Gjokë Dabaj
Gjokë Dabaj u lind në vitin 1938 në Stamboll të Turqisë ku familja e tij ishte në emigrim, dhe ende pa mbushur moshën një vjeçare, kthehet me nënën e tij në vendlindjen e prindërve, në Shestan të Tivarit, në ish-Jugosllavi. Babai mbeti në Turqi. U kthye në familje në vitin 1947. Gjokë Dabaj u shkollua në vendlindje në Ulqin, në Tivar, në Nikshiq (këtu në gjuhën sllave) në Prishtinë dhe në Prizren. Është ndër të rinjtë e shkolluar që kërkojnë lidhjet me Shqipërinë, me shtetin amë, duke kundërshtuar kufijtë absurd dhe ndarjen e njerëzve të një gjaku. Për këtë qëllim, ai dhe shokët e tij bien në sy të UDB-së dhe ndiqen prej saj. Është një prej themeluesve të organizatës patriotike “Liria”, e cila kishte për mision bashkimin e shqiptarëve, komunikimin kulturor e fizik mes tyre. Për këtë, grupi vendosi që të kontaktoj me strukturat e shtetit shqiptar të kohës. Pasi hartohet materiali informues, Gjokë Dabaj është personi që ngarkohet të arratiset nga ish-Jugosllavia e të vijë në Shqipëri për kontakte. Kjo ndodh në prill të vitit 1962. Ndërkohë, UDB-ja ka rënë në gjurmë të aktivitetit të shoqërisë “Liria”, ka bërë arrestimin e drejtuesve të saj dhe i ka nxjerrë në gjyq. Gjoka jo vetëm mbetet në Shqipëri, por këtu përballet me shpërfillje e pëson zhgënjim… Dërgohet në internim në Tepelenë… Më vonë, pas shumë peripecive, shkollohet dhe punon si mësues në disa rrethe të vendit, kryesisht në Mat. Në Shqipëri është martuar e krijoi familjen. Pas afro 30 vitesh, përkatësisht në vitin 1989, ai takohet për herë të parë me nënën, e cila ka mundur të vij si turiste në Shqipëri. Pas gati 3 dekada e gjysmë takohet dhe me vëllanë që e kishte lënë atëherë të vogël, fëmijë.
Gjokë Dabaj është publicist i njohur, autor i disa librave historikë, studimor e artistik.