Sotir Kolea

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sotir Kolea (Berat, 4 shtator 1872 - Elbasan, 3 korrik[1] 1945) qe leksikograf, folklorist, publicist, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare në vitin 1928. Ka lënë në dorëshkrim një fjalor.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në lagjen Goricë të Beratit, më 4 shtator 1872. Babai i tij Kristo Kolea ishte jurist që punonte si këshilltar ligjor për kompaninë franceze "La Regie Des Tabacs", që mbante monopolin e prodhimit të duhanit në Perandorinë Osmane. Në moshën nëntë vjeçare Sotiri shkoi në Manastir, ku jetonte xhaxhai i tij Ilia, një tregtar duhani i kompanisë. Pas diplomimit nga gjimnazi lokal në gjuhën greke, ai u punësua nga kompania "La Regie Des Tabacs" dhe punoi në degën e Ohrit të kompanisë.

Më 1896 ai punoi si mësues i gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar të Kavallës. Mes 1899 dhe 1902 ai u transferua në degët e kompanisë në Drama dhe Kavalla.

Në vitin 1911 zgjidhet sekretar i shoqatës “Bashkimi” në Egjipt, së bashku me dr. Mihal Turtullin, inxh. F. Shirokën, A. Xhuvanin, etj. Merr pjesë në dërgatën e Londrës bashkë me Rasih bej Dinon dhe Mehmet bej Konicën[2]. Organizon tok me Faik Konicën Kongresin e Trieshtës, në Austro-Hungari në periudhën 27 shkurt – 6 mars 1913[3].

Në vitin 1914, pas takimeve në Brindisi dhe Leçe, me rrethet e patriotëve shqiptarë, Kolea vendoset në Lozanë ku në 1915 drejton në gjuhën frenge gazetën “L'Albanie” me bashkëpunëtorin e vjetër dr. Turtullin, Hilmi Këlcyrën e P. Calen.

Mban datën 29 qershor, 1919 promemoria që Kolea i drejton poetit italian D’Anuncio, ku i bën thirrje ndërgjegjes së poetit dhe artistit që të pengojë etjen pushtuese të Italisë. Në 26 mars, 1920 Kolea akuzon në një artikull kryeministrin e Italisë, Nitti për manipulimin e shtypit italian rreth të vërtetës së sjelljes së Italisë ndaj Shqipërisë. Merr pjesë në Konferencën e Paqes, po me të kuptuar mosmarrëveshjet e mëdha të forcave të ndryshme politike shqiptarë mes tyre, etjen për pushtet të gjithsecilit, i lodhur dhe i zhgënjyer, Sotir Kolea i kushtohet jetës private. Në një letër drejtuar mikut te tij, Mit'hat Frashërit në 25 Mars 1920, Kolea shkruan se “kam frikë se do na mbetet zakon në këtë të lumtur Shqipëri se gjithë qeveritë që shkuan gjer më sot, hëngrën, pinë, lanë duart, e dolën”. Ne këtë periudhë largohet në Madagaskar, e më pas, në Marsejë (Francë) ku merret me tregti.

Në 20 dhjetor 1927 me një letër, Mit’hat Frashëri i njofton i pari vendimin e Këshillit të Ministrave, që emëronte Sotir Kolean drejtor të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. “Jeni emnue drejtuer i Bibliotekës kombëtare. Nisuni. Ministri i Arsimit, Xhafer Ypi”, shkruhet në telegramin dërguar nga qeveria shqiptare Sotir Koleas, në janar 1928.

Në vitet 1928-1945 kontribuon në zhvillimin e vlerave kulturore kombëtare dhe vetjake. Eshtë meritë e tij ngritja e Muzeut Kombëtar, vënia në baza shkencore dhe pasurimit të fondit të librave dhe dokumentave me vlera të vecanta kombëtare të Bibliotekës Kombëtare si drejtor. Nga 4.000 që ishte numri i librave në Bibliotekën Kombëtare në janar 1928 kur mori detyren dhe deri në 1937, kur mbreti Zog e nxori në pension, Kolea shtoi fondin e librit me 14.000 tituj te rinj, botoi periodikë të shumtë vjetore mbi veprimtarinë e bibliotekës me përshkrimet përkatëse bibliografike të shumë veprave me interes për studime. Kolea ka merita te veçanta për mbedhjen e dokumenteve të rëndësishme me vlera historike, ndër te cilat, prezantimi i parë për dorëshkrimin e Kostë Beratit, historisë së origjinës së flamurit kombëtar të ngritur në Vlorë në 28 nëntor 1912, zbuloi dhe mblodhi dokumente për Skënderbeun, të dhëna bibliografike për Shtjefën Gjeçovin, Jani Vruhon, Jani Vreton, Fan Nolin, Shirokën, etj, fondet që janë sot pasuri kombëtare falë punës së tij. Kolea bëri mjaft kërkime në biblioteka të huaja për dokumente me vlera historike dhe kulturore për Shqipërinë. Nën kujdesin e tij, Muzeu Kombëtar u bë qendra ku nisën të grumbulloheshin objekte të vjetra historike dhe ai vetë, një ndër luftëtarët më të vendosur për mbrojtjen e tyre nga arkeologët e huaj, që morën jo pak vlera dhe zbulime arkeologjike në Butrint, Apolloni, Lezhë, Shkodër, e gjetkë. Më 1937 Sotir Kolea doli në pension dhe koha për të mori kuptimin e punës për organizimin, përpunimin, botimin e gjithë kërkimeve dhe studimeve të nisura që në rini ndaj vendoset në Elbasan, qytet ku jetonin një grup studjuesish të njohur të gjuhës si Aleksander Xhuvani, Simon Shuteriqi, Lef Nosi, Kristo Floqi, etj. Me 8 prill 1940 qe ndër anëtarët e Institutit të Studimeve Shqiptare me shumë intelektualë bashkëkohës.[4] Vdiq në Elbasan 1945. Nekrologjia e tij u shkrua nga gjuhëtari Mahir Domi.

Punime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Puna më e madhe, më e plotë studimore mbetet hartimi i 5 fjaloreve, ku më kryesori ai i gjuhës shqipe, ende i pabotuar, për të cilin punoi që nga viti 1905 e deri në fund te jetes duke përdorur metodën e krahasimit për cdo fjalë të shqipes me fjalorët më të mëdhenj të botuar në gjuhët greke e frenge. Gjatë 30 viteve punoi për hartimin e fjalorit Shqip-frengjisht, një për Orientalizmat, që janë jo të pakta në gjuhën shqipe. Nga 1909 në Aleksandri dhe deri në 1915 në Lozanë, Kolea hartoi fjalorin Shqip-Greqisht, me 68.963 fjalë, që gjendet si dorëshkrim, një tjetër për shqip-turqisht, etj. Studjues me disiplinë të fortë pune, ka lënë fjalorin e botanikës, veç dorëshkrimeve me studime për etnografinë, zbulimin e Butrintit, toponomastikën e Shqipërisë, etj. Kontributi i Koleas ka peshën e vet të madhe në zhvillimin e disiplinave shkencore shqiptare si leksikografi, folkloristikë, shkencave të natyrës, etj. Të gjitha në dorëshkrime të shumta, që ndodhen sot në arkivin e Shtetit në fondin “Kolea”, një nga më të mëdhenjtë, që është përdorur nga shumë studjues. Në vitin 1944 u botua në Tiranë vepra e tij "Një tufë proverba." me ndihmën e Lef Nosit[1].

Nderime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 2002 në 90-vjetorin e Pavarësisë, Presidenti Alfred Moisiu dekoroi Sotir Kolean me urdhrin "Naim Frashëri" i Artë.

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Mano N., Kur Sotir Kolea botonte "Një tufë proverbash": ['44 del botimi me kujdesin eLef Nosit], Gazeta Shqiptare ("Milosao", suplement). - Nr. 4900, 18 prill, 2010, f. IV - V.
  2. ^ Asllani U.Shqiptarët e Egjiptit dhe veprimtaria atdhetare e tyre Arkivuar 15 tetor 2018 tek Wayback MachineMetropol. - Nr. 706, 6 qershor, 2006, f. 16.
  3. ^ Mano N., Sotir Kolea, dhunimi i një patrioti (pas vdekjes), Gazeta Shqip, 3 korrik 2010.
  4. ^ AQSH, F. 200, V. 1940, D. 1.