Bajram Berisha
Bajram Berisha është profesor universitar nga Kosova dhe anëtar i Institutit Alb-Shkenca.[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Studimet themelore i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës (UP), studimet pasuniversitare në Universitetin e Lubjanës (Slloveni), ndërkaq është doktoruar (Dr. Sci.) dhe habilituar (Dr. habil.) në Universitetin Teknik të Munihut (TUM) në Gjermani. Pas habilitimit (2007) në fushën e fiziologjisë dhe bioteknologjisë së shtazëve, është emëruar profesor i asociuar në TUM (Gjermani), ku ka punuar prej 1997-2009. Pas kthimit nga Gjermania është zgjedhur profesor i asociuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës (Shqipëri), ndërkaq është Profesor ordinar, me marrëdhënie të rregullt të punës në Universitetin e Prishtinës. Ka realizuar dhjetëra projekte shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Në mes të tjerash ka koordinuar një projekt TEMPUS (nga Komisioni Evropian), i cili UP-së i ka ofruar një program interdisiplinar dhe ndërkombëtar (mbështetet nga disa Universitete të BE-së) të studimeve të doktoratës në fushën e shkencave të ushqimit. Ka marrë pjesë aktive në qindra konferenca dhe tubime të tjera shkencore dhe ka publikuar qindra artikuj shkencorë të kategorive të ndryshme në revistat më të mira të kohës. Hirsch index-i i tij aktual është mbi 40 (H-index=41).
Pas kthimit në Kosovë (2009), Prof. Berisha ka kryer detyra me përgjegjësi në institucionet e arsimit të lartë dhe të shkencës. Ndër të tjera ka qenë kryetar themelues i këshillit shkencor të MASHT-it, anëtar i Këshillit Kombëtar të Cilësisë në Agjencinë për Akreditim të Kosovës, anëtar i Këshillit Kombëtar për Njohjen e Gradave Akademike (NARIC), Prorektor për mësimdhënie dhe kërkime shkencore në UP, dhe se fundmi edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Shkencës në Kosovë. Për arritjet e tija shkencore është dekoruar nga institucione të ndryshme shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Është shpallur “shkencëtar i vitit i Kosovës”, si dhe Laureat i çmimit ndërkombëtar shkencor “Zietzschman-Preus Award” për punimin më të mirë të vitit, në fushën e veterinarisë[2]. Së fundmi ka fituar titullin prestigjioz “Ambasador i TUM”, me rastin e 150-vjetorit të themelimit të Universiteti Teknik të Munihut, si dhe është zgjedhur Anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.[3] Që nga kthimi i tij në Kosovë, është i angazhuar në vazhdimësi në cilësinë e “Profesorit Vizitues” në Universitetin Teknik të Munihut (TUM) në Gjermani.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Mustafa Ibrahimi (red.) Instituti Alb-Shkenca ndër vite 2002-2023 (Monografi), fq. 67, ISBN 9789951518208
- ^ "The Zietzschmann-Preuss Award for the Promotion of Research in Veterinary Embryology. Previous winners". www.wava-amav.org (në anglisht). Marrë më 2024-11-06.
- ^ https://akad.gov.al/anetare-te-jashtem/