Gentian Zyberi
Gentian Zyberi është profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut në Qendrën Norvegjeze për të Drejtat e Njeriut, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Oslos, në Norvegji dhe ka shërbyer si drejtor i saj në periudhën 2018-2021. Profesor Zyberi ka drejtuar Institutin Alb-Shkenca (IASH) si drejtor i përgjithshëm për periudhën 2014-2023 dhe seksionin e shkencave të drejtësisë nga viti 2007-2023.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gentian Zyberi ka mbaruar studimet për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës (jurist, 2000), dhe ka marrë një diplomë Masteri (LL.M, 2002) dhe doktorature (PhD, 2008) në të Drejtën Ndërkombëtare nga Universiteti i Utrehtit, Holandë. Gjatë periudhës 2003-2012 ai ka punuar në Institutin Holandez për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Utrehtit dhe në Qendrën e Amsterdamit për të Drejtën Ndërkombëtare të Universitetit të Amsterdamit. Prej vitit 2012 ai punon në Qendrën Norvegjeze për të Drejtat e Njeriut.[1]
Gjatë dy dekadave të fundit, Profesor Zyberi ka bërë kërkim shkencor, ka botuar dhe ka dhënë mësim në fushën e të drejtës ndërkombëtare publike, të drejtave të njeriut, të drejtës ndërkombëtare humanitare, dhe të drejtës ndërkombëtare penale në universitete në Holandë, Norvegji, SHBA, Kinë, Kosovë dhe Shqipëri. Ai ka botuar një tekst mësimor universitar në shqip për të drejtat e njeriut. Profesor Zyberi ka qenë anëtar i Komitetit për të Drejtat e Njeriut që mbikëqyr respektimin e të drejtave garantuar nën Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (2019-2022). Aktiviteti i tij kërkimor përqendrohet kryesisht në rolin e gjykatave ndërkombëtare në interpretimin dhe zhvillimin e rregullave dhe parimeve të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe të drejtës humanitare, mbrojtjen e interesave komunitare nën të drejtën ndërkombëtare, doktrinën e përgjegjësisë për të mbrojtur, dhe drejtësinë tranzicionale. Praktika e tij në fushën e së drejtës ndërkombëtare përfshin punën si jurist dhe përkthyes me ekipet mbrojtëse në dy raste të gjykuara përpara Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish Jugosllavinë. Profesor Zyberi ka shërbyer si këshilltar ligjor dhe koordinator i ekipit ligjor të Shqipërisë në rastin e Deklaratës së Pavarësisë të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai ka dhënë këshilla ligjore për çështje të ndryshme të së drejtës ndërkombëtare për shtete dhe një organizatë ndërkombëtare joqeveritare.[2]
Ai ka bërë kërkim shkencor dhe ka dhënë mësim në një numër universitetesh në Holandë, SHBA, Kinë, Norvegji, Kosovë dhe Shqipëri. Nga viti 2004 deri në vitin 2012 ai ka punuar me mbrojtjen në rastet kundër Limaj et al. dhe Haradinaj et al. para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Në vitin 2009 ai ka qenë këshilltar ligjor i Ministrit për Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe koordinator i ekipit ligjor shqiptar në rastin e Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në 2018, Gentian Zyberi u zgjodh anëtar i Komitetit për të Drejtat e Njeriut që bën monitorimin e respektimit nga shtetet palë të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike të OKB-së për periudhën 2019-2022. Profesor Zyberi ka botuar gjerësisht në fushën e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë një monografi, tre vëllime të edituara (2013, 2017, dhe 2021), dhe dhjetra kapituj librash e artikuj shkencorë. Ai ka përgatitur një tekst mësimor universitar për të drejtat e njeriut, botuar në vitin 2011, dhe një edicion të dytë në vitin 2015, me kontribute nga Prof. Qerim Qerimi.[3]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Gentian Zyberi | University of Oslo - Academia.edu". uio.academia.edu (në anglisht). Marrë më 2024-11-06.
- ^ Mustafa Ibrahimi (red.) Instituti Alb-Shkenca ndër vite 2002-2023 (Monografi), fq. 72, ISBN 9789951518208
- ^ https://www.jus.uio.no/smr/english/people/aca/gentianz/index.html