Jump to content

Delisufaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Delisufaji

Delisufaji është një fshatkomunën Allkajrrethin e LushnjësShqipërisë.

Fshati Delisufaj ndodhet 17.5 km në juglindje të qytetit të Lushnjës. Nga pikëpamja gjeografike fshati ka shtrirje fushore. Fshati Delisufaj është 18.5 m mbi nivelin e detit. Sipas ndarjes territoriale të viti 2015 fshati Delisufaj bënë pjesë në Njësinë Administrative Allkaj. Në veri kufizohet me fshatin Çukas i Ri. Nga lindja kufizohet me fshati Çukas i Vjetër. Në jugperëndim kufizohet me fshatin Toshkëz. Në Perëndim me fshatin Rrupaj. Në veriperëndim me fshatin Allkaj. Fshati Delisufaj ka kushte të favorshme klimaterike e tokësore për zhvillimin e kulturave bujqësore dhe drunore. Klima mesatare me reshje luhatet nga 800-1000 m/m në vit. Dimër i butë dhe verë e nxehtë.

Për fshatin Delisufaj ruhet edhe një gojëdhënë mbledhur nga Mësuesi i Popullit Jani Nushi në fshatin Delisufaj në vitin 1962. Thuhet: “Më plaku i një grumbulli shtëpish, ja këtu në Myzeqe, shumë kohë më parë, quhej Isuf. Ishte i drejt dhe i zoti. Të gjithë vinin tek ai për të qarë hallë. Largoheshin të kënaqur për mençurinë dhe zotësinë e tij. Kështu ai gëzonte dashuri dhe respekt të madhë në popull. Njerëzit kur shkonin tek ai për të qarë hallë thoshin se po shkonin te Delia, Deli Sufi, që do të thoshte Isufi i drejtë. Plaku vdiq, shtëpitë u shtuan u shumuan e ai u bë fshat që mori emrin Delisufaj”.

Mendohet që ky fshat të jetë formuar në shek XVIII. Për origjinën e emrit të këtij fshati jepen dy hipoteza. Hipoteza e parë (e shprehur në Revisten Hylli i Dritës Viti 1940) thuhet: se këtë emër fshati e mori nga një “Njeri i mençur”. Ndërsa hipoteza e dytë shpjegohet shqip nga bashkimi i dy fjalëve Delli + Sufajve. Dell për banorët e Myzeqesë nënkupton pellgjet uji të krijuara nga tërheqja e lumit. Ndërsa Sufajve mund të jetë mbiemër i ndonjë familje që ka jetuar këtu kohë më parë. Megjithatë fshati citohet edhe me emrin “Lagjja e Lumit”. Madje këtë emër e hasim në hartat italiane të vitit 1928 dhe 1939. Banorët tregojnë se tokat e fshatit gjatë 200 vjetëve të fundit janë përmbytur mbi 10 herë. Çka mund të ketë sjellë zhvendosje të popullsisë që jetonte aty.

Fiset që popullojnë fshatin: Çepelja, Deneku, Hasko, Hyska, Hatia, Llupo, Malia, Mato, Meta, Pirra, Qorri, Salihasi, Sina, Sefa, Skraqi, Sota, Thana, Uku e të tjerë. Shkolla e Parë Shqipe u hap më 16 shtator të vitit 1916. Kjo shkollë numërontë vetëm 10 fëmijë. Mësuesi i parë ka qenë Lili Kozma Bandilli. Shkolla u mbyll nga reforma e Ahmet Zogut në vitin 1926. Të tjerë mësues që ka dhënë mësim kanë qenë: Tun Gjergji, Jorgji Toli e të tjerë. Kjo shkollë ka qenë në truallin e familjes Uku. Sot ka ngelur toponimi “Tek ara e shkollës së vjetër”. Në vitin 1938 fshati Delisufaj numëronte 254 banorë të ndarë në 151 meshkuj dhe 103 femra. Ndërsa për nga besimi 160 ishin mysliman dhe 94 ortodoksë.

Gjatë Luftës Nacional Çlirimtare fshati ka dhënë kontribut të madh me ushqim dhe veshmbathje. Në vitin 1949 fshati Delisufaj numëronte 362 banorë. Në vitin 1956 formohet Kooperativa Bujqësore. Pak muaj më vonë u përfshij në Kooperativën e Bashkuar të Toshkëzit. Drejtimi kryesorë ka qenë prodhimi i drithërave. Kolektivizimi qëndroi deri në vitin 1990, kur me vendim të Plenumit të KQ të P. PSh-së, datë 17 prill 1990, fshatarëve u la e lirë të mbanin lopë, dele dhe u dha çdo familjeje 4 dynym tokë. Ndryshimet që ndodhen në fillim të viteve ’90 sollën largimin e një pjesë të banorëve në emigracion ndërsa një pjesë u zhvendos në Lushnje. Megjithatë fshati pati prurje edhe nga fshatrat fqinjë. Në statistikat e vitit 2015 fshati Delisufaj numëron 1055 banorë që përbëjnë 235 familje.