Gjon Gazulli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Gjon Gazulli
Fotoporteti
Emri Gjon
Mbiemri Gazulli
Lindur më 1400
Lindur në Raguzë
Vdiq më 19 shkurt 1465
Kombësia Arbër
Shtetësia Raguzian
Profesioni Matematikan, astronom
*2010

Gjon Gazulli [1] [2] (latinisht: Johannes Gasulus ; kroatisht: Ivan Gazulić,[3] Ivan Gazul,[4] Ivan Gazoli,[5] serbisht : Jovan Gazulić; Mendohet të jetë nga Mirdita, ose Zadrima e Shkodrës, 1400 - Dubrovniku, 19 shkurt 1465)[4] prift shqiptar dominikan, humanist, matematikan, astronom ndër më të shquarit të kohës (njihet edhe si Gjon Gazuli, Gjin Gazulli dhe Johan Gazuli) ishte diplomat në shërbim të Skënderbeut e ambasador i tij në Raguzë.

Jetëshkrimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Gjon Gazulli ishte vëllai i Pal Gazullit dhe Andrea Gazullit. Në dokumentet e kohës : "Johannes Gini Gazulo, artium doctor, astronomus praeclarissimus" (Gjon Gjin Gazulli, doktor i shkencave dhe astronom shumë i çmuar) që edhe profesor i Universitetit Al'Bo' të Padovës, ku sot ndodhet fakulteti i juridikut.

Gjon Gàzulli ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës europiane të shekullit të XV. Veprimtaria e tij shtrihet në atë hark kohor që lidh dy prej epokave më të mëdha të kohës: humanizmit dhe Rilindjes Europiane. Duke marrë parasysh shtrirjen e veprimtarisë së tij: astronomi, matematikë, fizikë, filozofi, diplomaci, arte, mund të thuhet pa frikë se ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet.

Padyshim, dy lamijet ku ai shkëlqeu më shumë janë astronomia dhe diplomacia. Që të mund të hidhet dritë mbi jetën dhe vepren e tij, është e domosdoshme të gjurmohen arkivat e kohës : të Padovës, të Budapestit, të Venecies, e sidomos të Raguzës (Dubrovniku i sotëm – ku ai jetoi e punoi më gjatë). Janë veçanërisht me vlerë seritë e mëposhtme arkivore : Diversa Notarie ; Acta Consilii Rogatorum ; Acta Consilii Minoris ; Lettere et commissione Levantis ; Testamenta Notarile etj.

Por edhe arkivat private kanë vlerë të madhe. Ndër to mund të përmenden: Arkivin e Fondeve Private Bassegli-Gozze. Duke qenë se Gàzulli ushtroi veprimtarinë e tij si në Itali, në Raguzë, ashtu edhe në shumë vende të tjera europiane ku e çoi detyra e tij diplomatike e shkencore, të dhëna të vlefshme jep edhe literatura e kohës mbi këtë enciklopedi shqiptare. Rreth veprimtarisë së tij shkencore gjendemi në një vështirësi tani për tani të pakapërcyeshme : duhet të kënaqemi sa na japin autorë të tjerë për të, veçanarisht Grmek, Boshkoviç, Juriç, Musantius, Appendini (sidomos ky), Johannsis de Monte Regio, Brotto – Zonta, etj ; pse libri i tij për të cilin Jan Pannoni, oborrtar i mbretit të Hungarisë Matia Korvini i shkruan: “……ai libri i Juej ku do mendime të kapërthyeshme të astrologëve të vjetër …i gjetem të shtjellueme në dritë të diellit”, fatkeqësisht nuk më ka ra në dorë e duhen kërkime të posaçme, ndoshta në Budapest.

Astronomia[redakto | redakto tekstin burimor]

Gàzulli, simbas autorëve të ndryshëm, gjuhësh e kombësish të ndryshme, na sillet herë me emrin Gjon e herë Gjin (natyrisht edhe Joanis, Giovanni etj., por që është e njëjta gjë), ashtu edhe me mbiemër të pakristalizuar, si Gàzulli, Gazulis, Gaxuli, Gazzolo etj., por që është fjala gjithmonë për të njëjten figurë historike e shkencore. Format Gjon e Gjin janë një ngatërrim i thjeshtë me emrin e të atit që quhej Gjin.

Nëse Gjoni lindi në Shqipëri, apo në Raguzë ku ishin strehuar shumë familje shqiptare mbas trazirave tronditëse të pushtimeve osmane, sidomos aty nga fundi i shekullit XIV e fillimi i shekullit XV, autorë të ndryshëm e ngatërrojnë këtë temë, por një gjë është e sigurtë: familja e tij i përkiste atij trungu fatlum të Gazullorëve që i la emër të pashlyeshëm vetes në historinë kombëtare përgjatë gjashtë shekujsh.

Në atë kohë në Raguzë u ngulën shumë familje shqiptare, si Gjon Durrsaku (Johannes de Durachio), i biri Domenik Durrsaku, piktor i përmendur, Marin Beçikemi, e sa të tjerë, ndër ta arkitektë të famshëm, që lanë vepra monumentale, e simbas G. Gelcich, “janë vepra të gjenisë e mjeshtërisë shqiptare”.

Po nga kishte ardhur familja Gàzulli në Raguzë ? Për këtë na ndihmojnë vepra autentike arkivore: Regjistri i Kadastrës dhe i shitblemjeve për krahinën e Shkodrës i viteve 1416-1417, që ruhet në Arkivin e Shtetit në Venedik (Archivio di Stato di Venezia) (Shih edhe : Giuseppe Valentini “Acta Albaniae Veneta”, pjesa II, vëllimi VIII, ku zihen në gojë si pronarë në Zadrimë, veç të tjerësh, edhe Bardh Gàzulli, Dedë Gàzulli, Klamada Gàzulli e Mankez Gàzulli).

Gjyshi i Gjonit quhej Pal, një emër që sot e kësaj dite, bashkë me atë Gjon, përsëriten prej brezi në brez në këtë familje, si është zakon në Veri të Shqipërisë. Ndërkohë xhaxhai i tij, Matia, që cilësohet shumë i pasur, ndeshet qoftë në Raguzë, ashtu edhe si prift në Barbullush.

Pra, edhe nëse familja Gàzulli, ose një pjesë e saj, lëvizi, apo jetoi edhe në Raguzë, për shkaqe historike, ajo rrënjët i ka pasur përherë në Shqipërinë Veriore. Mbiemni Gazulli, apo Gazullorë, që gjendet në Veri qysh në krye të kohës (si në Sapë –pra Zadrimë-, Kashnjet, por edhe në Fan e Kabash), duhet të ketë edhe një shpjegim të thjeshtë etimologjik: gazullor në atë kohë e më herët do të thonte gazmor i të sotmes. Bie fjala, te Zef Serembe ndeshim: Kangjelë gazullore, qe në shqipen e sotme do të ishte “Kangë gazmore”. Është mundësia pra, të mendohet se ndonjë i parë i fisit të ketë qenë njeri i gëzueshem, i hareshem, hokatar – si i thonë popullorçe - , e të jetë thirrur pikërisht për këtë, bie fjala, Pal Gazullori, që sot do të ishte Pal Gazmori. Por ndërsa mbiemni cilësor “gazullor” ndër shekuj asht shndërruar në “gazmor”, mbiemri i familjes, siç është e natyrshme, ka mbetur i ngurrtësuar, Gàzulli. Gjithësesi, si Gjoni, ashtu edhe Gazullorë të tjerë në shekuj, mbesin pinjollë të shquar të një trungu të padyshimtë shqiptar e më ngushtë të Shqipërisë Veriperëndimore.

Duhet shënuar se dokumentat më të besueshme mbi prejardhjen e Gàzullit duhet të mbahen një Testament Noterial i Mati Gàzullit (Arkivi Historik i Dubrovnikut) i datës 24 shtator 1426, ku caktohet si trashigimtar (pse vetë Matia ishte prift) nipi i tij Gjoni, i biri i Gjinit, nipi i Palit. Po ashtu, nga një prokurë noteriale e datës 02.06.1428 Gjon Gàzulli deklaron se gjatë studimeve në Padova ka lënë një arkë me libra dhe sende të veta, e se cakton si të plotfuqishëm të tij Anton Vuçetën nga Raguza për tërheqjen e arkës.

Nga këto dy akte gjejmë të dhëna që dëshmojnë se Pali (gjyshi i Gjonit) ishte nga Zadrima (de Sapa), ashtu si ishin prej asaj ane edhe smumë të tjerë që përmenden në këto dokumenta të ardhun prej Deje (Vau i Dejes), Pultit, Ulqinit e Tivarit, të gjitha treva shqiptare. Këto dokumenta kaq të vlefshëm kanë një mangësi keqardhëse : asnjeri nuk ban fjalë për datëlindjen e Gjonit apo për kohën kur filloi shkollimin.

Pse kjo mangësi, kur dihet sa e zhvillueme ishte Raguza aso kohe e se ruhen sot e kësaj dite të gjithë rregjistrat i lindjeve ? Përgjigjen mund ta gjejmë tek një dokument tjetër, protokollin e dhënies së gradës doktor shkence në Universitetin e Padovës (shih Brotto-Zonta, Acta graduum Academicorum Gymnasii Patavini”, ku Gjoni quhet Johannis q. Gini GaxoliI de Aalbania (Gjoni, i të ndjerit Gjin prej Shqipnie), çka dëshmon jo vetëm përkatësinë e tij etnike, por edhe faktin që (bashkë me mungesën në regjistrat e lindjeve në Raguzë) Gàzulli kishte lindur në Shqipëri e në Raguzë ishte i ardhur, ndoshta te xhaxhai i tij prift e i pasur, Mati Gàzulli. Pra mungesa e regjistrimit të lindjes së tij në regjistrat e lindjes në Raguzë dhe cilësimi “DE ALBANIA” e bajnë të padyshimtë vednlindjen e tij në Shqipëri. (Kujtojmë edhe se qytetarët e Raguzës në dokumenta të viseve të tjera cilësohehshin “DE RAGUSA” duke qenë kjo, ashtu si Venediku, Republikë më vete).

Atëherë, ku duhet ta vendosim datëlindjen e Gàzullit ? Sigurisht aty nga fillimi i shekullit XV, derisa më 1428 ai kishte krye studimet në Universitetin e Padovës.

Ndriçimi i veprimtarisë së Gàzullit si shkencëtar, fatkeqësisht, mund të bëhet vetëm nëpërmjet referimeve të tërthorta, sepse nuk është gjetur asnjë vepër të tij.

Historiani i madh Francesco Maria Appendini, në veprën e tij “Notizie istorico-critiche sulla antichità, storia e letteratura de Ragusa”, II, Raguzë 1803, shkruan për një letër të J. Çesmiçkit ku thuhet: “Libri, për të cilin flitet në këte letër, duket të ketë qenë botuar dhe ndoshta nuk është vepra e vetme e shkruar nga Gjon Gàzulli. Ky hamendësim fiton një mundësi ma të madhe sepse në tabelën kronologjike të Musantio-s, Gàzullin e ndeshim ndër matematikanët më të mëdhej të shekullit XV”. (Shih edhe: Giovanni Domenico Musantio, “Tabulae chronologichae”, 1740). Atë e përmend edhe një bashkëkohës i tij i shekullit XV, astronomi Johan Myler nga Kënigsbergu. Poashtu astronomi Georg Peurbach në veprën e tij «Theoricae novae planetarum» sjell edhe një vizatim të Gàzullit. Ndërkaq historiani rus i shkencave të sakta V. Zubobi thotë se veprën e tij të madhe mbi astronominë Gàzulli e botoi më 1438. Pra, gjithësesi, këto janë një pjesë e vogël e dëshmive të tërthorta që flasin për Gàzullin astronom me famë evropiane.

Si arrijti ai deri këtu ? Simbas gjithë gjasave Gàzulli studjoi në Raguzë, e mandej, në vitin 1422 shkon në Padova ky kryen studimet universitare më 1428, kurse më 31 janar 1430 mbron doktoratën në një atmosferë me ngjyra të theksuara atdhetare pse aty morën pjesë shumë arbëreshë të Italisë ashtu edhe shqiptarë të tjerë të ardhur kryesisht nga Raguza (përmendin pjesmarrjen e tyre në këtë datë të shënueme Gjergj Gaspri, Andrea Durrsaku etj.).

Mbas doktoratës Gàzulli niset « me mision » në Itali e Francë (do të ishin misione të natyrës diplomatike pse mbi Ballkan po bënte gjëmën gjysëhëna) e mandej kalon disa vite në Raguzë, deri më 1439 kur mori Katedrën e Matematikës po në Padova. Në Raguzë ai thellon kërkimet e tij në lamë të astronomisë. Sot e kësaj dite në Bibliotekën e Raguzës (Dubrovnikut) ruhen disa shënime kritike mbi veprën më të shquara të asaj kohe Theorica novae planetaruum të astronomit vjenez G. Purbah. Pa dyshim që përmasat e Gàzullit astronom, sadoqë përsëri tërthoras, dalin në lidhjet e vlerësimin e tij në oborrin e mbretit hungarez Matia Korvini.

Shumë studjues kroatë, marrëdhëniet aq të mira në mes Raguzës dhe mbretërisë më të fuqishme e më të zhvilluar të kohës, Hungarisë, i shohin të kushtëzuara edhe nga personaliteti i Gàzullit e te fama e tij në atë kohë.

Një pjesë të mirë të jetës ai e kaloi në Raguzë, qoftë në mes viteve 1433-1439 (para se të shkonte rishtas në Padova), ashtu edhe në vitet e moshës së shtyrë. Këtu ai u emërua nga Këshilli i të Urtëve (kujtojmë se Raguza ishte Republikë e pavarur) Rektor i Shkollave të Raguzës. Këtu edhe u bë astronom i njohur në mbarë Europën, aq sa, mbreti i Hungarisë, nëpërmjet një letre derguar Këshillit të të Urtëve të Republikës, i lutet atij që Gàzulli të shkonte në oborrin e tij e të udhëhiqte studimet astronomike. Në një letër të dytë datë 26.06.1459 Këshilli i Republikës njoftonte rishtas lartmadhërinë e tij Korvini se po përpiqeshin ti mbushnin mendjen Gàzullit të shkonte atje, po ky gjente si shkak kundërshtimi moshen e tij. Teoria e tij e “yjësive qiellore” tashmë ishte bërë mbizotëruese në botën shkencore që do të printe Kopernikun. Ja një fragment nga letra e Çesmiçkit, edhe ky shkencëtar i shquar kroat e ish nxënës i Gazullit, tashti në oborrin e Matia Korvinit, drejtuar pikërisht Gjonit: “Ju jo vetëm keni plotësuar shpresën tonë, por keni bërë edhe më shumë. Libri, të cilin na keni dhuruar, na pëlqen pa masë. Ai është aq i mbushur me dijeni e risi, sa që leximi i tij na ka sjellë kënaqësi sikur edhe studimi me interes të jashtëzakonshem. Pranojmë se aty kemi gjetur sqarime për disa thënie të ngatrruara të astronomëve të lashtë, që prej kohësh kemi dashur ti kuptojmë. Për këtë arësye ju porosisim me gjithë shpirt që të mos përtoni të vazhdoni të shkruani e t’i jepni fund veprës së filluar, e cila do të ketë rëndësi të madhe për shkenctarët dhe për famën Tuaj ………….. Angazhohuni të punoni për llogarinë tonë e me shpenzimet tona sferat armilare të Ptolomeut, për arësye se këtu, në Mbretërinë e Hungarisë, nuk kemi një mjeshtër, i cili të dijë t’i punojë ato … “ Mbas vdekjes së Gàzullit më 1465, këtë vend, pra të astronomit në Oborrin Mbretëror të Hungarisë, e zuri Johan Myler, ma i famshmi i astronomëve të kohës, që, në veprën e tij më të rëndësishme botuar pikërisht aty (Budapest) përmend shpesh Gàzullin, edhe duke iu kundërvënë atij mbi disa trajtesa mbi yllësitë qiellore, çka dëshmon se Myler në Hungari u përball jo vetëm me famën e Gàzullit, por padyshim edhe me librin e tij, që na sot nuk e kemi në dorë. Është pikërisht kjo kundërshti – në një anë fama e tij, në anën tjetër mungesa e librave të tij – që na kthen gjithçka në një enigmë që sot nuk jemi në gjendje ta zgjidhim. Kjo nuk ul aspak vlerat e tij mbarë evropiane, siç e dëshmon një bibliografi e pafund që gjendet anë e kënd Evropës : në Krakov (Poloni), në Karlsruhe (Gjermani), në Bibliotekën e Vatikanit ku Johan Fisher na sjell tabelat astronomike të Gàzullit, e referimet e shumë e shumë astronomëve të famshëm edhe në shekujt vijues (Jo që teoria mbizotëruese e ndarjes së yllësive të qiellit për më se një shekull mbas vdekjes së tij mbeti ajo e qujtur e Campanum dhe Gàzulli, kurse emri i tij vazhdoi të përmendet në shumë studime të shekujve XVI-XVII. Vetëm në shekullin XVII, kur astronomia gjeti mjete të reja studimi e ishte shtyrë shumë përpara drejt asaj që njohim sot, Gàzulli fillon e përmendet ma rrallë, edhe pse autorë të shquar si Musanti ende i referohen atij si fillesë e një kandvështrimi të ri astronomik (dmth shkëputja nga astrologjia e mesjetës së herëshme).

Humbja (shpresojmë mosgjetja deri më sot) e veprës së Gàzullit për historiografinë e shkencave shqiptare asht vërtetë një humbje e madhe. Në Arkivin e Raguzës ruhen 11 faqe dorëshkrim të Gjon Gàzullit, por ato nuk janë një vepër e mirëfilltë, por thjeshtë udhëzues për përdorimin e astrolabit. Edhe pse vetëm një udhëzues, autori shfaq aty një kthjelltësi të tillë, që ka bërë t’u kthehen studimit të atyre faqeve të pakta shumë e shumë studius të ditëve tona.

Simbas dokumentave arkivore të kohës, del se Gjon Gàzulli kishte një prej bibliotekave ma të pasura për kohën jo vetëm në Raguzë, por edhe më gjerë.

Diplomacia[redakto | redakto tekstin burimor]

Aftësitë e rralla të Gjon Gàzullit janë shpalosur jo vetëm në lëmë të shkencave të përpikta, por edhe si një prej diplomatëve më të shquar të kohës. Siç dihet, popujt ballkanikë po përpiqeshin ti bënin ballë pushtimit osman. Ishin kohë të vështira jo vetëm për Gadishullin, por rrezikoheshin edhe pjesë të tjera të Europës, e këta, ma shumë se me mbështetë luftën e popujve ballkanikë, për interesa të veta, u bënë aktivë në mbështetjen e këtyre përpjekjeve. Qendrat kryesore të një diplomacie aktive ishin aso kohe Roma e Budapesti.

Mision i parë diplomatik i dokumentuar i Gàzullit është udhëtimi i tij për në Romë që të takonte mbretin e Hungarisë Sigmundin (parardhësin e Korvinit) me rastin e kurorëzimit të tij mbret prej Papës. Ky mision, simbas vetë dokumentave raguziane, i ishte besuar më të shquarit të asaj Republike e me autoritet edhe ndër hungarezë. Misioni i tij i dytë është ai i vitit 1435 në Italinë e Jugut e fill mbas pak në Slloveni.

Në ato vite bashkpunimi në mes princave shqiptarë e Sigmundit të Hungarisë ishin dendësuar shumë. Ka qenë pikërisht Gàzulli ai që lehtësoi rikthimin e shumë shqiptarëve në Atdhe me qëllim forcimin e rezistencës antiosmane, e kjo veprimtari vazhdoi me udhëtime të shpeshta në Romë, Firence, Sienë, Lubjanë etj.

Duke qenë i përpirë në këto veprimtari të dendura diplomatike, Republika e Raguzës e liron atë nga detyra e Rektorit dhe emëron në vend të tij Pal Gàzullin, vëllain e tij, që cilësohet ndër dokumenta “magister, prudens et literatus vir”, që do të thotë se kishte kryer edhe ai studime universitare, si dhe identifikohet si vëlla i “magister Johannis Gaxuli”. (Kujtojmë se, si Pali, ashtu edhe vëllaj tjetër Andrea, do të përmenden më vonë si bashkëpunëtorë të afërt të Kastriotit). Po afrohej “Stina e madhe e Kastriotit” e vëllezërit Gàzulli, Pali, Andrea, Dhimitri, e mbi të gjithë Gjoni, do të kishin një vend të rëndësishëm në atë “stinë”.

Nga viti 1443 Raguza shërbeu si qendër informacioni për Europën e krishtenë mbi sa po ndodhte në Shqipëri ku kishin filluar në masë kryengritjet antiosmane me në krye Gjergj Kastriotin. Gàzulli, si diplomat i sprovuar, u angazhua pothuaj tërësisht në çështjen shqiptare. Në vitet e para ai bëri sa askush tjetër për tërheqjen e vëmendjes për çfarë po ndodhte në Shqipëri duke shfrytëzuar udhëtimet e tij të shumta diplomatike për llogari të Raguzës. I gjendun nën trysninë e rrethimeve të njëpasnjëshmme turke, Kastrioti u kërkoi ndihmë si Raguzës, ashtu edhe Venedikut, Romës, Napolit e Hungarisë. Me përjashtim të kësaj të fundit, të parët u mjaftuen me ndihma financiare apo edhe me ndonjë armatim, por jo me një bashkpunim konkret, pse nuk donin të hynin në luftë të drejtpërdrejtë me Turqinë. Në gjithë këte veprimtari diplomatike, dy ishin “ambasadorët” shëtitës ma të rëndësishëm të Kastriotit, vëllezërit Gjon e Pal Gàzulli, ky i fundit sidomos me përfaqësimin e Kryezotit të Shqipnisë pranë Papatit, por edhe si “këshilltar” i Gjergjit tonë, aq sa qe quajtur “mendja e Kastriotit”.

Por Gjoni, siç do ta tregonte fundi jo i largët i jetës së tij, pak e nga pak u tërhoq nga diplomacia për arësye shëndetësore e moshe, por shumë historianë janë të mëndjes se u tërhoq edhe nga dëshira e zjarrtë t’i çonte deri në fund studimet e tij shkencore.

Ishte pikërisht në këtë periudhë që doli ma në dukje roli i Pal Gàzullit si diplomat. Duhet thënë se aty nga fillimi i viteve ’50 e deri sa u vdiq, Pal Gàzulli ishte ai që mbajti lidhjet e Shqipërisë me Hungarinë, Raguzën, e me mbarë Gadishullin Apenin.

Shih edhe[redakto | redakto tekstin burimor]

Literatura[redakto | redakto tekstin burimor]

Referenca[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Fjalor enciklopedik shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 757. ISBN 978 99956 10 27 2
  2. ^ Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë, 2011, fq. 359
  3. ^ (tal.) SRAZ LVIII, 2013. Smiljka Malinar: Tideo Acciarini, un magister scholarum d’Oltreadriatico nella Dalmazia umanistica, str. 80
  4. ^ a b (kroat.) Proleksis enciklopedija LZMK Gazulli (Gazulić), Gjin (Ivan, Joannes) Ažurirano: 20. veljače 2014. (pristupljeno 9. lipnja 2016.)
  5. ^ (kroat.) Prilozi za istraživanje hrvatske filozofske baštine, Vol.3. No.5-6 Prosinac 1977. Vladimir Bazala: Nekoliko hrvatskih prirodoslovaca - filozofa, s. 182-183 (pristupljeno 9. lipnja 2016.)