Faruk Tasholli
Faruk Tasholli lindi në Gadime të Rrafshit të Kosovës më 1958. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Ferizaj. Fakultetin Filologjik, Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe e përfundoi në Prishtinë, ku ndoqi edhe studimet pasuniversitare. Krahas studimeve, që nga viti 1980 ishte gazetar dhe për disa vite me radhë redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën e studentëve "Bota e re" të Prishtinës. Nga viti 1988 kaloi në Redaksinë e Programit Kulturor të Radio Prishtinës, ku punoi deri më 5 korrik 1990, ditën kur forcat policore serbe mbyllën Radiotelevizionin e Prishtinës në gjuhën shqipe. Pastaj bashkëpunoi me gazetat e përkohshme në Kosovë si, "Fjala", "Zëri" e "Kosovarja", kurse më 1994 emigroi në Gjermani. Prej atje vazhdoi bashkëpunimin me Programin satelitor të Radiotelevizionit Shqiptar në Tiranë, pastaj u angazhua në organet e shtypit shqiptar në emigracion si "Ora", "Bota sot" dhe "Fakti", duke vazhduar të punojë një kohë edhe në Radion shtetërore gjermane "Deutsche Welle", programi në gjuhën shqipe në Këln. Deri tash ka botuar librat e poezisë për fëmijë "Mos u rrit pa mua" (1978), Ferizaj, "Rosat mësojnë patinazh" (1990) si dhe për të rritur "Drita të largëta" (1984) dhe "Tjerr fusharaku" (1988) në Ndërmarrjen Botuese "Rilindja", Prishtinë. Gjithashtu, ka shkruar vargjet për qindra këngë, shumica e të cilave janë bërë hite në njëzet vitet e fundit. Aktualisht jeton në Ahen të Gjermanisë.