Jump to content

Arsim Bajrami (1960)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Arsim Bajrami (1960) është një jurist, profesor universitar, ish ministër dhe deputet në Kuvendin e Kosovës në kohën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.[1]

Arsim Bajrami u lind në fshatin Medvec të Lipjanit më 1960. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Lipjan, kurse Fakultetin Juridik të Universiteti të Prishtinës e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm. Ishte bursist i universitetit dhe mori çmimin “Student i dalluar”. Në vitin 1983 e dha provimin e juri­sprudences ndërsa më 1985 mori titullin Magjistër i shken­cave juridiko-kushtetuese duke mbrojtur temën “Gjyqësia kushtetuese e Kosovës”. Studimet e doktoratës me temën “Aspekti normativ i mëvetësisë së Kosovës në periudhën 1945-1994” e mbrojti në vitin 1996 dhe u promovua doktor i shkencave juridike. Në vitin 1987 u rizgjodh asistent në Fakultetin Juridik, kurse u autorizua ligjërues në vitin 1991. U zgjodh docent menjëherë pas doktoratës. Në vitin 2000 u zgjodh profesor inordinar, kurse më 2004 profesor ordinar. Ka mentoruar shumë kandidatë për doktoratë dhe magjistrantë. Ka ngritur dhe përgatitur 15 asistentë në lëndët kushtetuese-juridike.

Ësh­të ndër themeluesit e Departamentit të Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik të UP-së, ku vazhdon të angazhohet në lëndët: Modelet e demo­kracisë, Parlametrarizmi dhe sistemi politik i Kosovës. Është angazhuar edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës në lëndët: E drejta kushtetuese, Sistemi politik. Po ashtu ka qenë i angazhuar edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë në lëndët E drejta parlamentare dhe Sistemi politik. Kohë pas kohe ka pasur dhe ka angazhime si ligjërues i jashtëm në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Aktivite­tin akademik e ka ushtruar edhe jashtë universitit. Në vitin 2000 ka ligjëruar Liritë dhe të drejtat e njeriut në një program trajnimi të TMK-së, organizuar nga Finish Human Rights dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës. Ka ligjëruar edhe në Universitetin e Evropës Qendro­re (CEU), më 1997, në Universitetin e Kalabrisë në Kozencë, më 1999, në Universitetin shtetëror të Arizonës, në SHBA, në vitin 2003, si dhe është prezantuar në Parlamentin holandez, më 2003.[2]

Në vitin 1990-1996, ishte themelues dhe anëtar i kryesisë së Shoqatës së pavarur të juristëve të Kosovës. Më 1994-2000 kryeredaktor i revistës Vjetari, botimi i Shoqatës së Pavarur të Juristëve të Kosovës. Njëkohësisht është anëtar i redaksisë së revistës Kosova Law Review, në gjuhën an­gleze, të po kësaj shoqate dhe anëtar i bordit të revistës shkencore Vizione, botim i Institutit Demokratik në Maqedoni.

Është themelues dhe kryeredaktor i revistës shkencore Constitutio, e specializuar për çështje kushtetuese dhe parlamentare. Ka themeluar dhe udhëheq Institutin për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare, si qendër të pavarur kërkimore-shkencore. Është njëri ndër iniciatorët dhe themeluesit e Shoqatës për të Drejtën Kushtetuese, e para e këtij formati në trojet shqiptare. Në dhjetor të vitit 2012 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Është deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ka qenë prorektor dhe rektor i UP-së, Ministër i Administratës Publike dhe është Ministër i Arsimit, të Shkencës e Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës.[3]

  1. ^ https://staff.uni-pr.edu/profile/arsimbajrami
  2. ^ https://masht.rks-gov.net/en/minister-bajrami-was-promoted-as-member-of-the-european-academy-of-sciences-and-arts/
  3. ^ https://ashak.org/anetaret/arsim-bajrami/