Iliriana Mezini

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Iliriana Mezini lindi në një familje intelektualësh, e ëma me prejardhje nga Kosova ndërsa i ati nga Tirana. Që në vogëli është marrë me shkrime në organe të ndryshme të shtypit si: revista "Fatosi", "Pioneri", gazeta "Zëri i Rinisë", gazeta "Studenti", revista "Shqiptarja e Re".

Ka bashkëpunuar me dy redaksi në Radio Tirana, atë të kulturës dhe të muzikës. Shkruante radiodramatizime për "Teatrin në mikrofon" dhe tekste këngësh nëpër anketa muzikore e festivale. Disa nga këto këngë kanë qenë edhe fituese.

Iliriana Mezini ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Politiko – Juridike, dega Drejtësi pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës. Është diplomuar në vitin 1974 si juriste. Ka punuar në organet e drejtësisë dhe ndërmarrje shtetërore deri në vitin 1991 kur u shkurtua padrejtësisht nga puna si juriste e ndërmarrjes. Kaloi shumë vite në emigrim. Pas kthimit në atdhe, ajo merret me krijimtari letrare dhe përkthime.