Jump to content

Historia e popullit shqiptar. Vëllimi 1

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sinteza Historia e popullit shqiptar. Vëllimi 1. Ilirët, Mesjeta, Shqipëria nën Perandorinë Osmane gjatë shek. XVI - vitet 20 të shek. XIX Autori: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë. Shtëpia botuese "Toena". Viti i botimit 2002, faqet e librit 806. ISBN 99927-1-622-3

Vëllimi i parë i sintezës "Historia e popullit shqiptar" nuk është thjesht një vepër e kufizuar për rrethet akademike apo ato studentore, por shpreh një hulumtim serioz për gjithë individët që dëshirojnë të kenë njohuri më të gjera për historinë tonë. Kjo vepër ka natyrë gjithëpërfshirëse.

Në vëllimin e saj të parë, lexuesi do të njohë faktet rreth lashtësise së popullit tonë dhe prejardhjes së tij pellazge. Më tej ai do të vazhdojë në një udhëtim ku do të njohë të gjitha fiset ilire dhe shtrirjen e tyre gjeografike.

Në këtë vepër do të hasë mbretërit e mëdhenj ilirë: Likurgu, mbreti i parë ilir; Bardhyli, i cili i bëri ballë me sukses sulmeve të mbretërve maqedonas dhe Pirron e Epirit, prijësin epik mollos, i cili është cilësuar nga Hanibali si "prijësi ushtarak më i mirë i kohës" dhe Plutarku e vlerësonte si "një nga personalitetet më të rëndësishëm te kohës së tij". Lexuesve do t`u paraqitet një panoramë e plotë e mbretëreshës legjendare Teuta: luftërat e saj kundër Romës dhe gjithashtu tradhinë e gjeneralit të saj më të afërt Dhimitër Farit. Pas rënies nën pushtimin romak, lexuesit do të njihen me çdo zhvillim ne çdo fushë të jetës së asaj periudhe duke përfshirë edhe kryengritjet e Batos.

Mesjeta do t`i gjejë trojet shqiptare të sunduara nga një grusht feudalësh apo gjithnjë ne luftë kundër anzhuinëve, bullgarëve apo serbëve të Stefan Dushanit. Por kjo periudhë do të shënoje një moment tepër të rëndësishëm: krijimin e shtetit të përqendruar shqiptar Principatës së Arbrit.

Më tej lexuesi do të bjerë në vorbullën e dyndjeve osmane. Ai do të njihet me betejat me në zë të asaj kohe si Beteja e Fushë-Kosovës. Pjesë e kësaj periudhe është edhe Epoka e Skënderbeut, një epokë dhe personalitet të madh me të cilin identifikohemi edhe sot.

Vorbulla e sundimit osman do ta shoqërojë lexuesin për një kohë të gjatë duke i paraqitur një sërë ngjarjesh. Pas vdekjes së Skënderbeut vjen edhe konsolidimi i pushtimit osman. Por ai nuk do të pranohet lehtë nga shqiptarët, sepse një sërë kryengritjesh shënjohen në këtë periudhë si kryengritja e drejtuar nga Pjetër Bogdani dhe nje sërë të tjerash.

Një moment interesant i sundimit osman është edhe ngritja e pashallëqeve shqipare, nga të cilët më të rëndësishmit ishin: Pashallëku i Bushatllinjve dhe Pashallëku i Ali Pashë Tepelenës. Lexuesit do të njihen me organizimin dhe natyrën e drejtuesve të tyre dhe me faktin interesant se qe Ali Pashai që paraqiti i pari idenë e krijimit të një monarkie kushtetuese në Ballkan.

Vepra do të vazhdojë edhe me një thellim mbi ngjarjet më të rëndësishme në fushën kulturore, arsimore, sociale dhe ekonomike për të dhënë një tablo të plotë të asaj periudhe.

Historia e popullit shqiptar. Vëllimi 2 (Botim i vitit 2002).

Historia e popullit shqiptar. Vëllimi 3 (Botim i vitit 2007)

Historia e popullit shqiptar. Vëllimi 4 (Botim i vitit 2009)