Dhuna seksuale gjatë konfliktit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Dhuna seksuale gjatë konfliktit (DhSK) / Conflict-related sexual violence (CRSV) është një murtajë e vazhdueshme që mbetet e pranishme në shumicën e konflikteve. Gjithnjë e më shumë, ajo është bërë si armë lufte, si një taktikë e një ekstremizmi të dhunshëm.

Dhuna seksuale, qoftë ajo e kryer si krim lufte, krim kundër njerëzimit dhe/ose akt gjenocidi, shpesh është pjesë e një modeli tragjik dhe brutal të akteve kriminale që kryhen gjatë konfliktit të armatosur dhe në kontekst të krimeve masive. Dhuna seksuale nuk prekvetëm me qindra e mijëra gra dhe vajza, por ajo prek dhe viktimizon gjithashtu edhe burrat dhe djemtë. Përveç traumave të skajshme fizike dhe psikologjike që pësojnë të mbijetuarit/dëshmitarët, dhuna seksuale mund të shkaktojë dhe të përkeqësojë edhe përçarjet etnike, sektare dhe përçarje të tjera brenda komunitetit. Kjo mbjell konflikt dhe destabilizim, si dhe minon ndërtimin e paqes dhe përpjekjet për stabilizim. Megjithatë, shumica dërrmuese e të mbijetuarve nuk marrin drejtësi dhe përballen me sfida të konsiderueshme sa i përket qasjes në mbështetje mjekësore, psikologjike dhe ekonomike që është e nevojshme për të ndihmuar ata të rindërtojnë jetën e tyre. Mungesa e përgjegjësisë së atyre që kryejnë krime të dhunës seksuale në konflikt e rëndon mosndëshkimin. Bashkësia ndërkombëtare ka filluar të njohë lidhjet e forta ndërmjet mungesës së llogaridhënies dhe drejtësisë dhe mungesës së pajtimit

Tani, në mbarë botën, është mirë e njohur se dhuna seksuale gjatë konfliktit mund të përbëjë një krim lufte, një krim kundër njerëzimit, ose një akt gjenocidi.

Ky realitet i zymtë nënvizon rëndësinë e veprimit jo vetëm për të parandaluar dhunën seksuale, por edhe për të zbatuar programe të reparacioneve që i shërbejnë të mbijetuarve/ëve, familjeve dhe komuniteteve të tyre, siç përcaktohet në Udhëzimin e SPKB-së.[1]

Numri i viktimave seksuale gjatë konflikteve në botë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nuk ka asnjë përllogaritje të saktë për numrin e grave, vajzave, burrave dhe djemve të përdhunuar apo që kanë përjetuar forma të tjera të dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë.

Pavarësisht numrit të saktë, një numër i mjaftueshëm i rrëfimeve të dhunimit dhe krimeve të tjera të dhunës seksuale janë mbledhur nga organizata joqeveritare vendase dhe të huaja gjatë konfliktit të brendshëm të armatosur, gjatë konfliktit ndërkombëtar të armatosur dhe në periudhën që i pason, sipas të cilës, dhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale kanë qenë sistematike dhe gjithëpërfshirëse.

Raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për gjendjen e sektorit shëndetësor në Kosovë i publikuar në vitin 2000 thotë: “Organizatat vendore vlerësojnë se janë nga 10,000 deri në 20,000 gra të dhunuara në periudhën mes shkurtit 1998 dhe qershorit 1999”.

Një OJQ vendore, Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijëve, gjithashtu vlerëson se së paku 20,000 gra dhe vajza janë dhunuar.[2]

Në disa raporte, gjatë dy dekadave të fundit, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka pranuar se deri në 60 mijë femra ishin sulmuar gjatë luftërave në Ballkan dhe qindra-mijëra gra i ishin nënshtruar dhunës seksuale gjatë konfliktit të gjatë në Republikën Demokratike të Kongos.[3]

Dhuna me bazë gjinore[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dhuna seksuale është rrënjosur tek diskriminimi me bazë gjinore. Bazuar në rolet stereotipike seksuale, dhuna seksuale përdoret për të nënshtruar dhe poshtëruar viktimat që i nënshtrohen kësaj dhune. Damka e lidhur me dhunën seksuale, i ndërlidhur edhe me diskriminimin ekzistues të bazuar në gjini, i ekspozon viktimat ndaj një pafuqie të përjetshme dhe margjinalizimit.

Gjatë konfliktit, dhuna seksuale dhe ajo e bazuar në gjini shpesh është përdorur si një armë lufte. Gratë dhe burrat që mbijetojnë, efektet e menjëhershme të kësaj dhune luftojnë me trauma afatgjate, pasiguri, pafuqi ekonomike dhe sociale, si dhe me sfida të shumta për të fituar drejtësinë dhe një mjet juridik efektiv, si një të drejtë të tyre të pamohueshme. Në situata të tilla, të mbijetuarit e kanë të vështirë, ose janë të penguar, të rilidhen apo vendosin raporte normale me familjet e tyre, miqtë dhe komunitetet.

Raportet e organizatave botërore për dhunën seksuale gjatë konflikteve[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për gratë, paqen dhe sigurinë (GPS), theksojnë domosdoshmërinë për të mbrojtur të gjithë njerëzit që jetojnë në zonat e prekura nga konflikti nga dhuna seksuale dhe për të ofruar mbështetje dhe reparacione për të mbijetuarit/ar. Thirrja për veprim në lidhje me këto rezoluta të Këshillit të Sigurimit është vendosur në Udhëzimin e vitit 2014 të Sekretarit të Përgjithshëm mbi Reparacionet për Dhunën Seksuale gjatë Konflikteve(USP), i cili paraqet rekomandime të forta për zhvillimin e reparacioneve për të mbijetuarat/it. Në raportin e tij të vitit 2016 për GPS në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka kumtuar rastet në të cilat, dispozitat për reparacionet janë përfshirë në marrëveshjet e paqes (Kolumbi, Mali, Mianmar dhe në Sudanin e Jugut), duke nënvizuar se dhuna e përhapur seksuale është një realitet që shkatërron shumë strukturën e shoqërisë në zonat e konfliktit dhe në zonat apo regjionet që kanë dalë nga konflikti. Në të njëjtën kohë, Ban Ki Moon iu referua raportit të tij të atëhershëm mbi dhunën seksuale gjatë konflikteve, duke sjellë në vëmendjen e Këshillit 19 situata shqetësuese dhe një listë prej 48 palëve me dyshimin e bazuar të kenë kryer ose që janë përgjegjës për format e përdhunimit dhe format e tjera të dhunës seksuale në situata të konfliktit të armatosur.[4]

Në vitin 2009, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara unanimisht ka miratuar rezolutën, që e dënon dhunën seksuale në konfliktet ushtarake. Në këtë rezolutë u bëhet thirrje qeverive që në mënyrë më të vendosur të veprojnë për ta eliminuar këtë dukuri.

Duke përkujtuar përvojën e errët nga gjenocidi i Ruandës në vitin 1994, ku gjysmë milioni gra ishin dhunuar, ndërsa autorët nuk ishin dënuar, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e cila e kryesoi takimin e Këshillit të Sigurimit, tha se roli dhe të drejtat e grave janë shndërruar në çështje kryesore të politikës së jashtme.

Ndërkaq, në Kosovë, për nder të kontributit të dhënë të grave në Kosovë, presidentja e atëhershme e vendit, Atifete Jahjaga, dhe kryeministri, Isa Mustafa, kishin inauguruar në vitin 2015, në parkun përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë memorialin ‘Heroinat’, i cili i kushtohet sakrificës dhe kontributit të gjithanshëm të gruas kosovare gjatë luftës së vitit 1998-1999.

Inicuese e këtij memoriali ishte Alma Lama. Gjithashtu, kjo vepër e realizuar artistike, është një vepër nderimi për sakrificën e vajzave që luftuan me armë në dorë dhe ranë dëshmore, por edhe për sakrificën e grave të dhunuara.[5]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Protokol. "Protokolli Ndërkombëtar për Dokumentimin dhe Hetimin e Dhunës Seksuale në Konflikt" (PDF). Protokol Nderkombetar. Marrë më 2018-05-29. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Kallxo. "Agonia e Pafund e Grave të Dhunuara në Luftën e Kosovës" (në anglisht). Kallxo.com. BIRN. Marrë më 29 maj 2010.
  3. ^ OKB. "OKB: KS-ja dënon dhunën seksuale në luftë". Radio Evropa e Lirë. Marrë më 29 maj 2018. {{cite news}}: Lidhje e jashtme në |ref= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ "GUIDANCE NOTE OF THE SECRETARY‐GENERAL: Reparations for Conflict‐Related Sexual Violence". UN Women (në anglisht). UN Women. 1 qershor 2014. Marrë më 30 maj 2018.
  5. ^ Koha. "Monumenti "Heroinat" mirënjohje për gratë, nder për shtetin". Koha. Koha.net. Arkivuar nga origjinali më 24 janar 2020. Marrë më 2018-05-29. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)