Dhimitër Mborja
Dhimitër Mborja Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë | |
---|---|
U lind në | 1884 |
Vdiq | 1945 |
Kombësia | Shqiptar |
Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945) ishte patriot shqiptar dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Jetëshkrimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Personaliteti i shquar i lëvizjes për çlirim kombëtar, atdhetari i dalluar e punëtori i palodhur i çështjes shqiptare, Dhimitër Emanoil, ka lindur në fshatin Mborje të Korçës më 1884. Bashkë me të atin dhe vëllezërit, në moshën 16-vjeçare emigron në Bukuresht. Babai i tij, tregtari Viskë Mborjari, kur u shpërngul nga Mborja, shtëpinë e tij ia dhuroi këtij fshati për shkollë shqipe.
Në mërgim, Dhimitri ndihmon të atin në një restorant të vogël në Bukuresht. Në vitin 1908, krahas librave fillon t'u përkushtohet veprimtarive me karakter patriotik. E shohim anëtar të shoqërisë "Dituria" të Korçës më 1908 e më pas zgjidhet mjaft herë si kryetar i shoqërisë patriotike të shqiptarëve të Bukureshtit.
Nga dokumentacioni i "Bandës së Lirisë" që ndodhet pranë arkivit tonë, mësojmë se Dhimitri ka kontribuar në botimin e dy marsheve me karakter kombëtar "Band e Lirisë" dhe "Kongresi i Dibrës", të hartuar nga profesori i bandës, Paskal Anibali në vitin 1910. Emri i Dhimitër Emanoilit përmendet në dokumentet e mbledhjes së ndihmave.
Boton e shpërndan programin e komitetit të fshehtë "Për lirinë e Shqipërisë", themeluar në Gjirokastër nga Bajram Fehmi Gjirokastra (Bajo Topulli).
Gazeta "Minerva" më 5 nëntor 1912 (që sot ndodhet në Repartin e Koleksioneve Speciale të Bibliotekës së Rumanisë) boton në faqet e saj artikullin "Autonomia e Shqipërisë". Shkruhet aty për mbledhjen e Bukureshtit në hotel "Kontinental" dhe përmendet emri i Dhimitrit si delegat i kolonisë së Bukureshtit në ngjarjen e ngritjes së flamurit. Së bashku me vëllain e tij, Pandeli Emanoil, shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri.
Ditën e shënuar të 28 nëntorit 1912, Dhimitër Mborja firmon aktin e pavarësisë me siglën "Dh Emmanuel" në emër të kolonisë së Bukureshtit. "Pas krijimit të Ministrisë së Financave, ai i dorëzon Luigj Gurakuqit 1000 napolona flori si ndihmë për mëkëmbjen e ekonomisë së shtetit të ri shqiptar.
Gjatë kësaj kohe ai ndihmon me të holla botimet shqipe. Në dhjetor të vitit 1912 bashkë me Dhimitër Zografin, shkon në Brindisi e më pas vjen në Korçë. Më 1914 e shohim bashkë me vëllain e vogël, Nuçi Emanoil, në krah të Themistokli Gërmenjit, pas një kërkese që ky i fundit iu bën vëllezërve Emanoil (Mborja).
Në shkurt të vitit 1915 zgjidhet si këshilltar pranë shoqërisë së "Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit", e cila punonte edhe për të mbajtur një shkollë në gjuhën shqipe.
Rreth vitit 1920, Dhimitri do të lëshonte pa qira godinën e shtëpisë së tij në Korçë si ambient mësimor për Liceun Kombëtar të Korçës.
Më 1924 mbështet Fan Nolin në revolucion e më pas, i detyruar nga presioni i forcave zogiste, zhvendoset nga Korça e për një periudhë kohe nuk kthehet në atdhe. Largohet në Rumani për t'u rikthyer në Shqipëri vite më vonë. Nuk pati simpati për vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe ndiqte me interes lajmet që bashkatdhetarët dhe shtypi i sillnin për zhvillimet në Shqipëri. Vdiq në Bukuresht në vitin 1945. Dhimitër Emanoil ka harxhuar pasuri dhe është persekutuar për çështjen shqiptare si veprimtar i saj.
Më 27 nëntor 1992, me numër dekreti 372, i jepet Dhimitër Emanoilit urdhri "Për veprimtari patriotike" i klasit të parë me motivacionin "Atdhetar i dalluar i lëvizjes kombëtare që ka dhënë një kontribut të madh për forcimin e shtetit të pavarur shqiptar." Titulli iu dorëzua pasardhësve në Korçë dhe e ruan sot Julian Emanoil. Historiografia shqiptare na ka lënë të trashëguar një informacion dokumentar mjaft të cekët për sa i përket figurës së Dhimitër Emanoil Mborjes, mungesë të cilën po përpiqemi sado pak ta mënjanojmë sot me këtë shkrim, modest në krahasim me veprimtarinë e tij të gjerë në shërbim të kombit e atdheut.
Nga vëllezërit Emanoil, në Kuvendin e Vlorës më 1912 ka marrë pjesë edhe Pandeli Emanoil.
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- DELEGATëT E KOLONISë Së BUKURESHTIT Në KUVENDIN E VLORëS, Gazeta Shqip, 23.07.2009