Etnokoreografi (I) 1965-1979
Etnokoreografi (I) 1965-1979 Autori: Ramazan Bogdani. Botuesi: Toena. Faqet e librit 744.
Vëllimi Etnokoreografi I, përfshin lëndën e pasqyruar në një hapësirë 15- vjeçare (1965-1979). Në të shqyrtohen 34 artikuj të mëvetësishëm, si edhe dhjetëra të tjerë në varësi të tyre për nga problematika, por të veçantë për nga specifika. Në këtë libër gërshetohet problematika e koreografisë popullore me atë të artit të kultivuar.
Gjatë një periudhe 42-vjeçare (1965-2007, duke u përfshirë këtu edhe puna e pandërprerë gjatë daljes në pension pas vitit 2004), autori ka shkruar mbi 300 artikuj shkencorë dhe popullarizues nga fusha e koreografisë popullore shqiptare. Lënda në këtë vëllim vjen nga dy drejtime kryesore: së pari, nga artikuj të botuar më parë; së dyti, nga artikuj që shohin dritën e botimit për herë të parë.
Pas realizimit të 12 vëllimeve:
Të njohim vallet tona (1976),
Folklori koreografik i Hasit (1977),
Në truallin e valles popullore (1978),
Shpirti i popullit në valle (1978),
Gjurmime koreografike (1995),
Vallet e Lunxhërisë (1995),
Letërsi folklorike (1996, me bashkautor A. Xhagolli),
Vallëzimi popullor shqiptar-lirika (1997),
Koreografi & art i kultivuar (1998),
Visare Etnokoreografike (2003),
Etnokoreografi kosovare hasjane (2005)
dhe Identitet kulturor-monografi për Kërçovën,Maqedoni
(në proces botimi, me bashkautor A. Xhagolli), autori paraqitet me Kolanë e Botimeve Etnokoreografike.
Kjo kolanë, që do përmbledhë artikuj të përzgjedhur, të botuar ose jo më parë, çelet me Etnokoreografi I, që shënon edhe botimin e 13-të. Lënda vjen nga fusha e koreografisë popullore. Arti koreografik i kultivuar ka qenë, gjithashtu, objekt i një veprimtarie të gjerë krijuese e botuese.