Historia gojore, guidë
Historia gojore mbledh kujtime dhe komente personale me rëndësi historike përmes intervistave të regjistruara. Kujtesa është thelbi i historisë gojore prej së cilës mund të nxirret dhe të ruhet kuptimi. Një intervistë e historisë gojore në përgjithësi përbëhet nga një intervistues i përgatitur mirë që merr në pyetje një të intervistuar dhe regjistron shkëmbimin e tyre në format audio ose video. Regjistrimet e intervistës transkriptohen, përmblidhen ose indeksohen dhe më pas vendosen në bibliotekë ose arkiv. Këto intervista mund të përdoren për kërkime, të publikohen në një radio- ose videodokumentar, ekspozitë muzeale, dramatizim ose forma të tjera të prezantimit publik. Regjistrimet, transkriptet, katalogët, fotografitë dhe materialet përkatëse dokumentare mund të postohen gjithashtu në internet. Për të shmangur përsëritjen e gabimeve të zakonshme, historianët gojorë kanë krijuar standarde për kryerjen e intervistave dhe kanë vendosur parime për trajtimin etik me të intervistuarit e tyre. Por historia gojore është një fushë tepër dinamike dhe krijuese për ta përkufizuar. Për çdo rregull ka një përjashtim. Çdo përkufizim i procesit të historisë gojore ose i ndonjë metode intervistimi duhet të pasqyrojë qëllimet e projektit specifik, burimet në dispozicion dhe konsiderata të tjera praktike.[1]
Planifikimi i projektit për historinë gojore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pyetje që duhen marrë parasysh përpara se të filloni një projekt të historisë gojore:
- Cila është tema historike që duam të hetojmë?
- Cilat janë synimet e projektit?
- Si përdoret informacioni që mblidhet?
- Çfarë llojesh duhen për projektin?
- Çfarë duhet të bëhet me të (për shembull, depozitim në arkiv)?
Duke iu përgjigjur pyetjeve e kemi më të lehtë të vazhdojmë punën më tej.
- Kush mund të na japë informacion mbi këtë temë? Sa intervista duhet të bëhen? Sa njerëz do të intervistojmë?
- Cili personel nevojitet për ta bërë këtë?
- Çfarë pajisjesh dhe materialesh kërkohen?
- Sa do të zgjasë projekti?
- Sa thellë duhet të hulumtojmë?
- Çfarë fondesh duhen? Ku mund t’i marrim këto fonde?
Përgatitja për intervistën
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Një intervistë e historisë gojore përfshin ndërveprime komplekse sociale; nuk ka një formulë të gatshme që garanton sukses. Respekti për njerëzit është i shenjtë, për inteligjencën, ndjeshmërinë, fleksibilitetin. Të gjitha këto cilësi personale ndikojnë në situatën e intervistës. Por intervistimi është gjithashtu një aftësi që mund të mësohet me praktikë sistematike. Sugjerimet e mëposhtme synojnë ta lehtësojnë këtë proces.
Shënime për intervistimin
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Filloni duke përcaktuar problemin historik që dëshironi të hetoni. Vetëm atëherë mund të vendosni se si do ta zhvilloni intervistën dhe çfarë të pyesni.
- Për të trajtuar problemin e paragjykimit të intervistës ju duhet të eksploroni supozimet, vlerat dhe qëndrimet tuaja. Intervista nuk kërkon një neutralitet të pamundur. Kërkon vetëdije të veçantë dhe vetëdisiplinë.
- Përpara se të bëni intervistën e parë, bëni sa më shumë kërkime në sfond. Historia gojore nuk mund të ndahet ose të zëvendësohet me metoda të tjera të kërkimit historik
- Zgjidhni të intervistuarit që do të jenë në gjendje dhe të gatshëm të japin informacionin që ju nevojitet. Të intervistuarit mund të zgjidhen se jeta e tyre ilustron tema të caktuara historike ose sepse ata kanë njohuri të veçanta apo zënë një pozicion unik në një ngjarje, lëvizje ose institucion historik.
- Me shkrim ose personalisht (mundësisht e ndjekur nga një letër ose email konfirmimi) merrni leje për të zhvilluar intervistën dhe për të shpjeguar qëllimin e saj. Jepni një përshkrim të projektit dhe përmendni çdo formular lëshimi që do të përdorni. Kjo është koha e duhur për t'u siguruar që i intervistuari e kupton se materialet mund të depozitohen në një arkiv. Gjatë kësaj bisede jini të ndjeshëm ndaj çdo hezitimi nga ana e të intervistuarit. Theksoni rëndësinë e ruajtjes së këtyre historive dhe vënien e tyre në dispozicion të brezave të mëvonshëm. Provoni t'i qetësoni për faktin se këto janë reminishenca të folura, të papërpunuara, jo ese gramatikore.
- Hartoni një listë të temave ose pyetjeve specifike që do të hulumtohen. Do të ishte mirë t'u referoheni këtyre pyetjeve gjatë intervistës, por nuk duhet të ndiheni të shtrënguar prej tyre.
- Zgjidhni kohën dhe vendin për intervistën me të intervistuarin. Zgjidhni një mjedis që maksimizon komoditetin e të intervistuarit dhe shmangni vendet me zhurmë shpërqendruese në sfond.
- Përgatitni çdo formular lëshimi ose dokumente të tjera që mund të jenë të nevojshme.
- Para intervistës, njihuni plotësisht me pajisjet tuaja të regjistrimit. Lexoni manualin e pajisjeve, testoni mikrofonin dhe nivelet e hyrjes në mënyrë që të dini si të monitoroni pajisjet gjatë intervistës.
Intervista
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Një orë para intervistës vendosni pajisjet dhe më pas zhvilloni intervistën.
- Vendosni regjistruesin tuaj dhe regjistroni hapjen e intervistës në kasetë. Përfshini emrin e të intervistuarit, emrin tuaj, datën, vendndodhjen dhe temën që do të diskutoni në intervistën tuaj.
- Sigurohuni që të kontrolloni (riprodhoni) regjistrimin në fillim të intervistës. Nëse ka zhurma në sfond apo probleme të tjera me regjistrimin, ky do të jetë momenti për të adresuar çështje të tilla.
- Intervistat mund të jenë autobiografike ose aktuale. Në secilin rast, filloni në një moment në kohë përpara ngjarjeve qendrore që dëshironi të eksploroni. Për të gjitha intervistat, përfshini informacionin bazë në lidhje me vendlindjen, datën e lindjes dhe origjinën e familjes; do të ndihmojë në krijimin e një konteksti për intervistën dhe komoditet për të intervestuarin.
- Ju duhet të kërkoni një ekuilibër në të cilin t'i lejoni të intervistuarit të shprehin logjikën e jetës së tyre ashtu siç e kuptojnë, ndërsa në të njëjtën kohë të ruani një ndjenjë të drejtimit të përgjithshëm të bisedës dhe të krijoni pyetje për të nxjerrë informacione që kanë interes për ju. Dëgjoni me kujdes. Mos kini frikë nga heshtja. Lërini të intervistuarit kohë të mendojë, për të vazhduar pas një pauze. Vlerësoni në mënyrë kritike rrjedhën e informacionit, në mënyrë që të mund të kërkoni për elaborim aty ku deklaratat e të intervistuarit janë të paqarta. Mbani shënime që do t'ju kujtojnë të bëni pyetje vijuese në një moment të përshtatshëm, në vend që të ndërprisni të menduarit e intervistuarit.
- Shmangni pyetjet kryesore ose paragjykuese. Pyetjet tuaja duhet të jenë të hapura dhe nuk duhet të ofrojnë një listë të përgjigjeve alternative. Ata duhet të jenë të drejtpërdrejtë dhe të saktë. Shmangni të bëni disa pyetje nën maskën e njërës. Bëj pyetje dhe sigurohu që i intervistuari po të kupton.
- Kërkoni shembuj konkretë të qëndrimeve dhe ndjenjave nga të cilat mund të nxirrni orientime subjektive. Përqendrohuni te sjellja, por përpiquni të kuptoni kuptimin që i intervistuar u jep veprimeve të tij /saj Zhvilloni së pari faktet dhe ngjarjet, më pas eksploroni ndjenjat dhe vlerat. Mund t'ju duhet të stimuloni kujtesën e të intervistuarit ose të zvogëloni konfuzionin kronologjik duke ofruar fakte kyçe të mësuara nga hulumtimi në sfond.
- Mund të jetë e dobishme të rregulloni sekuencën e temave në mënyrë që të shtyhen deri në pyetjet e fundit që mund të të jetë kërcënues ose sfidues për të intervistuarin. Brenda çdo teme, mund të jetë e dobishme të filloni me një pyetje të gjerë, dhe më pas të bëni pyetje të ngushta dhe të hollësishme në vazhdimësi ndërsa biseda vazhdon.
- Kur një i intervistuar duket se nuk dëshiron ose nuk është në gjendje të japë informacione të caktuara, përpiquni t'i qaseni temës nga një kënd tjetër, duke treguar informacione kontradiktore që keni marrë nga burime të tjera, përndryshe , prisni deri më vonë në intervistë për t'u kthyer në temë. Kur është e përshtatshme, përmendni se do të jetë e mundur të kufizohet intervista sipas dëshirës së të intervistuarit.
- Zakonisht një seancë interviste nuk duhet të zgjasë më shumë se 90 minuta. Jini vigjilent ndaj shenjave të lodhjes, shpërqendrim, ose mërzitje. Kryeni një intervistë të gjatë në disa seanca.
- Lëreni të intervistuarin të plotësojë dhe të nënshkruajë formularët e lirimit dhe/ose dokumente të tjera.
Pas intervistës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Menjëherë pas seancës, shkruani shënimet tuaja në terren. Shënimet në terren duhet të përfshijnë: emrat dhe të intervistuarin tuaj: datën, orën dhe vendndodhjen e të intervistuarit dhe një përshkrim të vetë intervistës. Përshkruani mjedisin, njerëzit e tjerë të pranishëm; çdo ngjarje përkatëse që ka ndodhur para, gjatë ose pas intervistës; vëzhgimet që nuk u kapën në regjistrimin audio; dhe reflektimet tuaja të sinqerta për çfarëdo dinamike që ka ndodhur gjatë intervistës/vizitës.
- Dërgojini të intervistuarit një falënderim me shkrim.
- Punoni vetëm me një kopje të regjistrimit për qëllime transkriptimi ose indeksimi.
- Etiketoni regjistrimet, shënimet dhe çdo material tjetër në mënyrë të rregullt; kjo do t'ju ndihmojë t’i organizoni ato dhe t’i mirëmenaxhoni vonë.
- Vendosni se si do t'i ruani dhe organizoni regjistrimet, transkriptet, kopjet e formularëve publikimit dhe informacione të tjera për të intervistuarit; nëse planifikoni të depozitoni historinë tuaj gojore në një arkiv, konsultohuni me ta për formatin, etiketimin dhe organizimin e materialeve.
- Dëgjoni regjistrimin dhe vlerësoni sjelljen tuaj dhe përmbajtjen e intervistës. Vetëm me një autokritikë të tillë mund të mësoni nga gabimet tuaja dhe të përmirësoni aftësitë tuaja intervistuese.
- Vendosni nëse një intervistë vijuese do të jetë apo jo e nevojshme. Shpesh është e dobishme të zhvilloni sesione pasuese pasi të keni analizuar përmbajtjen e intervistës dhe të kuptoni më mirë atë që po kërkoni.
- Pasi të kryhet intervista, fillon "historia". Intervista është e dhënë e papërpunuar, duhet të krahasohet dhe të përdoret në lidhje me provat e tjera. Historia gojore fillon me mbledhjen, transkriptimin/indeksimin dhe ruajtjen e intervistave. Por qëllimi i saj është sinteza dhe interpretimi historik. Mos harroni se është një përpjekje bashkëpunuese; merrni parasysh mënyrat se si mund ta angazhoni të intervistuarin tuaj në këtë proces interpretues.
Këshilla për intervistuesit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Zgjidhni një vend të qetë dhe vendosni mikrofonat.
- Bëni një pyetje në një kohë. Bëni pyetje të drejtpërdrejta.
- Bëni pyetje të hapura - pyetje që fillojnë me "pse, si, ku, çfarë lloji," etj. Shmangni pyetjet "po ose jo".
- Filloni me pyetje të thjeshta. Një mënyrë e mirë për të filluar, për shembull, është me kujtimet e fëmijërisë së të intervistuarit.
- Është e natyrshme të ketë heshtje në intervistë. Këto janë periudha të dobishme reflektimi dhe kujtimi për të intervistuarin tuaj.
- Shmangni ndërprerjen e të intervistuarit.
- Nëse i intervistuari largohet nga tema për të cilën ju intereson, mos u frikësoni. Ndonjëherë pjesët më të mira të intervistës vijnë në këtë mënyrë. Nëse mendoni se është larguar shumë, kthejeni butësisht të intervistuarin në temë me pyetjen tuaj të radhës.
- Jini të respektueshëm për të intervistuarin. Përdorni gjuhën e trupit për të treguar se jeni të interesuar për atë që ai ose ajo ka për të thënë. Mbani mend, i intervistuari po ju jep dhuratë kujtimet dhe përvojat e tij/saj.
- Pas intervistës, falënderoni të intervistuarin për ndarjen e përvojave të tij /saj. Gjithashtu dërgoni një falënderim me shkrim.
- Mos e përdorni intervistën për të nxjerrë në pah njohuritë, sharmin ose atributet e tjera. Mos harroni, "intervistuesit e mirë nuk shkëlqejnë kurrë, vetëm intervistat e tyre shkëlqejnë."
Formulari i intervistës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Akti i Dhuratës / Leja për të Drejtën e Autorit - Ky formular duhet të nënshkruhet për çdo intervistë që do të përdoret dhe/ose depozituar. Ai mbulon çështjet e të drejtave të autorit dhe kontaktet e IRB - së dhe mund të japë një licencë për përdorim ose të përcjellë të drejtat, titullin, interesin dhe të drejtën e autorit. Subjekti i intervistës nuk duhet të nënshkruajë formularin e lirimit deri në përfundimin e intervistës. Sigurohuni që të mermi informacionin e kontaktit të të intervistuarit në formularin e lirimit. Ekzistojnë disa versione të formularit të lëshimit, duke përfshirë një për kufizime. Nëse një i intervistuar përmend një preferencë për disa kufizime në intervistat e tij, ofrojini atyre mundësinë për të nënshkruar një Akt Dhuratë me Kufizime dhe përgatituni të diskutoni kufizimet në të.
- Historia e jetës - Formulari i Historisë së Jetës ofron informacion të vlefshëm për studiuesit e mundshëm dhe fillimi i një interviste me histori të jetës është një mënyrë e mirë për ta bërë të intervistuarin të flasë për tema të njohura dhe të qetësohet. Për më tepër, forma e historisë së jetës u jep të intervistuarve një mundësi për të vetidentifikuar orientimin e tyre racor dhe gjinor. Sigurohuni që të mblidhni informacionin e saktë të kontaktit.
- Abstrakt - Abstrakti është vendi i parë që një studiues i mundshëm do të konsultohet për ta zbuluar përmbajtjen e intervistës. Si i tillë, ai duhet të jetë një paragraf i shkruar që mbulon të gjitha temat dhe temat kryesore të intervistës sipas rendit kronologjik të regjistrimit audio. Ai duhet të jetë i qartë dhe informacioni duhet të jetë i lehtë për t'u aksesuar. Emrat dhe akronimet e duhura duhet të jenë të sakta dhe të shkruara plotësisht.
- Shënime në terren - Shënimet në terren mbulojnë të gjitha aspektet e intervistës që një studiues i mundshëm nuk mund t’i nxjerrë nga një transkript ase regjistrim audio. Kjo përfshin zhurmat dhe ndërprerjet në sfond ndërveprimet personale si: sinjalet javerbale dhe sjellja emocionale; karakteristikat e personalitetit të të intervistuarit që ndikuan në intervistë; dhe së fundi, çdo vëzhgim i përgjithshëm që intervistuesi beson se është i rëndësishëm që studiuesit e ardhshëm të dinë.
- Forma e duhur e fjalës - Format e duhura të fjalëve ndihmojnë në procesin e transkriptimit dhe do t'ju kursejnë kohë në redaktime. Gjatë gjithë intervistës, përpiquni të mbani gjurmët e fjalëve të duhura, pseudonimeve, akronimeve dhe fjalëve të tjera që dikush që nuk e njeh historinë e të intervistuarit mund të mos i njohë menjëherë. Në fund të intervistës, kaloni nëpër listën e fjalëve me të intervistuarin korrigjoni cilindo emër dhe vendosni drejtshkrimin dhe specifikoni se çfarë kuptimi kanë akronimet. Drejtshkrimi i duhur dhe emrat e plotë ndihmojnë studiuesit e ardhshëm duke siguruar saktësinë.
- Tape Log - Regjistri i kasetave është një dokument tekstual i prodhuar nga regjistrimi audio që ndihmon të lundroni në intervistë. Në vend të një transkriptimi të plotë, regjistri kasetës përmban përmbledhje të shkurtra të përmbajtjes së intervistës, ndonjëherë duke përfshirë cate, të përputhura me vulën e duhur kohore. Në përgjithësi ekziston një paragraf i ri me një vulë kohore sa herë që ndryshon një temë. Informacioni i përgjithshëm në lidhje me vendosjen e intervistës, përmbajtjen, etj mund të përfshihet gjithashtu në regjistrin e kasetave për të ofruar kontekst të mëtejshëm. Regjistrat e shiritit mund të jenë shumë të dobishëm kur nuk ka një transkriptim.
- Transkripti - Transkripti është një dokument tekstual që regjistron përmbajtjen e intervistës. Ai nuk ka për qëllim të jetë një dokument i lëmuar, gramatikisht i përsosur, por një regjistrim i saktë i asaj që u tha gjatë intervistës.[2]
Marrëveshja e mirëkuptimit mes palëve dhe e drejta e autorit[3]
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas OHS të gjitha projektet e historisë gojore, intervistuesit, studiuesit dhe kujdestarët apo personat përgjegjës në arkiva, muze dhe biblioteka që mbajnë materiale të historisë gojore, kanë nevojë për autorizim të qartë për përdorimin e këtyre materialeve, përndryshe nuk mund të justifikojnë kohën dhe përpjekjet e nevojshme për ruajtjen, dokumentimin dhe arkivimin e tyre. Intervistuesit dhe institucionet si muzetë duhet të kërkojnë nga të intervistuarit të japin të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera me shkrim, dhe të bëjnë të qartë aprovimin e tyre për përdorim dhe akses duke plotësuar dhe nënshkruar një marrëveshje. Një marrëveshje mirëkuptimi me shkrim e firmosur nga ana e përfaqësuesëve të projektit apo mes intervistuesit dhe të intervistuarit mund të zëvendësojë marrëveshjen e regjistrimit. Në marrëveshjen e mirëkuptimit është rënë dakord për publikimin e intervistës dhe përdorimin e saj të pakufizuar dhe falas, në kuadër të projektit, Marrëveshja e mirëkuptimit përgatitet nga grupi i punës dhe i dërgohet personit që do të intervistohet ta shohë atë paraprakisht, në rastin më të keq ajo i prezantohet atij para fillimit të intervistës. Në rast se palët nuk bien dakord, kanë mosmarrëveshje apo dëshirojnë të negociojnë ndonjë pikë të marrëveshjes, intervista nuk mund të kryhet pa u dakordësuar palët. Kur personi që intervistohet nuk ka kontestime në lidhje me marrëveshjen, ajo firmoset në dy kopje nga ana e të intervistuarit dhe intervistuesit. Qartësimi i të drejtave të autorit për të dhënat e mbledhura Përgjegjësia e intervistuesit vazhdon edhe pas intervistës në sqarimin e të drejtave të autorit me personin e intervistuar. Sipas OHS në fund të intervistës, të intervistuarit i duhet rikujtuar: e drejta e autorit (transfer of copyright) marrëveshjet që janë bërë për kujdesin dhe ruajtjen e intervistës dhe materialit shoqërues, si menjëherë dhe në të ardhmen, dhe të çdo përdorimi të mundshëm të intervistës në të ardhmen nëse kërkon ndonjë kufizim në përdorimin ose disponueshmërinë e intervistës për momentin apo në të ardhmen.
Marrëveshje mirëkuptimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Unë, (emri i të intervistuarit), jap pëlqimin dhe pajtohem me publikimin e intervistës dhe përdorimin e saj të pakufizuar dhe falas në kuadër të projektit "emri i projektit" nga i intervistuari. Unë, gjithashtu i jap leje (personit përgjegjës të projektit dhe intervistuesit) të përdorë dokumentet e mëposhtme: fotot e marra gjatë intervistës; fotografitë ose objektet që i kam dhënë hua organizatorëve të projektit; përtej dakordësisë sime në lidhje me përdorimin sa më sipër, përjashtim bëjnë (pjesa e materialeve të cilat nuk biem dakord të përdoren).
Data:
Nënshkrimi ( i/e intervistuari/a ) Nënshkrimi ( Ekipi i projektit )
Sfondi personal
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Para intervistës duhet ta njohim mirë personin me të cilin do të bisedojmë, sfondin tij personal. Kur janë personalitete të njohur mund të hulumtojmë fillimisht në internet, ose të pyesim shokë, mësues apo persona të tjerë që mund t'i njohin. Kështu do të kemi një panoramë më të plotë për personin përballë. Gjatë procesit të intervistimit mund të ndodhë që na rrëmben biseda dhe në fund të harrojmë të shënojmë të dhënat personale të të intervistuarit. Prandaj dokumentimi dhe renditja e saktë e informacioneve që duam në lidhje me personin rekomandohet të plotësohen qysh në fillim:
Emri / Mbiemri
Ditëlindja (mosha)
Vendlindja
Vendbanimi në momentin kur ka përjetuar ngjarjen
Sa vjeç ishte kur ndodhi ngjarja?
Në varësi të rastit mund të pyeten edhe për besimin fetar, për përkatësinë etnike etj.
Sfondi historik dhe gjeografik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Përveç informacioneve biografike mbi personin që do intervistojmë, është e rëndësishme të njohim kontekstin historik të ngjarjes që do trajtojmë. Vetëm kështu mund ta kuptojmë të intervistuarin dhe ato që ai tregon. Gjithashtu, në disa raste duhet të sqarojmë pozicionin gjeografik të vendit ku ka ndodhur një ngjarje e caktuar ose edhe për të njohur vendet që përmenden në rrëfimin e personit që po intervistojmë. E rëndësishme është se gjatë intervistimit, bazuar në historinë gojore të pyesim e të sqarojmë edhe ato aspekte që mund të na duket se i dimë përmendësh.[4]
Etika e kryerjes, përdorimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së historive gojore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ndërsa historia gojore është praktikuar në mënyrë rigoroze që nga mesi i shekullit të 20 - të, ata që e kanë përdorur atë, kanë ngritur vazhdimisht pyetje mbi konsideratat ligjore dhe etike që duhet të merren parasysh për të mbrojtur të intervistuarit përmes ligjeve mbi të dhënat personale dhe bordeve etike, siç është rasti i bordeve të rishikimit institucional dhe bordeve të etikës së kërkimit shkencor. Synimi i ngritjes së këtyre bordeve ka qenë shqyrtimi i qëllimit dhe metodologjisë së mbledhjes së historive gojore. Nga ana tjetër, ato u kushtojnë një vëmendje të veçantë pjesëmarrësve të përfshirë në studim, rreziqeve potenciale që mund t'u kanosen aktorëve pjesëmarrës dhe mënyrës se si ato mund të minimizohen. Bordet e etikës monitorojnë gjithashtu planifikimin e projektit, analizën dhe menaxhimin e të dhënave dhe konfidencialitetin.
Kë të intervistojmë?
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ku t'i gjejmë personat që kanë diçka për të treguar? Është e rëndësishme që personat ta dinë që në fillim synimin tonë dhe të bien dakord në parim me intervistën, në mënyrë që të shmangen keqkuptimet dhe zhgënjimet më vonë. Por në shumë raste, personat që kanë përjetuar ngjarje të rëndësishme mund të ndodhen afër nesh, në familje, në rrethin shoqëror dhe na motivojnë për t'i intervistuar vetëm duke dëgjuar historitë që rrëfejnë. Në një rast tjetër, mund të jetë tema që trajtohet në shkollë, ajo që i shtyn nxënësit të kontaktojnë dëshmitarët e kohës. Në të gjitha rastet, intervistuesi duhet të ketë përgatitur një listë pyetjesh dhe të ketë menduar renditjen e tyre. Pavarësisht informacioneve që i japim me gojë personit që do të intervistojmë, mund të përgatisim edhe një përmbledhje më shkrim të pikave kryesore që do të pyesim gjatë intervistës dhe në fund të sigurohemi që pala tjetër e ka kuptuar qëllimin e projektit.
Para se të nisni udhëtimin tuaj për të përfshirë dëshmitë e historisë gojore në studimin që do të kryeni ose në programin shkollor kujtohuni të keni parasysh këto tre pika:
- A do ta publikoni identitetin e individëve që do të intervistoni?
- A i rrezikon studimi juaj pjesëmarrësit në intervistë? Nëse po, si mund t'i mbroni?
- A ka ndonjë protokoll apo ligj vendas që duhet të keni parasysh? Nëse jo, vazhdoni të respektoni të drejtat e individëve dhe të kërkoni pëlqimin e tyre përmes deklaratës me shkrim.
Analiza e intervistës dhe prezantimi i rezultateve
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas intervistës mund të bëjmë një "zbardhje" të saj të detajuar, por edhe mund ta përmbledhim atë në vija të përgjithshme duke evidentuar momentet më të rëndësishme. Përzgjedhja bëhet në varësi të çdo rasti dhe synimit tonë final se për çfarë duam ta përdorim dëshminë gojore. Përshkrimin e gjestikulacionit të personit ( "tund kokën", "mohon" etj.) është mirë ta përfshijmë në materialin e transkriptuar për ta bërë sa më autentik rrëfimin, por mund të heqim përsëritjet e shprehive mbushëse si "hëm", "hëh", "ashtu" etj. Pajisja e dëshmisë me një tekst hyrës me të dhëna pikante mbi personin dhe ngjarjen e bën më të lehtë leximin e saj. Po ashtu një analizë e përmbajtjes dhe e narrativës i sqaron dimensionet e ndryshme të intervistës.
Analiza e përmbajtjes
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Përmes intervistave të historisë gojore ne mund të rindërtojmë një realitet të shkuar në të tashmen, siç ndërtohet një puzzle. Përmes metodës krahasuese mund të vëzhgojmë se si dëshmitarë të ndryshëm mbajnë qëndrime të ndryshme ndaj ngjarjeve të njëjta. Sepse historia nuk mund të rrëfehet bardhezi dhe nuk është një-dimensionale.
Analiza e narrativës historike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Një ngjarje të caktuar historike në të shkuarën ne mund ta gjykojmë dhe analizojmë përmes këndvështrimeve dhe pozicioneve të ndryshme që mbajnë dëshmitarët në historinë gojore që rrëfejnë. Kësisoj mund të gjykojmë qëndrimin e tyre në të shkuarën.
Analiza e vlerave
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Përmes krahasimit të gjetjeve nga dëshmitë gojore dhe përvojës së përftuar gjatë intervistimit mund të reflektojmë në mënyrë kritike për qëndrime të caktuara që shoqëria mban sot kundrejt historisë. Nëse do ishim ne në vendin e këtyre personave, si do vepronim atëherë? Po sot a do vepronim ashtu?
Çfarë të drejtash kanë të intervistuarit për të publikuar intervistat e tyre?
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Të intervistuarit mund të dëshirojnë të drejtën e përdorimit të parë. Kjo do të thotë, ata mund të duan të mbyllin intervistën ndërsa shkruajnë librin e tyre. Historia gojore mund të sigurojë skicën dhe thelbin e asaj që ata shkruajnë. Me përjashtim të rasteve kur projekti ka afatet e veta për një publikim, ekspozitë ose prezantim tjetër publik të materialit dhe për këtë arsye duhet të negociojë një datë publikimi me përfitim reciprok, nuk ka asnjë arsye pse intervista të mos mbahet e mbyllur për një periudhë të arsyeshme që do të japë të intervistuarit mundësinë për të botuar një libër, ose të braktisë përpjekjen. Libri ka shumë të ngjarë të largohet nga intervista në shumë aspekte, ose mund të mos përdorë të gjithë materialin e intervistës. Në secilin rast, studiuesit do të përfitojnë nga materiali shtesë në vetën e parë. Megjithatë, duke pasur parasysh investimin e kohës dhe fondeve të projektit tuaj të historisë gojore në intervista, dhe duke ditur se disa të intervistuar nuk do të jenë kurrë në gjendje ta kthejnë një transkript në një libër të botueshëm, pavarësisht sa kohë punojnë për të, mos lejoni kufizime të pafundme për intervistat që u japin të intervistuarve përdorim ekskluziv dhe nuk arrijnë të caktojnë një kohë të caktuar kur studiues të tjerë mund të kenë akses.
A kanë të intervistuarit të drejtë të mbyllin intervistat e tyre për një kohë të gjatë?
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Përpara fillimit të një interviste, kur të intervistuarit shpesh ndihen nervoz, intervistuesit do të shpjegojnë të drejtën e tyre për të mbyllur një pjesë ose të gjithë intervistën për aq kohë sa është e nevojshme. Në fillim, më shumë se një i intervistuar ka njoftuar, "Epo, kjo do të jetë e nxehtë dhe do të duhet të mbahet e mbyllur për një kohë të gjatë. Nuk dua të turpëroj askënd." Megjithatë, në përfundim të intervistës, i intervistuari zakonisht ndihet më i qetë, informacioni i nxjerrë rrallë rezulton të ketë qenë i turpshëm dhe është bërë e qartë se njerëzit e diskutuar janë zakonisht prej kohësh. Në këtë pikë, intervistuesi duhet të tregojë se çfarë mjeti i vlefshëm kërkimor do të bëhet intervista dhe çfarë turpi do të ishte ta mbanin atë larg studiuesve për një kohë të gjatë. Shumë shpesh i intervistuari mund të vendosë ta hapë intervistën brenda një kohe të shkurtër, nëse jo menjëherë. Një kompliment në fillim të bisedës në përgjithësi ndihmon shumë që i intervistuari të hapet në bisedë.
Ku duhet të zhvillohen intervistat?
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vendi ku do të zhvillohet intervista zakonisht varet nga i intervistuari. Disa njerëz janë shumë të zënë dhe japin intervista vetëm në zyrën e tyre. Intervistat në zyrë i hapin rrugën shpërqendrimeve dhe ndërprerjeve: një zile telefoni, hyrja e sekretares në derë, axhenda e ditës do të largojnë vëmendjen e të intervistuarit. Në mënyrë të ngjashme, në shtëpinë e të intervistuarit, telefoni, bashkëshorti, fëmijët, qeni i familjes, madje edhe pajisjet me zhurmë, mund të ndërpresin rrjedhën e intervistës dhe të krijojnë zhurma në sfond. Shumë zhurmë në sfond e bën të vështirë transkriptimin dhe kufizon përdorimin eventual të regjistrimit për në media ose ekspozita. Përpiquni ta zhvilloni intervistën në një vend të qetë larg nga shpërqendrimet e përditshme. Nëse jo në zyrën e projektit ose në zyrën e intervistuesit, atëherë zgjidhni një dhomë, apo edhe një pjesë të dhomës, që i intervistuari nuk e përdor normalisht. Largoni të intervistuarin nga prapa një tavoline dhe uluni në karrige në anën tjetër të zyrës ose në një sallë konferencash poshtë korridorit. Ose kryeni intervistën në tryezën e dhomës së ngrënies. Kërkojuni me mirësjellje të tjerëve në shtëpi ose zyrë që të mos ju ndërpresin gjatë regjistrimit. Mbylle derën nëse ka një të tillë. Marrja e të intervistuarit tek intervistuesi mundëson kontroll më të mirë të pajisjeve dhe vendosjen e magnetofonit ose kamerave dhe mikrofonave. Kur shkoni te i intervistuari, lini kohë të mjaftueshme për të vendosur pajisjet. Duke mos ditur se ku mund të ndodhen prizat elektrike, intervistuesi duhet të mbajë bateritë ose një kabëll të gjatë. Gjithmonë sillni kaseta shtesë sesa mund të prisni të përdorni në rast se intervistat zgjasin më shumë se sa ishte planifikuar. Testoni pajisjet pak para intervistës.[5]
Çfarë dokumentacioni duhet të mbahet në çdo intervistë?
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sa më shumë intervista të ketë, aq më shumë do të nevojitet kontroll mbi dokumentet. Përpunimi i secilës intervistë duhet të ecë përpara me një ritëm të arsyeshëm dhe të ruhet një "histori" e secilës. Menaxheri i projektit duhet të mbajë një regjistër, ose listën kryesore të projekteve, për çdo intervistë, duke shënuar kush është intervistuar, nga kush, për sa orë, në cilat data, duke përdorur sa bobina kasete, nëse intervista është transkriptuar, nëse është është e hapur për kërkime, çfarë kufizimesh mund të jenë vendosur në përdorimin e saj dhe nëse ekziston një kopje mikrofilm ose mikroformë.
Një skedar për çdo intervistë duhet të përfshijë gjithë informacionin biografik që është mbledhur, letra që rregullojnë intervistat dhe një përmbledhje të intervistës që përmbledh shkurtimisht (një paragraf i vetëm mund të mjaftojë) temat e trajtuara dhe emrat e njerëzve të diskutuar më shpesh. Kjo dosje duhet të përmbajë një kopje të aktit të dhuratës (formularin ligjor të lëshuar nga i intervistuari) dhe shpjegime për çdo kufizim në intervistë. Për lehtësinë e referimit, duhet të shënohen bibliotekat ose depot e tjera ku studiuesit e interesuar mund të shohin kopje të intervistës. Dosjet duhet gjithashtu të mbahen për çdo intervistues, me informacione të tilla bazë si adresat e shtëpisë dhe të punës, numrat e telefonit, fushat e ekspertizës, intervistat e përfunduara dhe intervistat e planifikuara. Mbajtja e listave të intervistuesve dhe të intervistuarve të mundshëm për fazat e mëvonshme të projektit është gjithashtu e dobishme.
Sa orë duhet të zgjatë intervista me një intervistues?
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Një seancë interviste zakonisht zgjat një orë e gjysmë deri në dy orë për të shmangur lodhjen e të intervistuarit dhe intervistuesit, por nuk ka kohë fikse për një intervistë të tërë. Çdo intervistë varet nga vlera e saj për projektin që i intervistuari duhet të thotë, dhe nëse projekti flet për një histori të jetës apo trajton vetëm një përvojë të intervistuarit. Sa herë që intervistuesit duhet të udhëtojnë larg, ata do të duhet të vlerësojnë paraprakisht numrin e orëve të intervistave pa e ditur nëse kjo kohë do të jetë e mjaftueshme. Mund të jetë i nevojshëm një udhëtim i dytë, duke e lejuar buxhetin. Kini kujdes të mos i planifikoni më shumë udhëtimet e intervistimit, duke e detyruar intervistuesin të nxitojë nga një takim në tjetrin dhe t'i shkurtojë të intervistuarit pavarësisht se çfarë kanë për të thënë. Të intervistuarit që janë ende aktiv në karrierën e tyre mund të vendosin kufij sa do zgjatë një intervistë, ndërsa personat që kanë dalë në pension apo nuk janë më aktiv, priren të jenë më tolerantë në lidhje me dhënien e intervistave më të gjata dhe të hapura. Intervistuesit duhet të përdorin gjykimin e tyre për të vendosur kur një i intervistuar është lodhur dhe nuk po mendon më qartë. Intervistuesit e mirë shpesh e shohin situatën e intervistës më stresuese për veten e tyre sesa për të intervistuarit e tyre dhe aftësia e tyre për t'i kushtuar vëmendje dhe për të ndërvepruar zvogëlohet sa më gjatë të zgjasë një intervistë.
Çfarë mësojmë nga mbledhja e historive gojore?
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Mësojmë të formulojmë pyetjet (historike) e duhura, të kërkojmë e të gjejmë dëshmitarët okularë;
- Mësojmë të rendisim pyetjet sipas rëndësisë dhe kuptimit që ato kanë në një intervistë;
- Mësojmë të zbardhim një histori gojore, ta përmbledhim atë apo ta sistematizojmë përmes dokumentimit, analizës dhe gjykimit të saj;
- Mësojmë të kontrollojmë vazhdimisht intervistën, perspektivat që shtrojnë pyetjet tona dhe përgjigjet e të intervistuarit;
- Mësojmë të analizojmë mendimet e ndryshme, nga persona të ndryshëm për të njëjtën ngjarje, të shohim dallimet dhe ngjashmëritë mes tyre;
- Mësojmë të vlerësojmë dëshmitë gojore dhe kujtimet e dëshmitarëve okularë si pjesë integrale e dokumentimit historik.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Ritchie, Donald A (2003). Doing Oral history, a practical guide (në anglisht). New York: Oxford University Press. fq. 19. ISBN 0-19-515433-9.
- ^ The Southern Oral History Program at the University of North Carolina at Chapel Hill (2014). "A practical guide to oral history" (PDF). sohp.org (në anglisht). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 19 mars 2022. Marrë më 12 korrik 2022.
- ^ Godole, Jonila; Rocker, Kailey; Agolli, Edlira (2018). Manual mbi historinë gojore. Tirana: Filara. fq. 16–33. ISBN 978-9928-4482-1-7.
- ^ Godole, Jonila; Rocker, Kailey; Agolli, Edlira (2018). "Manual mbi historinë gojore" (PDF). idmc.al. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 19 gusht 2022. Marrë më 27 gusht 2022.
- ^ Ritchie, Donald A (2003). Doing oral history, A practical guide (në anglisht). New York: Oxford University Press. fq. 59-62. ISBN 0-19-515433-9.