Format e pashtjelluara të foljes
Format e pashtjelluara të foljes janë: pjesorja, përcjellorja, paskajorja, mohorja. Format e pashtjelluara të foljes, për nga tipi i ndertimit mund të ndahen në dy grupe: Në grupin e parë përfshihen pjesorja dhe ato që janë ndërtuar mbi bazen e saj: forma e pashtjelluar mohore (pa larë) dhe përcjellorja (duke larë), kurse në grupin e dytë do të përfshihen format e pashtjelluara të tipit për të larë e me të larë, që janë ndërtuar mbi bazën e emrit prejfoljor asnjanës (të tipit të larë).
Pjesorja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në gjuhën shqipe pjesorja ka një përdorim të gjerë dhe të shumllojshëm. Shërben si bazë për të formuar kohët e përbëra me ndihmë të foljeve kam e jam.
- Shembull:
kohën e kryer | kam lexuar | kam hapur | është lexuar | është hapur |
---|---|---|---|---|
kohën më se të kryer | kisha lexuar, | kisha hapur | ishte lexuar | ishte hapur |
kohën e kryer të tejshkuar | pata lexuar | pata hapur | qe hapur |
Pjesorja shërben si bazë edhe për formimin e formave (mënyrave) paskajore, përcjellore dhe habitore me ndihmë të fjalëzave përkatëse.
- Shembull:
paskajorja | për të lexuar ose pa lexuar |
---|---|
përcjellorja | duke lexuar, duke hapur |
habitorja | lexuakam, marrkam |
Pjesorja shërben për të formuar edhe mbiemra dhe emra foljorë. P.sh. nxënës, mësues, i sjellshëm, i (e) bindur etj. Këta emra dhe mbiemra janë formuar me anë të foljes në pjesoren e cila është bazë e tyre: sjell, nxënë, bindur etj., duke marrë në fund njërën nga prapashtesat: -j, -s, -shëm e disa prej tyre edhe një nyje të përparme i, e ose të.
Përcjellorja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Folja në formën (mënyrën) përcjellore tregon një veprim që shoqëron ose përcjell veprimin e treguar me një folje tjetër. Përcjellorja ndërtohet duke vënë përpara pjesores së foljes fjalëzën duke: p.sh. Zbriti duke u mbajtur. Sipas kohës në të cilën është folja kryesore, pra sipas kontekstit, përcjellorja mund të ketë kuptimin e së tashmes, të së shkuarës ose të së ardhmes. Përcjellorja përdoret kryesisht në ndërtime:
- Shembull:
me funksion mënyror | Djemtë shkonin në shkollë duke kënduar një këngë të re |
---|---|
me funksion kohor | Duke ecur rrugës u kujtua se kishte harruar çelësat |
me funksion shkakor | Kali, duke kërkuar, siç duket, ecte me galop përbri gardhit |
me funksion kushtor | Duke punuar pa u lodhur, njeriu mund të arrijë gjithçka |
Përcjellorja përdoret shpesh edhe për të shprehur një veprim të dytë të bashkërenditur me veprimin e foljes kryesore. P.sh.:Tej dielli po perëndonte duke i dhënë qiellit një përskuqje te fortë.
Paskajorja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Folja e përdorur në formën paskajore shërben për të emëruar një veprim ose gjendje në mënyrë të pacaktuar d.m.th pa i'u referuar një kryefjale të caktuar. Në rolin e paskajores përdoret forma e tipit për të punuar, (me kuptim mohor) përdoret edhe forma e tipit pa punuar. Format e diatezave pësore e vetëvetore të këtyre paskajoreve sajohen me anë të pjesëzës u . P.sh. për të larë - për t’u larë; pa larë - pa u larë etj. Paskajorja përdoret në ndërtime me funksion qëllimor, përcaktor dhe kallëzuesor.
- Shembull:
funksion qëllimor | Gruaja nxitoi hapat për të arritur të vegjëlit |
---|---|
funksion përcaktor | Atë mbrëmje, radhën për të treguar përralla përpara gjumit e kishte babai |
funksion kallzuesor | Kjo vërtetë qenka për të qeshur |
Mohorja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Forma e pashtjelluar mohore ndërtohet duke vënë përpara pjesores së foljes fjalëzën me kuptim mohor -pa. Shpreh moskryerjen e një veprimi në të shkuarën ose në të ardhmen. Përdoret kryesisht në ndërtime.
- Shembull:
me funksion kohor | Të gjithë këto përgatitje i bëmë pa ardhur mesuesi |
---|---|
me funksion mënyror | Beni ecte me nxitim pa kthyer kokën majtas e djathtash |
me funksion kushtor | Pa luajtur këmbët, nuk luajnë dhëmbët. |
Pra këto forma që u cekën më lartë nuk ndryshojnë, andaj edhe quhen forma të pashtjelluara.
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Format e shtjelluara të foljes.
Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Grup autorësh - Gramatika e gjuhës shqipe ASHSH Tiranë 2002.
- Shaban Demiraj - Gramatika e gjuhës shqipe ETMM Prishtinë
- L.Mulaku, A.Kelmendi - Gramatika e gjuhës shqipe ETMM Prishtinë 1984
- Bari Beci - Gjuha shqipe, Libri shkollor Prishtinë 2003
- Bari Beci - Gjuha shqipe - Dukagjini 2006
- Zgjedhime të foljeve https://zgjedhime.org/showfoljet