Shko te përmbajtja

Populli (gazetë)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Ridrejtuar nga Gazeta Populli)

Gazeta Populli doli për herë të parë më 18 janar 1919 në Shkodër si një gazetë politiko-shoqërore në gjuhën shqipe dhe frënge. E drejtuar fillimisht nga Sali Nivica dhe më vonë nga Bedri Pejani pas vrasjes së Nivicës, gazeta doli në gjithsej 77 numra deri në janar të vitit 1920. Të gjithë numrat e saj u shtypën në shtypshkronjën françeskane, e cila ishte ngritur më 1926.

Nga këndvështrimi i kryeredaktorit Sali Nivica, artikulli i parë i gazetës, botuar më 18 janar 1919, është një homazh për të rënët dhe dëshmorët e idesë kombëtare. I ndarë në disa pjesë, artikulli shpreh një elegji për patriotët, duke theksuar sakrificat e tyre. Shkrimet e tilla, sipas Nivicës, reflektojnë fatin e dy kryeredaktorëve të gazetës me të njëjtin emërtim, Mustafa Culli dhe vetë Sali Nivica, të cilët u vranë pa arritur të gëzonin paqen në atdheun e tyre, për të cilin dhanë gjithçka.

Titulli i gazetës, siç theksonte Nivica, synonte të ishte një kujtesë për punën dhe sakrificat e Mustafa Cullit, pa nënkuptuar një pronësi të veçantë të tij: gazeta nuk ishte vazhdim i publikimeve të Cullit në Vlorë gjatë viteve 1912–1915, por një monumet kushtuar kujtimit të patriotëve, një mundësi ngushëllimi dhe një mjet thirrjeje për zgjimin kombëtar.

Programi i gazetës, sipas Nivicës, përfshinte politikën kundrejt të huajve dhe ndaj shqiptarëve. Gazeta synonte të demaskonte taktikën antishqiptare të disa shteteve evropiane që mohonin jetën kombëtare shqiptare dhe përpjekjet e tyre për të penguar lirinë dhe përparimin e vendit. Synimi kryesor ishte të tregonte se Shqipëria kishte një jetë kombëtare të gjallë dhe të pathyeshme.

Edhe pse artikulli nuk përmendte drejtpërdrejt emrin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, Nivica shkruante për një "parti të madhe dhe të shëndoshë që mendon, që therret dhe që lufton për idealin e lirisë së vërtetë të kombit arbnor", duke lejuar kështu një referencë të nënkuptuar për aktivitetin e Komitetit në Kosovë.

Në politikën ndaj shqiptarëve, bazuar në idetë e Faik Konicës, gazeta synonte të jepte shqiptarëve shpirtin dhe vetëdijen e nevojshme për të u zhvilluar si komb. Duke mbështetur mendimtarët dhe fuqitë intelektuale, gazeta promovonte idenë që shqiptari të mendojë si pjesëtar i kombit dhe jo vetëm si individ.

Sipas kryeredaktorit, gjatë gjithë veprimtarisë së saj, Gazeta Populli ishte: "një ligjërim i papërlyem, një ligjërim thjesht shqiptar dhe me qëllim shqiptari".