Jump to content

Filantropinumi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shkolla Filantropinum në Desau

Filantropinumi (Nga greqishtja: φιλος = shok, mik dhe ανθροπος = njeri) ishte një shkollë reformiste dhe progresive në Dessau, Gjermani e cila veproi nga viti 1774 deri më 1793. Veprimtaria e saj bazohej në parimet e filantropinizmit, një lëvizje edukative e arsimore e cila fillimisht u paraqit në Gjermani gjatë epokës së iluminizmit ndërsa më vonë u zgjerua edhe në vende tjera.

Qëllimi i themelimit të Shkollës “Filantropinum,” në Desau, mes tjerash ishte edukimi i njeriut të ri dhe në të njëjtën kohë reformimi i shoqërisë. Duhet theksuar se pikëpamjet pedagogjike të Bazedovit ishin nën ndikimin e teorive mbi arsimin të pedagogëve të shquar të kohës si, Xhon Lloku (John Locke), Zhan Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau) dhe Jan Amos Komenski (John Amos Comenius), e pjësërisht edhe të mendimeve mbi edukimin të juristit francez Louis-René de Caradeuc de La Chalotais (1701 – 1785).

Shkolla e Filantropisë u hap më 27 dhjetor të vitit 1774, me moton, “çdo gjë sipas natyrës”. Të pasur dhe të varfër do të arsimoheshin së bashku, kurrikula bazohej në praktikë ndërsa mësimi zhvillohej në gjuhën gjermane (dhe jo në atë latine apo greke), mësohej edhe zejtaria, ushtrimet fizike dhe lojërat, e gjithashtu edhe uniforma shkollore ishte më e thjeshtë dhe më e rehatshme se zakonisht. Vetë Bazedovi institucionin e tij arsimor në Desau e quante “Shkollë e filantropistëve, nxënësve dhe mësuesve,” (School for Philanthropists, Learners and Teachers). Edhe pse shkolla funksionoi për një kohë relativisht të shkurtër, deri në vitin 1793, ndikimi i saj në reformimin e shkollave gjermane doli të jetë i konsiderueshëm dhe frymëzoi themelimin edhe të shumë institucioneve tjera të ngjashme jo vetëm në Gjermani por edhe jashtë saj.

Në fillim “Filantropinumi” i Bazedovit kishte vetëm një mësues dhe tre studentë, por numri i tyre u rrit me shpejtësi si rezultat i përhapjes së reputacionit të saj edhe përtej qytetit Desau.

Themelimi dhe mbarëvajtja e punës së Filantropinumit u përkrah edhe nga pedagogë të tjerë si: Christian Heinrich Wolke (1741–1825), Ernst Christian Trapp (1745-1818) dhe Christian Gotthilf Salzmann (1744-1811). Nga viti 1779 deri në vitin 1787, edhe August Friedrich Wilhelm Crome (1753-1833) ka punuar në këtë shkollë gjersa artisti Carl Wilhelm Kolbe (1759-1835) punoi si profesor i artit dhe frëngjishtes në vitet 1780 – 1784. Edhe poeti Friedrich von Matthisson dhe artisti Friedrich Rehberg gjithashtu kanë punuar në Shkollën e Filantropisë.

Katër kërkesat themelore të Bazedovit, gjatë aktivitetit të tij në Shkollën e Filantropisë “Filantropinum” në Desau ishin:

  • Çdo gjë që mësohet duhet të jetë në përputhje me ligjet e natyrës.
  • Formimi i karakterit është më i vlefshëm sesa përvetësimi i njohurive.
  • Disa (nxënës) më lehtë i përvetësojnë njohuritë përmes perceptimeve shqisore.
  • Mësuesi duhet të sigurohet që studenti është i lumtur gjatë të mësuarit, përndryshe aftësia e tij për të mësuar do të reduktohet.

Në vitin 1777, i impresionuar nga veprimtaria edukative e arsimore e Bazedovit, Princi Franc Leopoldi III, një pjesë të Pallatit Dietrich e vuri në dispozicion të shkollës, gjersa në vitet 1780 – 1793 shkolla kishte qasje të plotë në të gjithë Pallatin. Në vitin 1778, Bazedovi dha dorëheqje nga pozita e drejtuesit të institucionit. Pasardhësi i tij ishte Joachim Heinrich Campe (1746-1818), por për shkak të konfliktit me mësuesit e rinj, edhe ai u largua dhe shkoi e themeloi një shkollë të ngjashme në Hamburg. Më pas shkolla u drejtua nga një këshill drejtues.

Në kulminacionin e autoritetit të saj, 1782 – 83, “Filantropinumi” kishte 53 nxënës, zakonisht nga familjet përparimtare e fisnike të kohës, disa prej të cilëve erdhën nga Evropa Perëndimore, Veriore dhe Lindore. Edhe Imanuel Kanti ishte një mbështetës i madh i Shkollës “Filantropinum,” duke bërë thirrje për një “revolucion të shpejtë” në arsim në vend të “reformës së ngadaltë”.[1]

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ *Graves, Frank Pierrepont . Great Educators of Three Centuries. Their Work and Its Influence on Modern Education (Macmillan, 1912,) p. 112 ff.