Jump to content

Forcat e Armatosura të Senegalit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Forcat e Armatosura të Senegalit (frëngjisht: Forces armées du Sénégal) përbëhen nga rreth 17,000 veta personel në ushtri, në forcë ajrore, në marinë dhe në xhandarmëri. Forca ushtarake e Senegalit merr shumicën e trajnimit, e pajisjeve dhe të mbështetjes nga Franca dhe nga Shtetet e Bashkuara. Gjermania gjithashtu ofron mbështetje, por në një shkallë më të vogël.

Mosndërhyrja ushtarake në çështjet politike ka kontribuar në qëndrueshmërinë e Senegalit që nga pavarësia. Senegali ka marrë pjesë në shumë misione paqeruajtëse ndërkombëtare dhe rajonale. Së fundmi, në vitin 2000, Senegali dërgoi një batalion në Republikën Demokratike të Kongos për të marrë pjesë në MONUC, misioni paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara.

Senegali ra gjithashtu dakord të vendosë një batalion të stërvitur nga Shtetet e Bashkuara në Sierra Leone për të marrë pjesë në UNAMSIL, një tjetër mision paqeruajtës i OKB-së. Operacioni stërvitor u emërtua Operacioni "Focus Relief" dhe përfshiu Forcat Speciale të Ushtrisë Amerikane nga Grupi i 3-të i Forcave Speciale duke trajnuar një numër batalionesh të Afrikës Perëndimore, duke përfshirë ato nigeriane.

Si një nga kontribuesit më të mëdhenj të trupave në Afrikë (për frymë) në misionet e Bashkimit Afrikan, në misionet e Kombeve të Bashkuara dhe në organizatat e tjera rajonale të sigurisë, ushtria senegaleze e ka provuar veten të jetë një nga ushtritë më efikase dhe më të besueshme në kontinentin afrikan. Kjo është mbresëlënëse duke pasur parasysh se Senegali është më i varfër se vendi mesatar i Afrikës sub-sahariane. Më e rëndësishmja, ushtria e Senegalit është multietnike dhe nuk ka tentuar kurrë një grusht shteti, gjë që është e rrallë në Afrikë. Marrëdhëniet harmonike qytetaro-ushtarake senegaleze që nga pavarësia kanë lejuar krijimin e një 'enklave ushtarake' efikase që është një institucion i aftë dhe jo një kërcënim për lidershipin politik në Dakar.