Gjergj Frashëri
Gjergj Frashëri, (29 maj 1949, Tiranë) arkeolog i mirënjohur shqiptar. Rrjedh nga një familje e njohur intelektuale nga Frashëri (Përmet). Ekspert ndërkombëtar i arkeologjisë së shpëtimit, historian e arkitekturës dhe i artit, restaurator. Ka punuar në strukturat e Institutit të Monumenteve të Kulturës Tiranë (1972 – 1989), shkencëtar i ftuar nga Fondacioni Humboldt në Universitetin e Mynihut dhe atë të Bonit (1990 – 1992).
Ka drejtuar Institutin privat për Arkeologji dhe Ekpertiza të Mbrojtjes së Pasurisë Kulturore në Gjermani (Këln, Berlin, Aachen) dhe Itali (Venecie). Prej vitit 2009 drejton Fondacionin privat "Qendra Frashëri" në Tiranë, në ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në hapësirat shqipfolëse të Ballkanit.
Në më se 40 vjet ka drejtuar projekte arkeologjike, të konservimit, restaurimit e gjurmime të historisë së ndërtimit në qendra qytetare antike e mesjetare në Shqipëri, Europën Qendrore dhe Itali. Ka kryer edhe hulumtime të historisë së arkitekturës osmane në Shqipëri, në disa rajone të Ballkanit, të Turqisë dhe të Lindjes së Afërme.
Në periudhën 1995 – 2011 drejtoi gërmime nga më të mëdhatë e arkeologjisë bashkëkohore të shpëtimit në qendra historike të qyteteve në Gjermani, të botuara në disa vëllime në gjuhën gjermane dhe angleze. Prej vitit 2009, Frashëri është angazhuar intensivisht me gërmime, restaurime dhe publikime në Shqipëri, veçanërisht për qytetin e Durrësit.