Tolerimi
Tolerimi është durimi i dikujt përkundër dallimeve të theksuara në bindje, qëndrime, sjellje dhe në mënyrën e jetesës, vizionet për të ardhmen, besimet fetare, politike, ideologjike, dhe faktorë të tjerë.
Tolerimi mundëson bashkëjetesën në një vend të grupeve që kanë dallime etnike, racore, kulturore, apo ndonjë lloj pluralizimi tjetër. Tolerimi nuk nënkupton vetëm durimin, por edhe pranimin e tjetrit, madje edhe bashkëveprimin aktiv, bashkëjetesën, ndihmën reciproke, solidaritetin, përkrahjen, festimin e përbashkët ose urimet për festa, respektimin e dokeve, zakoneve, vendeve të shenjta, dhe simboleve. Tolerimi ndaj dallimeve ose pranimi i diversitetit është njëra ndër shtyllat kryesore të demokracisë. Njerëzit, edhe kur i takojnë të njëjtit grup shoqëror, kanë dallime në mendime, shprehi, stil jetese, bindje politike, shije etj., prandaj për të funksionuar mirë grupi, nevojitet edhe një tolerancë ndërmjet atyre që mendojnë ose sillen ndryshe. Kufijtë e tolerancës janë të ngjashëm me kufijtë e lirisë: ata fillojne aty ku ruhet dinjiteti dhe e drejta jote personale dhe shtrihen deri aty ku ruhet dinjiteti dhe e drejta e tjetrit.