Jump to content

Dokumentet e Gjuhes Shqipe

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Dokumentet e para të shqipes së shkruar janë:

  1. Formula e Pagëzimit (1462)
  2. Fjalori i Arnold fon Harfit (1497) dhe
  3. Perikopeja e Ungjillit të Pashkës (fundi i shek. XV - fillimi shek. XVI)

Nën pluhurin e arkivave të Evropës dhe sidomos të atyre të Vatikanit mund të gjenden edhe shumë dokumente të tjera, ndoshta më të plotë e më domethënës.Pas këtyre 3 dokumenteve janë gjetur edhe dokumente të tjera por që kanë qenë disa vite më vonë.

Formula e Pagëzimit (1462)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më i vjetri ndër këta tri dokumente është "Formula e pagëzimit". Ajo i përket vitit 1462 dhe është një fjali e shkurtër në mes të një shkrimi latinisht.

Pjesa e tekstit ku shkruhet në shqip.

Kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, mik e bashkëpunëtor i Skënderbeut (1417-1469), gjatë një vizite në dioqezën e tij, gjeti shumë të meta e mangësi në punët e ushtrimit të fesë, prandaj vendosi të mbajë një kuvend për t'i tejkaluar vështirësitë. Kuvendi u mbajt më 8 nëntor 1462 në kishën e Shën Trinisë së Matit. Nga ky kuvend, Pal Engjëlli përpiloi veprën Rregullat (1462) ku gjendet edhe dëshmia e parë e shqipes së shkruar. Me anë të saj, ndërmjet të tjerash, ai jepte leje që, në ato kohë luftërash kur prindërit nuk kishin mundësi t'i dërgonin fëmijët në kishë, t'i pagëzonin vetë në shtëpi, duke thënë shqip në këtë ceremoni "Formulën e pagëzimit" që është: “Vnte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”. Ky tekst sot do të ishte shkruar: Unë të pagëzonj në emër të atit e të birit e të shpirtit shenjt.

Formula ka rëndësi vetëm për historinë e gjuhës dhe jo për vlerat letrare dhe është shkruar në dialektin e veriut me shkronja latine. Gjuha e tekstit dhe vlerat e përdorimit në shqip të disa shkronjave latine kanë një afri shumë të madhe me veprën e Buzukut, çka të bën të mendosh se shkrimi i shqipes duhet të ketë pasur një traditë më të vjetër, ku janë mbështetur të dy, si shkruesi i kësaj formule ashtu edhe Buzuku. Dokumenti u zbulua në 1915 nga historiani rumun Nikolla Jorga në Bibliotekën Laurentiana të Firencës.

Fjalorthi i Arnold von Harfit (1497)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Faqja ku gjenden fjalët shqipe tek leksiku i Arnold von Harfit.

Arnold von Harfi është autori i dytë që na la dokumentin Fjalorth shqip-gjermanisht të shkruar më 1497.

Arnold von Harfi ishte një kalorës i huaj nga Köln, Gjermani. Më 1496 nisi shtegtimet e gjata për të vizituar vendet e shenjta në Palestinë. Kaloi me anije nëpër detin Adriatik dhe më 1497 u ndal në viset shqiptare si në Ulqin, Durrës e Sazan. Duke i shëtitur këto vende, ra në kontakt me shqiptarët. Nga nevoja për të komunikuar me popullatën vendase, shënoi disa fjalë të gjuhës shqipe, gjithsej 26 fjalë, 8 shprehje dhe 12 numërorë. Për t'i mbajtur mend më mirë, pranë fjalës shqipe shënoi edhe atë gjermane. Në këtë mënyrë përpiloi një fjalor të vogël që ne e quajmë Fjalorth shqip-gjermanisht. Fjalori ra në harresë për një kohë të gjatë. Më 1860 e zbuloi von Grote dhe po atë vit e botoi.

Edhe ky dokument ka rëndësi vetëm për gjuhësinë, vërteton veçoritë e dialektit të veriut nga është vjelur leksiku. Autori për shkrimin e gjuhës shqipe përdor alfabetin latin të tipit gotik.

Boicke- Bukë

Vene- Verë

Oie- Ujë

Mische- Mish

Jat- Djath

Foeie- Vezë

Oitter- Uthull

Poylle- Pulë

Pyske- Peshk

Krup- Kripë

Myr- Mirë

Kycge- Keq

Megarune- Me ngrënë

Pijnë- Me pi

Tauerne- Tavernë

Geneyre- Burrë

Groëa- Grua

Denarye- Para

Sto- Po

Jae- Jo

Criste- Zot

Dreck- Djall

Kijrij- Qiri

Kale- Kalë

Elbe- Elb

Fijet- Me flejt

Mirenestrasse- Mirëmëngjes

Myreprama- Mirëmbrëma

Meretzeën- Mirësevjen

Laf me kmijss- Më laj këmishën

Nea- Një

Dua- Dy

Trij- Tre

Quater- Katër

Pessa- Pesë

Jast- Gjashtë

Statte- Shtatë

Tette- Tetë

Nantë- Nëntë

Dieta- Dhjetë

Nijtgint- Njëqind

Nemijgo- Njëmijë

Udhëtari, përveç listës së fjalëve, shprehjeve e numëroreve, ka lënë edhe disa shënime në ato vende të bregdetit shqiptar ku kaloi. Ndër të tjera ai shkruan se "Ulqini është një qytet shqiptar i bukur e i vogël". Për Shkodrën, megjithëse kaloi nëpër të, ngaqë udhëtimi Ulqin-Durrës, e bëri me det, thotë "se është një qytet i madh i sapo pushtuar nga osmanët". Ishullin e Sazanit e përshkruan "si një liman të mirë deti, ku ka shume anije, në krahun e majtë të të cilit ndodhet një fshat i madh me 2000 vatra, i quajtur Vlorë" etj.

Perikopeja e Ungjillit të Pashkës (fundi i sh. XV-fillimi sh. XVI)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Perikopeja e Ungjillit të Pashkës (fundi i shek. XV-fillimi shek. XVI) është dokumenti i tretë i shqipes së shkruar. Ai i përket fundit të shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI.

Përkthyesi i këtij teksti biblik nuk e ka shënuar as emrin e mbiemrin e vet, as datën se kur e ka përkthyer këtë tekst, prandaj çdo gjë për këto dy komponenta me rëndësi për çdo vepër mbeten në suazat e supozimeve. Është menduar se duhet të ketë qenë një prift grek që ka ditur pak shqip, por Kolë Ashta është i mendimit se ka qenë një shqiptar pse greqishten e shkruan me më shumë gabime se shqipen. Autori ka përkthyer një tekst të shkurtër biblik nga pjesa Ungjilli i Shën Mateut, kaptina XXVI, paragrafet 62-66.

1... ... ... ... ... ... ... ... ... ... ... ... ... ... ... ... ... ... ... ... ...

2... ... ... ... ... ... ... ... ... ... .prej shin Matthe

3. ungjill, anagnosmë: evan(gjel) shintë e Premte e Madhe.

4. e më nesër, që (n)esër, që ishte më të Prempte, u mbë-

5. lodhi e priftëri edhe farisej e thanë Pilati(t):

6. Zot e kujtuam se ai u plan; edhe kur i(sh) engj-

7. allë, tha se pre tre dit përiremi, urdhuro

8. ashtu, nqiellshi Zot t'u mbilletë varri mos pikej

9. e vinëj natë(n) ai avtu mathitai e vjedhin

10. ata pra thonë lausit se u ngre se vdekuri

11. e është ma kejq se prapa e kejqe se para.

12. Pra tha Pilati: kejni kustodhi prinin mbi-

13. llë(ni) varrënë si e pat e sfragjiseni gur me të

14 gjithë kustodhie. Shum vjetë, zoti nun.

Dokumenti ka vlerë gjuhësore pse është përkthimi i parë në dialektin e toskërishtës dhe autori ka përdorur alfabetin grek për përkthimin e saj. Këto fakte tregojnë se gjuha shqipe në atë kohë duhet të ketë qenë shkruar jo vetëm në Shqipërinë e Veriut, por edhe në Shqipërinë e Jugut. Dokumentin e gjeti Spiridon Lambrosi në Bibliotekën e Milanos më 1906.

Po para këtyre tri dokumenteve a ka qenë e shkruar gjuha shqipe?

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kjo është një pyetje që deri më sot nuk ka gjetur përgjigje të plotë. Shumë të dhëna na bëjnë të mendojmë se shqipja duhet të ketë qenë shkruar edhe me parë. Ndër të tjera dëshmitë e para të gjuhës së folur shqipe i ndeshim në një dokument latinisht të Raguzës (Dubrovnikut), më 14 korrik 1285. Aty lexojmë: Avudivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca. "Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën shqipe".

Në vitin 1308, gjatë udhëtimit nëpër Ballkan, një autor anonim, një ithtar frëng i urdhërit fetar dominikan, në përshkrimin që jep për vendet dhe popujt e Europës Lindore, ndër të tjera shkruan: "Këtu shqiptarët e lartpërmendur kanë një gjuhë të dalluar prej latinëve, grekëve e sllavëve; kështu që nuk merren vesh fare me popujt e tjerë"

Ndërsa arqipeshkvi francez i Tivarit, i njohur me emrin Brokard, që ka shëtitur shumë vende të Evropës dhe të Azisë, në një relacion latinisht të vitit 1332 shkruante se: "Sado që shqiptarët kanë një gjuhe fare të ndryshme nga gjuha latine, prapë ata kanë në përdorim edhe në tërë librat e tyre shkronjën latine". Ky fakt të bën të mendosh se shqipja duhet të ketë qenë shkruar të paktën që në shekullin XIV. Por kjo deri me sot nuk është e dokumentuar. [[https://web.archive.org/web/20200928225016/https://prosvetnodelo.com.mk/CMS/Upload/Uchebnici/new04/Albanski%20jazik%20i%20literatura%20za%20I%20godina.pdf Arkivuar 28 shtator 2020 tek Wayback Machine]] [[1]] [[2]]