Jump to content

Dhimitër Kajana

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Dhimitër Kajana
U lind në1870
Vdiq18 prill 1914
KombësiaShqiptar
ProfesioniMjek obstetër-gjinekolog

Dhimitër Kajana (Berat, 1870 - 18 prill 1914) ka qenë mjek e pjesë e parisë së Beratit.

U lind në lagjen Kala të qytetit të Beratit si fëmija i vetëm i çiftit Helena dhe Nasi Kajana. U shkollua në Berat e në Korfuz dhe u diplomua mjek në Universitetin e Athinës. Pasi punoi disa vjet mjek i përgjithshëm në Berat, Dhimitri u specializua obstetër-gjinekolog në Paris dhe u rikthye në qytetin e tij të lindjes. Ai kryente një punë të lodhshme e voluminoze që diktohej nga sëmundjet epidemike dhe numri i pakët i mjekëve në atë kohë dhe në saj të punës me përkushtim e humanizëm u quajt nga populli “mjeku i grave dhe i të vegjëlve”.

Kajana ishte mik i ngushtë i Babë Dudë Karbunarës, Llambi Goxhomanit të cilin e kishte edhe kumbar, Sotir Koleas dhe dhjetëra patriotëve të tjerë dhe shquhej si aktivist energjik duke propaganduar lirinë dhe pavarësinë e atdheut nga Turqia, kudo gjatë vizitave mjekësore me të sëmurët apo në mjedise publike. Dr. Kajana zotëronte përkryer, veç gjuhës amtare, gjuhën greke dhe frënge.

Në vjeshtën e vitit 1912, ka mundësi më 26 tetor, ai bashkë me patriotë të tjerë ngriti te selvia e kishës së Shën Mitrit në Kala flamurin kombëtar. Duke qenë edhe mjek i Bashkisë së Beratit ai u ngarkua prej saj me misionin të takonte oficerët grekë të bandave vorio-epirote për të mos hyrë në Berat dhe të mos kryenin reprezalje ndaj popullatës, gjë që e kreu me sukses.

Pak kohë më vonë, ai u akuzua nga rebelët turkomanë si agjent grek dhe u ekzekutua, më 18 prill 1914, duke e varur në litar në moshën 44 vjeçare dhe duke lënë të shoqen të ve e të varfër me 3 fëmijë. Banorët e Beratit, të krishterë e myslimanë, e varrosën me pjesëmarrje masive në varrezat e kishës së Shëndëlliut dhe mbajtën zi atë ditë duke mos hapur dyqanet. Populli i thjeshtë e qau atë me zemër të dredhur plot dhembje duke i thurrur një këngë-elegji, ku shprehet revolta ndaj turkomanëve:

“Ky myftiu i Tiranës, Ç’i bëri gazep Kajanës...”