Jump to content

Gjelok Marko

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gjelok Marko akademik dhe shkrimtar historik

U lind më 10 maj 1962. Arsimin fillor e të mesëm e kreu në Pogradec. Në vitet 1981 – 1985 kreu studimet në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega Gjuhë – Letërsi. Nga viti 1985 – 1991 punoi mësues në shkollën e mesme në Velçan të rrethi të Pogradecit.

Gjatë kohës si student dhe gjatë periudhës si arsimtar është marrë me publicistikë e studime kritike letrare. Ka bashkëpunuar me revistën "Hosteni", ndërsa studimet e tij kritike të kësaj kohe kanë të bëjnë me romanin satirik.

Studimet e tij kritike filluan me temën për mbrojtjen e diplomës dhe vazhduan më tej në kuadrin e kualifikimit pasuniversitar me synimin për të marrë titullin "Kandidat i Shkencave". Në kuadrin e këtij programi, ai ka dhënë provimet pasuniversitare të Filozofisë dhe ka mbrojtur edhe gjuhën angleze. Përfundimi i këtij programi u ndërpre me largimin e tij në Greqi në maj 1991. Gjatë qëndrimit të tij në Greqi është marrë kryesisht me përkthimin e leksioneve e literaturës biblike, si dhe me studimin e gjuhës greke.

Që nga viti 1992 ka jetuar kryesisht në Gjermani. Gjatë kësaj kohe ai është marrë kryesisht me studime historike e biblike. Objekt i studimeve të tij historike kanë qenë historia e Mesjetës së hershme dhe të vonë, si dhe periudha e Luftës së Dytë Botërore. Në kuadrin e studimeve biblike frut i punimeve të tij është përmbledhja "Themelet biblike të besimit të krishterë".