Flora dhe Fauna e Gjilanit
Bukuritë natyrore që hasen në vende fushore dhe kodrinore, e bëjnë rajonin e Gjilanit mjaft atraktiv. Shumë treva të thella dhe të pandotura të Gjilanit, janë të pasura me bimë dhe shtazë. Kjo ka ndikuar që Gjilani të ketë një laryshi bimësh dhe shtazësh. Flora dhe fauna e rajonit të Gjilanit është e shumëllojshme, si në vendet fushore ashtu edhe në ato kodrinore. Kjo llojllojshmëri është krijuar si rezultat i kushteve jetësore që ekzistojnë në natyrë. Po ashtu, është kushtëzuar nga relievi, përbërja gjeologjike dhe pedologjike e tokës, nga klima, nga hidrografia si dhe nga ndryshimi i vazhdueshëm që është bërë si në të kaluarën ashtu edhe sot.
Flora
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rajoni i Gjilanit gjithashtu ka florë të pasur, me lloje të ndryshme bimësh: të ulëta dhe të larta
Bimët e ulëta "Tallophyta"
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në këtë rajon janë të përfaqësuara nga algat e ndryshme, kërpudhat dhe likenet.
Algat hasen në lumenj, liqene, vende me lagështi, pastaj pranë lumenjve, si në gurë e në lëvore të drunjëve. Mjaft e përhapur është: alga gjelbër-kladofora (Cladophora), Oedogoniumi, Muzhocia (Mougeotia), Zygnema, Spiorogira, alga e kaltër në të gjelbër (Cyanophyta), Oscilatoria (Oscillatoria), Klamidomonasi me shumëzim masiv, në pranverë bën që sipërfaqja ujore të marrë ngjyrën e gjelbër. Si alga të tjera, më të përhapurat janë edhe Euglena e Ulotriksi.
Kërpurdhat janë të përhapura, si: ushqyese, helmuese dhe parazite. Kërpudhat ushqyese - më të përhapura janë ato kapelore, si të fushës dhe të pyjeve. Kërpudhat helmuese, që karakterizohen me ngjyrëra të bukura dhe tërheqëse, janë të përfaqësuara nga: amanita, muskaria, boletus santanas etj. Kërpudhat parazite të drithërave, që u shkaktojnë dëme të mëdha drithërave, siç janë përfaqësuesit e gjinisë Ustilago (Uthi, urthi) si: Ustilago tritici, parazit në kallirin e grurit, Ustilago zea, në kallirin (tramakun) e misrit, Ustilago avena, në kallirin e tërshërës, Ustilago hordhi, në kallirin e elbit; pastaj përfaqësuesit e gjinisë Uredinales (ndryshku), Puccinia grminis (ndryshku), parazit në kallirin dhe kërcellin e grurit.
Likenet më të përhapura janë: ksantoria (xanthoria), usnea barbata, evernia, ramelina.
Bimët e larta "Kormophyta"
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Prej bimëve të larta janë të përhapura myshqet, fieri, bimët farëveshura si dhe ato farëzhveshura.
Myshqet - Prej myshqeve (Bryophyta) janë të njohura Polytrichum commune dhe Marchantia polymorpha.
Fiernatmë të përhapur në rajon janë: Këputja e arave (Eqiusetum arvense) Gjuhëgjarprja (Ophioglossum vulgatum). Njihen gjithashtu edhe fiernat e familjes Polypodiace, psh. Fieri shqiponjë (Pteridium aquilinum), Fieri i pyllit (Dryopteris filix-mas) që përdoret në mjekësi kundër parazitëve të zorrëve.
Bimët farëveshura - Bimët farëveshura drunore më të njohura janë: Shelgu (Salix), plepi (Populus), frashri (Fraxinus ), shkoza, bliri (Tilia), ahu (Fagus sylvaticus), bungu (Quercus robus), qarri (Quercus cerris), panja (Acer heldreichii), vidhi (Ulnus campestris), pisha (Pinus). Bimët farëveshura drunore me fruta si: molla, dardha, qershia, pjeshka, kumbulla, arra, gështenja, kajsia, rrushi... janë mjaftë të përhapura në rajonin e Gjilanit. Bimët farëveshura barishtore (drithërat) si gruri (Triticum vulgare), misri (Zea mays), tërshëra (Avena sativa) dhe elbi (Horedeum sativum), kanë rëndësi të veçantë për banorët e këtij rajoni. Bimët farëveshura barishtore frutore si: shalqiri (bostani), pjepri, kungulli, domatja, patëllxhani, speci, karrota, majdanozi, panxharsheqeri, luledielli... janë mjaft të përhapura në rajonin e Gjilanit.
Bimët farëzhveshura më të përhapura janë: molla, dardha, qershia, kumbulla, pjeshka, akacia, mani i zi, mani i bardhë, rrapi, plepi, robinja, dafina, frashri, bliri, shkoza, ahu, bungu etj. Pyjet përbëhen nga drurët e ahut, bungut, shkozës, frashrit, gështenjave, drurët halorë. Bimë mjaft e përhapur është lulëkuqja e arës (Papaver rhoeas).
Bimët industriale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në rajonin e Gjilanit, prej bimëve industriale më i kultivuara është duhani (Nicotiana tabacum). Duhani është kultivuar në sipërfaqe të mëdha sidomos në vitet 70 dhe 80 të shekullit XX, pasi në Gjilan funksiononte edhe kombinati për përpunimin e duhanit (Bozhur). Ky kombinat pas lufte nuk funksionon rregullisht, prandaj edhe prodhuesit e duhanit janë të paktë. Është bimë njëvjeçare. Luledielli dhe panxharsheqeri kultivohen më pak.
Fauna
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në këtë regjion ekzistojnë kushte të mira për zhvillimin e faunës, duke filluar nga organizmat më të thjeshtë mikroskopikë, viruset dhe bakteret, pakurrizorët, butakët, skratë, skraja e shiut e ushunjëza, ndërsa nga insektet janë të pranishme bleta, mushkonja, miza, arëza, brumbulli, karkaleci etj. Në kuadër të pakurrizorëve ka edhe insekte, si psh. murgesha, mushkonja, lloje të ndryshme të merimangave, miza e shtëpisë etj.
Kurrizorët - Prej kurrizorëve janë të përhapur: peshqit, ujëtoksorët, zvarranikët, gjitarët dhe shpendët.
Peshqit - Prej peshqve, më e përfaqësuar është trofta e lumit, por për shkak të ndotjes së madhe, në disa lumenj është zhdukur. Më rrallë haset edhe krapi, i cili rëndom ka qenë mjaft i përhapur më herët. Në raste të rralla, sidomos pas rënies së shiut, ndeshet edhe picërraku.
Zvarranikët - Prej zvarranikëve, më të përhapur janë: gjarpri, bolla, hardhuca dhe breshka. Nga shpendët, më të përhapur janë pula, bibani, pëllumbi, harabeli, pata, shota, korbi, sorra, laraska, kumria, qukapiku, lejleku, dallëndyshja, thëllëza, huti dhe shqiponja.
Gjitarët më të përhapur në rajonin e Gjilanit janë: lopa, bualli, delja, kali, gomari dhe derri. Gjithashtu ekzistojnë edhe gjitarë të egër dhe shpendë të egër. Gjitarë të egër më të përhapur janë: ujku, dhelpra, ariu i murrmë, macja e egër, dhia e egër, derri i egër, lepuri i egër, kaprolli etj.[1]