Gruemira
Gruemira (njësia administrative Gruemirë) është komunë e bashkisë Malësi e Madhe në qarkun e Shkodrës.
Pozita gjeografike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Komuna Gruemirë kufizohet në veri me komunën e Koplikut dhe komunën e Shkrel, në lindje me komunën Pult, në jug me komunën Rrethina dhe në perëndim me liqenin e Shkodrës. Përfshin 15 fshatra nën administrim.
Veçoritë natyrore
Ka reliev kryesisht fushor, ku shtrihet edhe fusha Gruemirë-Grizhë (pjesë e fushës së Mbishkodrës). Përveç fushave, janë prezente edhe kodrat dhe vargmalet, ku maja më e lartë është mali i Maranajt (1576m).
Klima
Është tipike mesdhetare (verë e nxehtë dhe e thatë, dimër i butë dhe i lagësht) dhe reshjet e shiut shkojnë deri në 500 mm.
Hidrografia
Njësia administrative Gruemirë laget nga Liqeni i Shkodrës dhe vija e Vrakës, e cila derdhet në liqenin e Shkodrës.
Popullsia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gruemira ka një popullsi prej 8890 banorësh (2011) me një dendësi prej 78 b/km². Territori përfshin 113.7 km².
Besimi është në dominancë musliman, por ka në numër të madh edhe katolikë, po ashtu edhe pakica ortodokse (kryesisht në Boriç i Vogël - Boriç i Madh).
Pakicat etnike në zonën administrative Gruemirë, i gjejmë kryesisht në fshatrat Boriç i Madh dhe Boriç i Vogël, të mbetur në Shqipëri, pas mbylljes së kufinjve shqiptar me Malin e Zi dhe Serbinë.
Migrimet dhe emigrimet kanë qenë të shumta dhe kanë ndikuar ndjeshëm në rënien e popullsisë së kësaj zone. Vendet që janë preferuar më shumë për migrim janë: Shkodra dhe Tirana, kurse për emigrim, janë: Anglia, Gjermania dhe Italia. Kohët e fundit është rritur preferenca për emigrim drejt Francës.
Ekonomia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Prodhimet kryesore sigurohen nga bujqësia dhe blegtoria, por një vend të rëndësishëm zenë edhe pyjtaria dhe bletaria. Në këtë zonë, duke qenë se klima është kryesisht mesdhetare, kultivohet bima e duhanit, sherebelës, levandës, makthit etj. Po ashtu kemi vreshtari dhe pemishte, drithëra, perime. Tek blegtoria përfshihet kryesisht mbajtja e bagëtive të trasha dhe më pak ato të imëta. Gjithashtu është i zhvilluar edhe peshkimi.