Iljaz Spahiu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Iljaz Spahiu prej më shumë se 30 vitesh është përkthyes dhe studiues i gjuhës, kulturës, shoqërisë e politikës kineze. Ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Pekinit në vitet 1974 – 1978, ku u specializua për Gjuhë dhe Letërsi Kineze. Nga viti 1978 – 1992 ka punuar si përkthyes i gjuhës kineze në Radion e Jashtme, Radio Tirana. Më pas ka vazhduar në Radio Tirana fillimisht si gazetar dhe pastaj si Drejtor i Departamentit të Informacionit deri në vitin 2002.

Ndërkohë ka shërbyer edhe si korrespondent për Radion "Azia e Lirë", me qendër në Uashington, në transmetimet në gjuhën kineze dhe si përkthyes i gjuhës kineze për delegacione shqiptare të nivelit të lartë. Ka qenë i angazhuar si studiues i marrëdhënieve shqiptaro – kineze, në bashkëpunim mes instituteve të studimit në Shqipëri dhe atyre në Kinë.

Është bashkautor i librit "Eksperiment kinez", botuar në vitin 1999, me analiza e vlerësime për zhvillimet në Kinë, pas zbatimit të politikës së hapjes dhe të reformave. Nga viti 2002 deri në vitin 2006 ka qenë diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Pekin. Që prej vitit 2006 vazhdon të jetojë e punojë në Pekin si konsulent biznesi midis Kinës dhe Shqipërisë.