Fakulteti i Studimeve Islame (Prishtinё)
Fakulteti i Studimeve Islame ёshtё njё istitucion i arsimit tё lartё i cili ndodhet nё kryeqendrёn e Kosovёs, nё Prishtinё.[1]
Historiku
Duke parë nevojën e madhe për shkollimin e kuadrove me kualifikim superior islam, Kuvendi i Bashkësisë Islame të Republikёs sё Kosovës, pas përgatitjeve të duhura të ekspertëve të fushave të ndryshme, me vendim të posaçëm Nr. 443/92 themeloi Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, i cili filloi punën në dhjetor të vitit 1992. Dekan i Fakultetit të Studimeve Islame u zgjodh Dr. Rexhep Boja, prodekan Mr. Qemajl Morina kurse sekretar Sabri Bajgora.
Ligjëratën e parë nga lënda e Apologjetikës Islame (Akaidi) e ka mbajtur doajeni i publicistikës islame në Kosovë H. Sherif Ahmeti, i cili për tri vjet me radhë ligjëroi lëndën e Akaidit.
Në ditët e fillimit, kuadri i FSI-së natyrisht që ishte modest me teologë të paktë që posedonin grada e tituj shkencorë. Kishte vetëm një doktor shkencash, një magjistër dhe disa teologë të tjerë të aftë, të cilëve nuk u mungonte dija, vullneti dhe entuziazmi për ta shpënë përpara këtë amanet të madh. Dhe, me kalimin e viteve të vështira të mbijetesës, nëpër të cilat kaloi arsimi shqiptar si dhe krejt populli i Kosovës, edhe Fakulteti i Studimeve Islame mbijetoi, madje dita–ditës duke e pasuruar kuadrin profesional, dhe në vitin 2002 kur u festua 10 vjetori e rritës së Fakultetit të Studimeve Islame, kishte 4 doktorë shkencash islame, 5 magjistra, dhe 6 ligjërues - teologë, të cilët në këtë vit dhe në vitet vijuese fituan titujё shkencorë në metropolet e ndryshme islame si në Kajro, Bejrut, Aman, Damask, etj.
Misioni
Fakulteti i Studimeve Islame është institucion i pavarur edukativo-arsimor dhe hulumtues-shkencor, i cili organizon studime universitare për studentët, me ambicie reale edhe për studime pasuniversitare deri në doktoraturë. Ai ka për mision arsimimin, edukimin dhe përgatitjen e kuadrove profesionale e shkencore për nevojat e Bashkësisë Islame dhe të shoqërisë kosovare në tërësi, po edhe më gjerë, në frymën e parimeve shkencore dhe të vlerave bashkëkohore nga fusha e islamistikës. Punën pedagogjike, shkencore dhe hulumtuese Fakulteti i Studimeve Islame synon të kryejë dhe të zhvillojë sipas standardeve evropiane të përcaktuara me Deklaratën e Bolonjës.
Qёllimet
- të sigurojë kushte për arsimimin e kuadrove shkencore-mësimore;
- të zhvillojë kushtet për hartimin e literaturës shkencore mësimore për nevojat e mësimit;
- të zhvillojë kushte për mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore;
- t’u ofrojë shërbime profesionale e shkencore organeve dhe institucioneve të Bashkësisë Islame dhe institucioneve të tjera;
- të zhvillojë bashkëpunim me fakultetet simotra teologjike dhe me institucione e me asociacione të tjera shkencore-arsimore në vend dhe jashtë.
Studentёt
Studentët vijnë nga të gjitha trojet shqiptare, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës. Studentët e FSI-së kanë Shoqatën e tyre studentore, e cila merret me aktivitete të ndryshme, duke organizuar shumë shpesh tribuna shkencore me profesorë të FSI-së dhe të jashtëm. Studentët e FSI-së nxjerrin edhe një revistën e tyre me titull “Zgjimi Islam”.
Në kuadër të FSI-së funksionon edhe biblioteka me disa qindra dorëshkrime të vjetra dhe disa mija tituj fetarë, të cilat vazhdimisht janë në shërbim të ngritjes intelektuale të studentëve. Fakulteti i Studimeve islame është garancia më e mirë për një të ardhme më të ndritshme të Islamit në Kosovë dhe më gjerë. Me aftësitë e përfituara profesionale, të diplomuarit nga FSI-ja mund të kyçen në të gjitha mekanizmat fetare-profesionale, dhe administrativo-juridike në kuadër të BI-së. Prej studentëve të diplomuar tani kemi edhe magjistra, të cilët mësimet i vazhduan në Damask, Kajro, Prishtinë etj.[2]
Shih edhe
Lidhje tё jashtme
Referime
- ^ Rexhep Elezaj:FAKULTETI I STUDIMEVE ISLAME, VATËR E PASHUAR E DIJES DHE KULTURËS FETARE, 15 mars 2003, Trepca.net, Vizituar mё 3.04.2017
- ^ Historiku i Fakultetit tё Studimeve Islame Zgjimi islam, nr. 12, Prishtinё, 2012. fq. 4 - 5