Pandeli Cale

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Pandeli Cale
Pandeli Cale.jpg
Ministër i Bujqësisë
7 dhjetor, 1912 – 15 shtator, 1913
Paraardhësi: Shpallja e Pavarësisë
Pasardhësi: Hasan bej Prishtina
Të dhënat personale
Lindi më: 16 mars, 1879
Lindi në: Korçë, Perandoria Osmane
Vdiq më: 5 gusht, 1923
Vdiq në: Selanik, Greqi
Kombësia: Shqiptare
Feja: i krishter ortodoks

Pandeli Cale (Korçë, 16 mars 1879 - Selanik, 5 gusht 1923) ishte një nga nënshkruesit e Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ministri i parë i Bujqësisë, Tregtisë dhe Industrisë[1].

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Pandeli Llambi Cale leu në Korçë më 16 mars 1879. Shkollimin fillor e mori në vendlindje, mandej kreu liceun klasik francez të Aleksandrisë në Egjipt.

Në vitet 1900-1904 punon në Bukuresht ku merr pjesë në lëvizjen mërgimtarëve të atjeshëm. Më 1904 Pandeliu kthehet në Shqipëri, ku bashkëpunon me shokët e kohës Thimi Marko, Themistokli Gërmenji, Sami Pojani, Orhan Pojani, Foqion Turtulli, etj, aktivizohet si pjestar i "Komitetit Shqiptar për çlirimin e mëmëdheut nga zgjedha e Osmanllinjve" ose "Komiteti i Fshehtë" në Selanik. Pas revolucionit xhonturk të 1908-ës zhvilloi veprimtari të gjerë në organizimin e klubeve e shoqërive patriotike në Korçë.

Kryetar i shoqërisë “Banda e Lirisë” më 1 tetor 1908. "Banda e Lirisë" shoqëroi me marshe kombëtare dhe ekzekutoi këngë patriotike më 14 shkurt 1910 në mitingun për mbrojtjen e shkronjave shqip. Në shkurt 1909, sekretar i shoqërisë “Lidhja ortodokse” kryesuar nga Mihal Grameno[2], e cila i solli dobi të madhe lëvizjes kulturore-luftarake për çlirim kombëtar.Në rritjen e lëvizjes së armatosur të viteve 1911-1912 Pandeliu dha një kontribut të çmuar. Nikollaq Zoi në kujtimet e tij shprehet kështu: "... Themistokli Gërmenji, Pandeli Cali, Vangjel Gjika (përmetar), doktor Haki Mborja, s'gjetën mundësi tjetër veç të formonin çeta",  ashtu siç parashikonte edhe programi i “Shoqërisë Dora e Zezë”[3].

Rreth gusht-shtatorit 1912 largohet nga jugu i Shqipërisë dhe shkon në Bukuresht. Aty merr pjesë në mbledhjen e 5 nëntorit 1912 dhe si vetëdashës niset me delegacionin që shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912, si delegat i qytetit të Korçës, firmon manifestin e pavarësisë me siglën "Pandeli Cale". Në qeverinë e parë kombëtare, Calja merr në dorë drejtimin e ministrisë së bujqësisë, industrisë dhe tregtisë. Më 23 mars 1914 bashkë me Themistokli Gërmenjin, Vasil Tromarën, etj. vajton vrasjen makabre të Papa Llambro Ballamaçit dhe vëllait të tij Sotirit në Korçë, dy prej veprimtarëve të shquar të lëvizjeve patriotike dhe të shkollës shqipe. Lufton kundra elementeve grekomanë dhe andartëve grekë në Korçë. Pas vendosjes së princ Vilhelm Vidit në krye të fronit shqiptar në 1914, Pandeliu emigron jashtë atdheut.

Busti i Pandeli Cales.jpg

Vitet e Luftës së Parë Botërore i kalon në Zvicër, Ukrainë, Bullgari, Francë. Për pak kohë u internua nga qeveria rumune, bashkë me Pandeli Evangjelin, e më vonë kaloi në një burg të Bukureshtit. Pasi u lirua shkoi me mision diplomatik në Paris. Që andej u hodh në Zvicër, ku bashkë me disa shqiptarë të tjerë boton një gazetë në frëngjisht për çështjen shqiptare. Më 1918 nga Lozana e Zvicrës, bashkë me Sotir Kolenë dhe Hilmi Këlcyrën, kundërshtoi qeverinë e Durrësit me në krye Turhan pashë Përmetin, duke e quajtur atë si një "akt të tradhëtisë së hapur". Më 1919 Pandeliu u kthye në atdhe. Më 28 maj 1920 dallohet si një prej hartuesve kryesorë dhe prej të parëve firmëtarë të protokollit të Kapshticës. Me këtë veprim u siguruan kufijtë e Korçës duke: "... ndaluar përparimin e ushtrisë greke që po avancon për të pushtuar Korçën.". "Duke përdour një dipllomaci të stërhollë mundi të shpëtojë për herë të fundit Korçën nga sundimi (okupimi grek)", shkruan miku i tij, Milto Sotir Gurra.

Në vitin 1920 është prefekti i Korçës. Një vit më vonë, në shkurt 1921, pas zgjedhjeve që u mbajtën, Calja u zgjodh deputet në të parin Parlament shqiptar. Pas pak kohësh qeveria shqiptare e dërgoi Pandeli Calen si përfaqësues të saj pranë Lidhjes së Kombeve.

Vdiq i sëmurë në një spital të Selanikut, ku po mjekohej, më 5 gusht 1923. Në janar 1924 parlamenti shqiptar vuri një kurorë me lule shqiptare në varrin e atdhetarit në Selanik. Eshtrat iu kthyen në atdhe më 1926[1], në rivarrim foli miku i tij Hilë Mosi, sikurse tre vjet më herët, kur ai shua, në ceremoninë e rivarrimit, që u zhvillua në kishën Shëngjergjit, duke iu drejtuar të ndjerit: “Korça ku ti çele sytë, ku ti u rrite dhe derdhe gjithë aktivitetin tënd, e ka fatin të të mbledhë përsëri në gjirin e vet”[3].

Mirënjohje[redakto | redakto tekstin burimor]

Më 1962, me rastin e 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë u dekorua me urdhërin "Për veprimtari patriotike" të klasit II, me motivacionin: "Patriot dhe aktivist i shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare kundra zgjedhës turke. Ka qënë një nga organizatorët e lëvizjes në jugë të vendit në vitet 1911-1912. Anëtar i qeverisë së Ismail Qemalit. Pjesë- marrës aktiv i lëvizjes patriotike që shpuri në mbajtjen e Kongresit të Lushnjës". Në vitin 1992, rastin e 80 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare u dekorua me urdhërin "Për veprimtari patriotike" të klasit I, me motivacionin: "Atdhetar dhe veprimtar i dalluar i Rilindjes dhe i periudhës së Pavarësisë. Bashkëpunoi me atdhetarët e Bukureshtit. Në Korçë u shqua në organizimin e klubeve dhe të shoqërive patriotike. Ishte një nga propaganduesit dhe organizatorët e luftës së armatosur në Shqipërinë e Jugut (1911-1912). Përfaqësoi kryengritësit e Korçës në Kuvendin e Sinjës. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit (5 nëntor 1912), si dhe në Kuvendin Kombëtar të Vlorës si përfaqësues i Korçës. U zgjodh anëtar i qeverisë së parë kombëtare të drejtuar nga Ismail Qemali." Ndërsa, sivjet, në 100 vjetorin e Pavarësisë, në qershor 2012, Pandeli Cales iu dha titulli "Nderi i Kombit", me motivacionin: " Si pjesë e Grupit të Firmëtarëve të Dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 2012; Për meritat e tyre historike si figura të shquara të kombit dhe rolin e tyre madhor në krijimin dhe shpalljen e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar, si finalizim i luftës dhe përpjekjeve të parreshtura të popullit liridashës shqiptar në rrjedhë të historisë". Një shkollë 9 vjeçare dhe një rrugë në qytetin e Korçës mban sot emrin e Pandeli Cales[1].

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b c Kotherja N., Pandeli Cale, jeta e Pandeli Cale, jeta e panjohur e firmëtarit panjohur e firmëtarit të Pavarësisë të Pavarësisë, Shqiptarja.com, Suplementi Rilindasi, Viti II - Nr: 48, fq. 18.
  2. ^ Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: 55, 2012, fq. 96, ISBN 9789994356225
  3. ^ a b Lushaku H., Qeveria e Përkohshme e Vlorës: 4 Dhjetor 1912- 22 Janar 1914: (jetëshkrimet e ministrave), Tiranë: Albpaper, 2013.