Filozofia e aktualitetit
Filozofia e aktualitetit Gjinia: Shkenca sociale. Autori: Servet Pëllumbi. Shtëpia botuese: "Dudaj". Viti i botimit 2010. Faqet e librit 204. ISBN 978-99943-0-151-5
Mbi librin:
Libri "Filozofia e aktualitetit" është shkruar në formë bisedash me lexuesin. Ato marrin shkas nga takime e ngjarje që më kanë nxitur për ballafaqimin e ideve me realitetin e kohës, për refleksione të natyrës filozofike, që në epokën e sotme të globalizimit, kur filozofia merr një status të posaçëm, lipset të bëhen praktikë e zakonshme, sepse shërbejnë për të bashkuar në një subjektin njohës dhe subjektin veprues. Në këtë libër, lexuesi do të gjejë një formë të filozofisë së aktualitetit, që bazohet në vlerat e dialogut, në aftësinë intuitive për të rrokur aktualen, si dhe në shpirtin luftarak të debatit dhe në vlerën instrumentale të analizës së dilemave të ditëve tona. Kësisoj, bëhen përpjekje për të provuar se relativizimi i ideve dhe i të menduarit sipas situatave që i nënshtrohen "tiranisë së çështjeve të ngutshme", është një nga problemet themelore të filozofisë.
Kapja e një çasti, e një realiteti "të ndalur në kohë" apo i një ngjarjeje të afërt për ne, i një apo disa personazheve që kanë rol e ndikim të caktuar në një proces politik, sjell përditësimin e problemeve të një epoke dhe bën të mundur që ta ndiejmë veten pjesëmarrës në ndryshimin dhe transformimin e realitetit.
Në këtë mënyrë, vetë realiteti, dhe jo thjesht ajo që ekziston, hyn në bashkëveprim me filozofinë dhe i dikton asaj që të rritë "ndërhyrjen" e vet për t'u bërë një instrument me vlera intelektuale dhe morale për të gjithë. Për më tepër që siguria dhe e ardhmja e "familjes njerëzore", pra dhe e secilit prej nesh, kërcënohen në një masë edhe më të madhe nga mungesa e dëshirës për të arsyetuar në rrafshin filozofik, për të krahasuar e harmonizuar dialogun me polilogun, për të marrë e mbajtur përgjegjësi për çka ndodh me ne dhe rrotull nesh. Sepse edhe sot vërtetohet mençuria popullore, sipas së cilës, njeriu pa qëllime në jetë është një gjysmënjeri.
Kuptohet, në këtë vështrim, aktualja dhe aktualiteti nuk janë e njëjta gjë me atë që është, që ekziston në njëfarë mënyre, që rrjedh si kaos i padiferencuar, si uji në vartësi të pjerrësisë apo që ikën e vjen pa lënë gjurmë, por ajo që duhet të jetë i vetmi realitet i arsyeshëm. Pra, ajo që shfaqet jo vetëm si konfrontim, por dhe si thirrje për dialog dhe për të cilën ia vlen të bëhen refleksione, të arsyetohet në mënyrë filozofike, të bëhen analiza të thelluara, të debatohet me ata që mendojnë ndryshe dhe të bëhen marrëveshje e kompromise.
Kështu, aktualiteti merr vulën krijuese të subjektit që e zgjedh dhe e krijon vetë objektin e njohjes dhe të reflektimit, prandaj për të nuk mund të flitet në përgjithësi, të bëhen thashetheme apo të radhiten vetëm shembuj. Kjo e pajis filozofinë e aktualitetit me objektiva praktike e pragmatiste, çka e shndërron atë, në thelb, në filozofinë e edukimit për epokën e globalizimit.
Në përgatitjen e këtij libri për botim jam nisur, së pari, nga dëshira për ta aplikuar konkretisht një kuptim të tillë të filozofisë së aktualitetit nëpërmjet refleksioneve dhe analizave për ngjarje e tema konkrete e thelbësore, që japin mundësi për të aktualizuar edhe tema tradicionale filozofike. Apo, siç thuhet ndryshe, për tema që marrin "theks aktual".
Së dyti, jam nisur nga një qëllim tjetër më praktik: që shënimet dhe analizat e përmbledhura te Filozofia e aktualitetit të shërbejnë edhe si konkretizim e vazhdim i mëtejshëm i vizionit filozofik, që është trajtuar gjerësisht në librin e botuar një vit më parë, Globalistika filozofike. Përvojë dhe sfida.
Të dish të jetosh të tashmen do të thotë të rritësh shpresat për të ardhmen, e cila është mundësi dhe, si e tillë, varet nga njerëzit, nga ajo që bëhet dhe realizohet prej tyre në të tashmen. Mendoj se ky është filli që i lidh këta dy libra dhe i bën që të jenë si plotësim i njëri-tjetrit.
Ndërkohë, nisur nga synime të tilla, në shënimet dhe analizat e mia nuk endem në "qiejt e abstraktimit" për t'iu larguar realitetit dhe as nuk prirem ta shoh çdo gjë nga këndvështrimi i dyshimit pa rrugëdalje. Për ta thënë më qartë: vetëm e vetëm për të hulumtuar një mjet më tepër e për ta bërë atë sa më të efektshëm në rrugën e përbashkët e të vështirë të përballimit të pjesës sonë të sfidave që kanë të bëjnë në radhë të parë me pasojat e krizës së sotme, si dhe me nevojën e një humanizmi i ri, që kërkon vetëdijesimin e individit - si qenia e vetme e arsyeshme tek e cila bota gjen vetëdijen e vet - se e ardhmja e "familjes njerëzore" është tërësisht në duart e tij.
Më konkretisht: globalizimi dhe teknologjia e mjeteve të komunikimit masiv e bëjnë botën më të vogël, i bëjnë distancat më të shkurtra. Për rrjedhojë, japin shumë më tepër mundësi për afrimin e njerëzve që jetojnë në realitete të ndryshme dhe larg njëri-tjetrit, shpesh me dallime të thella e burim antagonizmash të rrezikshme.
Veçse, të dënuar ca më tepër tani se më parë për t'u mirëkuptuar dhe për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, sepse, siç porosiste Zarathustra, shpëtimi i botës varet nga tri gjëra: të mendosh mirë, të flasësh mirë dhe të bësh mirë. Del, pra, që e ardhmja nuk është diçka e gatshme për t'u adaptuar nga gjithkush, por e tillë që duhet ndërtuar me mend në kokë dhe ndjeshmëri në zemër. Ndryshe, sipas Marsel Ed, "një botë ku e vërteta është paraqitur pa mend, do t'i ngjante më tepër ferrit se parajsës".
Në përputhje me këtë vizion dhe pa pretenduar për përgjigje shteruese apo si të vetmet të mundshme dhe të drejta, në këto analiza filozofike jam përpjekur që individin ta vë përpara dilemës së kahershme: bota ka nevojë për përsosje apo ajo është e përsosur? Në raport me të, individi, i kuptuar si mikrokozmos, duhet të gjejë vendin e vet dhe rolin që i takon në komunitet, që të bëhet pjesëmarrës aktiv në dialog dhe në një proces transformimesh deri dhe të përmasave planetare, sipas parimit: secili të bëjë të vetën. Vetëm kështu bota mund të bëhet më e zhvilluar dhe më e përsosur, kurse jeta e njeriut më e realizuar, më aktuale dhe më e sigurt. Historikisht, një zhanër të tillë filozofimi e gjejmë te Mishel de Montenji (1533-1592) në esetë e tij të famshme për "copëza të aktualitetit", përmbledhur nën titullin kuptimplotë Përvojat" (1580), që në përmbajtje përshkohen "nga ajri i pastër i jetës së vërtetë", kurse nga forma afrojnë me dialogun e gjallë, të mprehtë dhe të shpenguar.
Ndërkaq, mund të thuhet me bindje se një formë filozofimi e "tipit Montenji" sot është me realistja dhe duhet të bëhet më e kërkuara, sidomos që filozofia të përfshihet në kulturën e të gjithëve, të dalë përfundimisht nga qerthulli akademik, që e ka mbajtur atë të mbyllur si një fushë dijesh vetëm për një rreth fare të ngushtë intelektualësh. Një mision i tillë pritet të sjellë ndryshim thelbësor në vetë statusin e filozofisë, që nuk ia zbeh e as nuk ia ul nivelin nëse do t'i largohet paksa natyrës dhe gjuhës së traktateve, por përkundrazi do t'ia rritë shumë vlerat, sepse do të bënte të mundur që, për herë të parë, të përputhet plotësisht emri fillestar i saj - si "dashuri për dije" - me realitetin, me kërkesat dhe mundësitë e sotme. Pas kësaj do të shtohet edhe një argument tjetër i fortë, për të thënë se simboli i madhështisë së shoqërisë njerëzore qëndron tek arritjet shpirtërore e kulturore, që janë zanafilla e të gjitha të tjerave.
Dimensionet e kësaj të vërtete rriten shumë kur përballë i vëmë prirjen e kundërt, atë të konsumizmit, që ka sot në dispozicion fonde e mjete të shumta të teknologjisë më të fundit. Përmes parapsikologjisë, parapolitikës dhe ndikimit të reklamës mashtruese dhe çmimeve jo korrekte, ai synon të pushtojë gjithçka. Mbi të gjitha, shijet e njerëzve për mallra, për konsum, për luks e jetë të shkujdesur, për identifikimin e tyre me produktet apo shërbimet që konsumojnë e që, tek e fundit, çojnë në mospjesëmarrje dhe indiferentizëm politik. Kërkesa që shoqëron këtë "makineri" është e thjeshtë në pamje, por ajo ka në themel etjen për fitime maksimale, dehumanizimin dhe kontrollin mbi njerëzit, të cilëve, si model i së ardhmes u ofrohet kultura masive, konsumiste. Dhe nuk është e vështirë për t'u bindur, qoftë edhe nga vëzhgime të sipërfaqshme, se sa e tmerrshme është kur njeriut - nga gjithë pasuria e ideve, e idealeve dhe e kulturës - i mbetet vetëm ajo e mbijetesës, e konsumizmit.
Çdo gjë duket e thjeshtë dhe e pafajshme. Të gjithë njerëzve u jepen të shohin të njëjtët filma, të njëjtat veprimtari që reklamohen kudo njëlloj. U sugjerohet të admirojnë këngëtarët më në modë dhe vetëm disa lloje të caktuara muzike apo deri dhe për të konsumuar të njëjtat thashetheme, të njëjtin lloj ushqimi, të njëjtat veshje në modë.
Pra, për të qenë të gjithë njëlloj nën pushtetin e asaj që ka marrë emrin "mekdonalizim" i shoqërisë. Nga një standardizim i tillë, më keq e pëson jeta shpirtërore, sepse vendin e individit të lirë e me zhvillim të gjithanshëm e zë njeriu njëpërmasor; vendin e pasurisë dhe diversitetit kulturor e zë një surrogat i kulturës; vendin e filozofisë si mësuese për jetën e zë një surrogat i saj, që thirret me emrin "glamour - filozofia", motoja e së cilës është: "O njeri, kënaqu me ditën e sotme!"
Në këtë rrafsh, ideja që përshkon refleksionet, shënimet dhe analizat filozofike që përmban libri Filozofia e aktualitetit duket si një përpjekje "për të qetësuar veten" dhe si një anim nga profesioni. Realisht, ka të bëjë me të vërtetën tashmë të provuar, se nuk ka asnjë fushë tjetër të dijeve që - më mirë dhe më qartë se filozofia - të vlerësojë antinomitë e zhvillimit dhe rreziqet që, krahas të mirave të padiskutueshme, i vijnë qytetërimit dhe njeriut nga shkenca dhe teknologjia, sidomos kur harrohet apeli i humanizmit të ri për ta vlerësuar njeriun dhe njerëzoren si qëllimin më të lartë dhe si një ide të madhe të epokës së globalizimit.
Analizat dhe refleksionet që përfshihen në librin Filozofia e aktualitetit janë shkruar për probleme e ngjarje që duket se nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe, si të tilla, mund të lexohen edhe si ese më vete. Ndonjë prej tyre, në një formë më të reduktuar, është publikuar me anë të mediave, si përgjigje ndaj ngjarjeve politike konkrete. Ndërkohë, botimi si një e tërë në këtë libër, i jep mundësi lexuesit të kuptojë se bëhet fjalë për një këndvështrim unik filozofik dhe për një shqetësim qytetar të autorit, me synimin për të nxitur një lëvizje për modernizim, duke filluar nga vënia "në gatishmëri" e secilit drejt një "Uni" të përbashkët, që di të jetë aktiv dhe i vetëdijshëm në një situatë të dhënë, të ndërlikuar e plot kundërshti. Kjo është filozofia e realizimit të "Unit" përmes "Tjetrit" dhe idesë - projekt, që i "peshon" të gjithë.
Në këtë rrafsh, kërkesa për të përligjur e zhvilluar kulturën e dialogut, për të mos e parë tjetrin vetëm si objekt, çka e shpërfytyron thelbin e natyrës së tij njerëzore, përbën një fill tjetër që i lidh analizat dhe refleksionet me njëra - tjetrën. Madje edhe kur objekt analize janë situata konkrete politike - si ajo e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 në Shqipëri - apo fenomene politike atipike, politikanë apo liderë të politikës, që fshihen pas nevojës së ndryshimit, por që mbeten po ata që kanë qenë.