Jump to content

Hedvig Kadriu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Hedvig M. KADRIU ka lindur në Tërrnovc, komuna e Bujanovcit (më 04\12\1950). Shkollimin e mesëm dhe Fakultetin e Mjekësisë i kreu në Prishtinë. Është mjeku i parë që u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë, dega Mjekësia e përgjithshme, Universiteti i Prishtinës, më 04.09.1974.

Pas përfundimit të studimeve angazhohet në Fakulteti e Mjekësisë në Prishtinë, Asistent në lëndën Farmakologjia. Në vitin 1976 kalon të punoj Mjek i praktikës së përgjithshme pranë Shtëpisë së Shëndetit në Prishtinë dhe Novo Bërdë.

Në intervalin kohorë 1979-1982 u Specializua për Sëmundje të brendshme pranë Fakultetit të mjekësisë, Universiteti "Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

Nga viti 1982 punon pranë njësisë punuese “Shërbimet specialistike” të Shtëpisë së shëndetit në Prishtinë. Nga janari i vitit 2012 e deri në dhjetorë të vitit 2015 (deri në moshën e pensionimit) ka punuar në Shërbimin për Sëmundje të Brendëshme të Spitalit privat - "SPITALI AMERIKAN" në Prishtinë.

Krahas punës praktike profesionale me pacientë, Dr Hedvigu merret edhe me punë kërkimore-shkencore. Ka shkruar dhe publikuar 28 punime shkencore dhe profesionale, të cilat janë publikuar nëpër Revistat Shkencore mjekësore (“Praxis Medica”) ose janë komunikuar nëpër Simpoziume dhe Kongrese vendore dhe ndërkombëtare.

Në vitin 1996, pas punës dhe mbrojtjes me sukses së temës së Disertacionit të doktoranturës, me titull: “Reaktiviteti imunologjik te personat e eksponuar veprimit kronik të plumbit”, u promovua në Doktor i Shkencave Mjekësore.

Prej aktiviteteve shoqërore të Dr Hedvigut, vlenë të veçohen këto në vijim: anëtar i Kryesisë së Shoqatës së mjekëve të Kosovës (1984–1988), anëtar i Këshillit redaktues të revistës shkencore “PRAXIS MEDICA”( 1984–1988), kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Kosovës, Selia në Prishtinë (1984–1988), anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës (2002), anëtar i Shoqatës Europeane të Kardiologjisë (2009).

Prej angazhimeve të tija në fushën arsimore - akademike, duhet veçuar: Asistent në lëndë e Farmakologjisë Klinike (1975), nismëtar, themelues dhe Ligjerues i parë i lëndës "HYRJE NË MJEKËSI" pranë Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës (2010) dhe Ligjerues i lëndës "Menaxhment Shëndetësorë" pranë Kolegjit ILIRIA në Prishtinë.

Përveç publikimeve tjera shkencore, Dr Hedvigu është autorë edhe i këtyre librave dhe monografive shkencore: “ALERGOLOGJIA KLINIKE” (1983), “SËMUNDJA ISKEMIKE E ZEMRËS” – botimi i parë (1995), “ELEKTROKARDIOGRAFIA” (2001), “KANË THËNË PËR …” (2005), “SËMUNDJA ISKEMIKE E ZEMRËS” – botimi i dytë (2009) dhe Monografia "MUHARREM KADRIU - nga dokumentet dhe kujtimet e të birit" (2018).

Pas përfundimit të karierës profesionale dhe akademike, është pensionuar (më 2015) dhe jeton në Prishtinë.