Jump to content

Edipi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Epidi)

Edipi (greqisht: Οἰδίπους, Latin: Oedipus) - i biri i Lait, mbretit të Tebës dhe gruas së tij Jokastës, njëri prej heronjve më tragjik të miteve greke.

Njeriu i ditëve tona e njeh Edipin, para së gjithash, si hero të dy tragjedive të Sofokliut, dhe poqëse për së afërmi e njeh historinë e letërsisë ateherë e njeh edhe nga tragjeditë e Racinit (Rasinit), Voltaireit (Volterit) dhe ndoshta edhe nga ato të Hofmannstalit (Hofmanshtalit), Megjithatë, Edipi është figurë mitologjike, se paku për nga origjina e tij. Sofokliu e ka paraqitur në bazë të materialit të miteve të vjetra tebane me atë mjeshtri sa që e ngriti në njërën prej figurave më të mëdha të krijimtarisë të letërsisë dramaturgjike. I tillë, çfarë e ka koncipuar Sofokliu, ai jeton edhe sot. Fati i jashtëzakonshëm na përkujton aq bindshëm paqëndrueshmërinë anonime të fatit të njeriut sa që na kaplon ankthi. Por edhe na tmeron fakti, që dëshmon se njeriu nuk mund ta mënjanoj fatin e vet - deri sa na lehtëson bindja, që në fund të fundit fatit edhe të mos i besojmë.

Fatin e Edipit e ka përcaktuar mallkimi i tmerrshëm, të cilin e ka shkaktuar ndaj vetvetes i ati i tij, Lai, duke e rrëmbyer Krisipin e ri, djalin e Pelopsit, mbretit të Elidës. Ky mallkim është dashur ta ndjekë farefisin e Lait deri në brezin e tretë, kurse viktimë e parë e tij është dashur te jetë, Lai, i cili është dashur të vritet nga duart e djalit të vet. Kur një kohë të gjatë pas kësaj i lindi Lait djali, urdhëroi që ta hedhin në mal në rrëzë të Kiteronit dhe që të mos u ikte bishave te egra ia gjymtoi këmbët dhe ia lidhi me rrypa. Mirëpo, skllavit i cili e çoi djalin në mal iu dhimtë dhe, në vend që ta lërë në mëshirën e bishave të Kiteronit, ia besoi bariut të cilin befas e ndeshi në pyll që të kujdeset për të. Bariu e sjell djalin te patroni i vet Polibi, mbreti i Korintit, i cili nuk ka pasur trashëgimtar. Polibi e adoptoi dhe për shkak të këmbëve të tija të ajura e quajti Edip (që në përkthim do të thotë "këmbët e ajura") dhe e edukoi me ndihmën e bashkëshortes së vet, Meropës, siç i ka hije trashëgimtarit të fronit Edipi kuptohet Polibin dhe Meropin i konsideronte prindër të vet. Çdo gjë ishte në rregull deri sa njëri i ri korintas, i dehur, nuk e quajti kopil. Edipi këtë ua tregoi Polibit dhe Meropës dhe në saje të hutisë së tyre kuptoi se diç janë duke fshehur prej tij. Kur prej tyre në pyetje direkte nuk mësoi asgjë për së afërmi që kishte për ta kënaqur, u nis për në Delfe që në orakullin e atjeshëm të mësojë se clia është e vërteta. Mirëpo, Pitia për të kaluarën e tij nuk i tha asgjë, por megjithatë, ia paralajmëroi ardhmërinë : kinëse do ta vrasë babën e vet, do të martohet me nënën e vet me të cilën do të ketë djem që do të vriten për shkak të mallkimit të tij.

Kjo profeci Edipin e kishte prekur thellë. Kur erdhi pak në vete, vendosi që të ndërmarrë çdo gjë që ta pengojë realizimin e saj. Emrat e prindërve të tij, në të vërtetë, Pitia nuk ia zbulojë - por ç'duhet bërë, poqese këta janë Polibi dhe Meropa ? Do të thotë se te ata më nuk do të guxojë të kthehet dhe kështu nga trashëgimtari i fronit duhet bërë endacaik pa atdhe. Mirëpo, a mundet njeriu ta zgjedhë rrugën tjetër përpos asaj që fati ia ka përcaktuar ?

Andaj Edipi nuk kthehet në Kornit, por niset për në Tebë. Në shpatijet e Parnasit, në grykën e ngushtë, e ndeshi një karrocë, në të cilën gjendej një plak. Edipi u largua nga rruga, por drejtuesi i qerres nuk u kënaq me kaq. Në mënyrë të vrazhdë i bërtiti që të hyjë në kanalin bri rrugës dhe për ta përforcuar urdhrin e vet ia mëshoi Edipit me kamxhik. Edipi ia ktheu me goditje dhe, duke menduar se puna mori fund me kaq, dëshiroi të vazhdojë rrugën. Në at çast plaku kërceu në këmbë dhe e goditi me shkop. Kjo Edipin e zemëroi dhe përkundër respektit ndaj plakut të thinjur, ia ktheu dyfish. Goditja ishte aq e fuqishme sa që plaku mbet i vdekur në vend. Përcjellësit e plakut, të cilët u vërsulën në Edipin, ai i mundi dhe pas një beteje të shkurtër i vrau. Shpëtoi vetëm një skllav i cili iku menjëherë posa filloi përleshja. Pjesa e parë e profecisë u plotësua: plaku i panjohur, të cilin Edipi e vrau, ishte i ati i tij, Lai.

Rruga nga e cila për Lain nuk kishte më kthim, mbretërisë së tij i solli shpëtim. Në malin Sfing, afër Tebës, ishte strukur Sfinga e përbindëishve, fantazmë me krihë, me trup luani dhe me kokë femre, e cila i vriste njerëzit. Secili që kalonte aty pranë i bënte pytje, dhe kur nuk përgjigjej e coptonte me kthetra të mprehta. Lai dëshironte t'i bëtne pyetje orakullit të Delfit se si e shptëojë qytetin e vet prej Sfingës. Në vend të përgjegjës në këtë pytje kthehet skllavi i ikur me lajmin e vrasjes së tij.

Kur Edipi arriti në Tebë, qytetin e kishte kapluar pikëllimi i dyfishtë. Duke mos pasur se çka të humbasë përveç jetës së vet të mjerë, Edipi u nis për te Sfinga dhe e pyti se çfarë është ajo enigmë. Ajo, për t'u habitur ishte e lehtë dhe thoshte : "Kush në mengjez ec me katër, në mesditë me dy dhe në mbrëmje me tri këmbë, dhe kur ec me dy është më i shkathtë dhe më i fuqishëm se sa kur ec me katër ose me tri këmbë", Edipi i përgjegji pa u menduar gjatë : "Njeriu ! Në agim të jetës së vet rrëshqet i ngathët me katër këmbë, në mesditë, në moshë të pjekurisë së vet burrërore ec me dy këmbë, ndërsa në muzgun e jetës së vet, për shkak të plogështisë mbështetet në shkop si këmbë të tretë !"

Sfinga atëherë i rreh krihtë dhe përplaset nga shkëmbi në det : fati ia kishte përcaktuar që kur dikush ta zgjidhë enigmën e saj ajo do të vritet pikërisht në këtë mënyrë. Tebanët mirënjohës e zgjodhën Edipin mbret të tyre, ndërsa Kreonti, kunati i Lait, vullnetarisht ia dorëzoi pushtetin, sepse pas vdekjes së mbretit deklaroi se mbret duhet të behet njeriu i cili e shpëton qytetin prej Sfinge. Edipi tani ishte i bindur se ishte shmangur fatit: u vendos në pallatin mbre tëror, dhe duke mos marrë me mend se aty kishte lindur, u martua me Jokastën, vejushën e Lait, për të cilën as që ka mundur të mendojë se është e ëma e tij.

Çdo gjë u realizua siç kishte thënë profecia: u bë babë i dy vajzave, Antigonës dhe Izmenës dhe i dy djemëve, Eteoiklit dhe Polinikut. Asgjë nuk i mungonte që të jetë plotësiht i kënaqur - dhe që të plotësohet fati i tij. Tebën e përfshiu papritmas katastrofa e tmerrshme: zoti Apollon lëshoi murtajën në qytet. Burrat, gratë dhe fëmijët vdisnin, kafshët ngordhnin, mbizotëroi uria, sepse toka e papunuar nuk sillte fryte. Kur Tebës i kanosej rreziku se do të shndërrohej në varrezë të madhe, Edipi vendosi ta dërgojë Kreontin, vëllaun e Jokastës, në Delfe, që atje të pyesë se si të sbpëtojë qyteti nga kjo disfatë. Pitia e jep përgjegjen e saktë: Teba do të shpëtojë kur qytetarët nga mesi i tyre e ndjekin njeriun i cili e ka vrarë mbretin Lai dhe me praninë e vet e ka sjellë në qytet dënimin e zotit.

Tani është dashur të gjendet vrasësi i Lait. Kjo ishte detyrë e rëndë: kjo ka ndodhur para shumë vditeve, koha i kishte shlyer gjurmët, kurse dëshmitar i vrasjes ishte vetëm skllavi. Edipi, prandaj, i ftoi të gjithë qytetarët në ndihmë për ta gjetur dhe dënuar vrasësin edhe nëse fshihet kudo që mundet dhe kushdo që të jetë ai. Nga turrma e mbledhur u ndëgjua një zë, se ndoshta do të ishte më mirë të pyet fallxhiu Tirezi, i cili, ndonëse i verbër, sheh më mirë se të gjithë. Edipi urdhëroi që ta sjellin dhe kur fallxhiu erdhi, kërkoi që t'i tregojë se kush e ka mbytur Lain. Tireziu refuzonte që të përgjigjet : ai e di se kush është vrasës, por nuk guxon ta tregojë. Edipi e luste, pastaj i kërcnohej por fallxhiu mbet i paluhatshëm. Më në fund Tireziu iu nënshtrua kërkesës së popullit dhe kërcnimeve të Edipit : "Ti je, o Edip, ai që e ke vrarë babën tënd ! E ke bërë këtë duke mos e ditur, sikurse qe je bërë, duke mos e ditur burrë i nënës sate !"

Fjalët e fallxhiut e tërbuan Edipin. Nuk mundi ndryshe t'i shpjegojë pasi në këtë e kishte shtyrë Kreonti me qëllim që vetes ti'a përgatisë terrenin për të marrë pushtetin në Tebë. Tireziun, i cili kurrë nuk ka treguar gjë tjetër perveç të vertetës, e quajti gënjeshtar të korruptuar. Mirëpo, Tireziu iu përgjegj i qetë : "Dhe dije, edhe pse në Tebë ke ardhur si i huaj, në këtë qytet ke lindur. I verbët je me gjithë të dy sytë të cilët së shpejti do t'i humbësh, me ta edhe pasurinë dhe pushtetin tënd, kurse prej mbretit do të shndërrohesh në mërgimtar !"

Vetëbesimi i Tireziut e shqetësoi Edipin. Prandaj e thiri gruan e vet, e përsëriti para saj atë që i tha fallëxhiu dhe kërkoi që t'i përgjigjet a ka pasur Lai djalë, i cili ndoshta, ka qenë i rritur diku gjetiu, nga pastaj është kthyer në Tebë, siç po thotë fallxhiu. Jokasta ia tha të vërtetën : Po, ka pasur me Lain djalin, por ai, duke iu frikësuar profecisë e çoi në mal, ku edhe vritet. Skllavi i cili e ka plotësuar urdhërin e Lait ende është gjallë dhe mund ta dëshmojë vdekjen e djalit të Lait. Le të urdhërojë Edipi që këtë ta sjellin dhe ai do t'i sqarojë të gjitha dyshimet.

Nevoja që diçka të provohet është dëshmi e mossigurisë, mirëpo, Edipi, megijthatë, urdhëroi që ta sjellin skllavin. Posa skllëvet shkuan, në pallatin e tij u paraqit kasneci nga Korinti dhe e lajmëroi për vdekjen e mbretit Polib. Pikëllimi në zemrën e Edipit u përzie me gëzim : nuk ishte vrasës, pra, i babait të vet ! Iu kishte shmangur fatit ! Edhe fallet e tjera do të tregohen si të pavërteta !

Ky ishe çasti i fundit i lumtur në jetën e Edipit. Sepse kasneci vazhdoi : se është duke ia sjellë poashtu nga Korinti ftesën ku duhej të trashëgojë mbretin Polib dhe për t'ia hequr frikën e profecisë, sipas së cilës gjoja se do të martohej me nënën e vet, e lajmëroi se nuk është djalë i Polibit dhe i Meropës, por ështe djalë i adoptuar, të cilin ai vetë e kishte pranuar në pyllin e Kiteronit, nga skllavi i mbretit Lai dhe ia dorëzon Polibit. Jokasta menjëherë i kuptoi të gjitha. E dëshpëruar, bërtet dhe ik në odën e vet dhe bën vetëvrasje. Edipi nga ky grusht i papritur ende nuk mundi të vijë në vete dhe e goditi tjetri. Skllavi të cilin e kishin sjellë pas ngurimit të gjatë pranoi se e ka kryer vendimin e Lait dhe se foshnjën e vërtetë ia ka dorëzuar bariut të mbretit Polib. Vetë poashtu ishte dëshmitar i rastit të pafat kur Edipi padashur e vret mbretin Lai dhe i vetmi prej të gjithe përcjellësve të mbretit që atëherë kishte shpëtuar... Edipi i dëshpëruar turret në odën e Jokastës dhe atje e gjen gruan dhe nënën e vet tani më të vdekur. E këputë pullën nga fustani i saj dhe me gjilpërë i shpon sytë e vet. Nuk deshti më që të shohë shkëlqimin e diellit, i cili ia ndriçonte greminën e errët të rënies së vet, nuk dëshironte më që t'i shohë fëmijët e vet dhe as vendlindjen e vet, Tebën. Në luftë me fatin ka humbur çdo gjë dhe pastaj e ka braktisur edhe shpresën.

Populli i Tebës e çfaqi thellë pikëllimin për tragjedinë e Edipit, por jo gjatë. Njerëzit, të cilët deri para pak kohe e nderonin Edipin për shkak të urtisë, drejtësisë dhe meritave të tij për qytetin e vet, kërkuan që ta braktisë Tebën. E mbronte vetëm Kreonti dhe i ofronte strehimin në pallatin e vet. Por, më në fund, edhe ai lëshoi pe para presionit, kur kundër Edipit u vërsulën edhe djemt e tij, Eteokli dhe Poliniku për të ardhur në pushtet. Prandaj e ndau pushtetin me ta, ndërsa Edipin si "profanues të atdheut" e çoi në mërgim.

I verbër dhe i ngathtë nën grushtat e fatit dhe të mosmirënjohjes së njerëzve, Edipi bie në greminën e shkarëzimit - i mbeti vetëm jeta e mallkuar. Gjatë ka bredhur me bijën e vet, Antigonën, e cila vullnetarisht e përcillte në mërgim nëpër male dhe pyje. Njerëzit e mënjanonin, ndërsa qytetet ia mbyllnin dyert. Më në fund, arrin në Kolon jo larg Athinës dhe, sipas zakonit të vet, me Antigonën u strehua në pyll, jashtë vendbanimeve të njerëzve. Këtu prej fshatarëve mësoi se gjendet në zabelin e shenjtë të Eumenideve, hyjneshat dashamirëse të hakmarrjes. Këtë lajm e pranoi me lehtësi, sepse e dinte që nga ky vend e kishte të caktuar të ndahej nga kjo jetë, siç ia ka pas paralajmeruar dikur Apolloni në Delfe. Mirëpo, iu kujtuan edhe f jalët e tjera të Apollonit : ai që i ofron strehim dhe ngushllimin e fundit do të shpërblehet mirë. Andaj i luti fshatarët që të shkojnë në Athinë dhe t'ia sjellin mbretin e tyre Tezeun.

Por para Tezeut, në Kolon arriti e bija e vogëi e Edipit, Izmena me lajmin se në mes të vëllazërve të saj ka shpërthyer mosmarrëveshja dhe beteja për jetë ose vdekje : Eteokli i bashikohet Kreontit dhe e ndjekin Polinikun, i cili pastaj u bashkëngjitet argeasve dhe e sjell ushtrinë e madhe para mureve të Tebës. Kreonti dhe Poliniku orvateshin që Edipin ta përfitojnë në anën e tyre, sepse sipas profecisë se Delfit, betejën për Tebë do të fitojë ai, në anën e të cilit do të jetë Edipi. Mirëpo, më kot kanë ardhur në Kolon dhe me kot e lutnin dhe i kërcnoheshin. Mbreti Teze e merr në mbrojtje dhe e shpëton prej brutalitetit të tyre. Ndërsa Edipi, më në fund, i mallkon të dy djemt e vet me mallkim të tmerrshëm - që të vriten në betejën në mes vetes.

Kur Edipi e shpreh mallkimin e vet, u ndie bubullima e rrufesë. Ishte kjo shenjë e të dërguarit suprem të fatit, Zeusit olimpik, që Edipi mund të zbresë në perandorinë e hijeve. Andaj u fal me Antigonën dhe Izmenën dhe e thërret Tezeun. Prej tij e mori premitimin se do të kujdeset për bijat e tij, prandaj i zbuloi vendin e pushimit të tij të fundit, i cili Athinën do ta mbrojë më mirë se sa mburojat dhe muret. Atëherë Edipi pa marrë frymë ndahet nga bota dhe shkoi në mbretërinë e zymtë të Hadit, pas dyerve të të cilit mbaron jeta e njeriut të vdekshëm dhe fati i tij.

Asnjë vepër e letërsisë dramaturgjike të antikës nuk ka lënë aq gjurmë të thella në historinë e dramës evropiane sikurse Mbreti Edip. Kjo është vepër madhështore, të cilës asnjëra nuk mund t'i afrohet për nga thjeshtësia dhe madhësia, karakterizimi i figurave të saj, ngjeshja dhe dinamika e ngjarjes : vepër të cilën me ëndje të njëjtë e shikojnë në skenën e teatrit si edhe në ekranin televiziv, përpunimin radiofonik ose kur e lexojmë, pikërisht ashtu siç e kanë përjetuar shikuesit para dy mijë vjetësh. Sofokliu e ka krijuar në kohën në mes viteve 429 - 425. para e.s. Temës së Edipit i kthehet më vonë, në veprën po aq të famshme, Edipi në Kolon, egzekutimin e së cilës nuk e ka parë (ka vdekur në vitin 406 para e.s.). Para tij motivet nga miti mbi Edipin i përpunoi Homeri në Iliadën dhe Odisenë (Jokasta te ky quhet Epikasta), pastaj autori i panjohur i Oidipodesë, të parit prej tre epeve (ose më tepër) të mëdha, të ashtuquajturit cikël teben, pastaj Eskili ne tragjedinë Lai dhe Edipi, të cilat për fat të keq nuk janë ruajtur. Prej autorëve romakë tragjedinë e Edipit e ka shkruar Seneka (dhe në ditët e rinisë Jul Cezari).

Sikurse edhe shumë figura të tjera të tragjedive të Sofokliuit (Antigona, Elektra) edhe Edipi ka shërbyer si prototip në përpunimet dhe adaptimet e shumta nga autorët e kohërave më të reja. Ndër më të njohurat në letërsinë franceze është Edipi i Corneilleut (Korneit) dhe i Volterit, në atë gjermane Edipi dhe Sfinga e Hugo von Hofmannsthalit (Hugo fon Hofmanshtallit), në atë angleze Edipi tiran e P. B. Shellit, në ate ruse Edipi në Athinë e Ozerovit. Në kohërat më të reja tregimin mbi Edipin e ka përpunuar A. Robbe-Grillet në vepren e tij Gume, ndërsa në film ai i Pier Paolo Passolini (Pjer Paolo Pasolini) Mbreti Edip. Fati i Edipit i ka frymëzuar edhe kompozitorët e dalluar. Rikard Shtrausi e komponon operën Edipi dhe Sfinga sipas tekstit të Hofmanshtalit, Igor Stravinski (1927) operën-oratorium Mbreti Edip sipas libretos së Jean Qocteauut (Zhan Koktosë), ndërsa George Enescu operën Edipi (1936). Nga veprat e artit figurativ të antikës duhet që në vend të parë të përmenden dyzet piktura në vazat Edipi dhe Sfinga, prej të cilave tri më të lashtat (me siguri nga fillimi i shek. VI para e.s.) gjenden në Muzeun e Izraelit në Jerusalem, në Muzeun e Arteve të Bukura ne Boston dhe në Muzeun Historiik në Frankfurt. Freska të mëdha me pamjet e Përjetimeve të Edipit nga fillimi i e.s. janë gjetur në gërmadhat e Hermopolit antik në Nil (sot gjenden në Muzeun Egjiptian në Kairo). Prej veprave të piktorëve duhet të përmendur së paku dy me të njohurat nga shekulli i kaluar: pikturën e madhe Edipi dhe Sfinga të vitit 1808, të J. A. D. Ingresit (sot gjendet në Galerinë Kombëtare në Londer) dhe pikturën me të njëjtin emër të Gustav Moreaut (Gustav Morout) dhe që sot gjendet në Muzeun Metropolitan në Nju Jork.

Mbi Mbretin Edip të Sofokliut ekziston një literaturë e tërë. Madhësia e kësaj vepre i shpie sidomos në shek. XVIII dhe XIX historianët e artit deri te gjeneralizimi pak i tepruar : pasi që kjo është "tragjedia e fatit", shpesh tragjedinë antike të gjithmbarshme e, kanë shpallur për "tragjedi të fatit", duke e konfrontuar me "tragjedinë e karaktereve" të Shekspirit. Në të vërtetë autorët antikë relativisht rrallë e kanë trajtuar problemin e fatit; tek e fundit ky problem, ndërkaq nuk është i theksuar veçmas as në veprat e tjera të Sofokliut. Edhe përfundimet se kinse thelbi i tragjediisë së Sofoikliut është problem i dashurisë jo të natyrshme të djalit ndaj nënës, janë të tepruara. Edipi, tek e fundit, nuk e ka ditur se Jokasta është e ëma e tij, ndërsa i ashtuquajturi "Kompleksi i Edipit" është vetëm njëra prej kategorive të reja të psikologjisë moderne, përkatësisht të psikiatrisë.