodike për gjithë arkivat e RSH.

AQSH ruan dokumente që nga Mesjeta e Hershme e deri më sot, që pasqyrojnë historinë e popullit shqiptar, luftërat e tij për liri, pavarësi e kulturë kombëtare. Dokumentet më të vjetra, janë kodiku i argjendtë i shekullit VI-të, dhe kodiku i artë i shekullit IX-të. Dokumentet laike nisin nga shek. XV-të. Me rëndësi janë aktet e sheriet vendëse, që nga fillimi i shek. XVII-të, kodikët e shek. XVI-XVIII etj. Nga shek. XIX-të deri më 1912, ka një fond të pasur sidomos për epokën e Rilindjes Kombëtare. Aktet zyrtare të shtetit shqiptar 1912-1920, janë mjaft të cunguara. Administrata shtetërore ka dokumente më të plota pas vitit 1920. Studentët e Universitetit të Shkodrës dhe studiuesit e këtij qyteti, për t'u orientuar paraprakisht në punën e tyre të ardhshme në AQSH në Tiranë, mund t'i drejtohen indekseve të këtij arkivi, që gjenden edhe në Bibliotekën e Departamentit të Historisë së Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi". Në këtë bibliotekë gjinden indekset e mëposhtme: Shekulli VI deri më 1831 (3 vëllime), Shteti dhe e drejta 1832-1912 (4 vëllime), Politika 1932-1912 (3 vëllime), Kleri 1832- 1912 (3 vëllime), Ushtria 1932-1912 (1 vëllim).

Pas vitit 1992, në këtë arkiv u përfshinë edhe dokumentet e ish Arkivit Qendrorë të PPSH. Gjithashtu, në Republikën e Shqipërisë, funksionojnë Arkivi Qendror i Ushtrisë, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Një rrjet i tërë arkivash ekzistojnë pranë Këshillave Popullorë ndër rrethe. I një vlere të rrallë ka qënë Arkivi i Gjykatës së Rrethit Shkodër, i cili u dogj gjatë trazirave të inskenuara, në paraditen e 14 marsit 1997. Ky arkiv zotëronte të gjitha dokumentacionet e pronësisë dhe të administratës osmane të ish-vilajetit të Shkodrës, kopjet e të cilave mund të gjinden ndoshta vetëm në Arkivin e Ankarasë.