Jump to content

Fjalë për fjalë, eksplorime në hapësirat e shqipes

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Fjalë për fjalë, eksplorime në hapësirat e shqipes libër për gjuhësin me autor: Ardian Vehbiu. Shtëpia botuese "Çabej", viti i botimit 2017. Faqet e librit 312. ISBN 978-99956-35-36-8


Fragment nga libri

Si degë e dijes, gjuhësia ngjall interes dhe kuriozitet të madh te njerëzit, sidomos tek të gjithë ata që duan të shkruajnë "me drejtshkrim", ata që duan ta mbajnë shqipen të pastër "nga fjalët e huaja", dhe ata të tjerët, më në fund, që kërkojnë tek etimologjia një mbështetje për besimin e tyre të patundur se jona është nga "gjuhët më të vjetra të botës".

E megjithatë gjuhësia është shumë më tepër se kaq, sikurse ëshë shumë më tepër se gramatika që i mërzit fëmijët në shkollë dhe që të rriturit gjithnjë ankohen se e kanë harruar.

Lexuesit kanë interes të madh për gjuhësinë, sepse kanë interes të madh për gjuhën që flasin dhe që shkruajnë, për gjuhën që formëson dhe deri – diku ua dikton mendimet dhe për gjuhën që i prezanton ndaj të tjerëve, po aq sa, në mos edhe më shumë se statusi, veshja ose shoqëria që mbajnë.

Por ne që shkruajmë për gjuhën dhe për gjuhësinë jo gjithnjë e respektojmë këtë lexues të interesuar, sepse shpesh i shpenzojmë energjitë intelektuale duke i folur nga lart poshtë dhe duke e disiplinuar; ose, përkundrazi, duke ia ndezur mendjen me mite të origjinës.

Duke qenë shqipja ajo që na bën shqiptarë ose që na jep identitetin kombëtar, jam munduar të gjej si realizohet kjo, duke shqyrtuar nga afër edhe konceptin "gjuhë amtare", edhe mënyrën si i prezantohemi tjetrit si shqiptarë brenda dhe jashtë, edhe ndikimin që kanë kuptimet specifike të pak fjalëve kyçe, në mënyrën si e mendojmë dhe e organizojmë botën.