Isa Alibali

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Isa Alibali
Portret i Isa Alibalit
U lind në26 janar 1940
Shkodër, Shqipëri
Vdiq19 shtator 2018
Shkodër, Shqipëri
KombësiaShqiptar
ProfesioniShkrimtar, arsimtar

Isa Alibali (Shkodër, 26 janar 1940 - 19 shtator 2018) ka qenë arsimtar dhe shkrimtar shqiptar.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Isa Alibali ka lindur në Shkodër më 1940. Ka kryer studimet e larta në degën Gjuhë-Letërsi të fakultetit Histori-Filologji në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Mbas tri vitesh punë në shkollat e Mirditës, ku ka qenë drejtori i parë i Gjimnazit të Rrëshenit, emërohet inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës në Shkodër dhe në vitin 1965 kryeinspektor i kulturës në atë seksion. Nga mesi i vitit 1967 e deri në fund të vitit 1982, ishte drejtor i Teatrit “Migjeni”, me një ndërprerje trevjeçare, si drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore (1969-72). Pastaj ka qenë drejtor i Shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” dhe tri vitet e fundit, deri në daljen në pension më 1991, ka punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme “Jordan Misja”.

Më 5 shkurt 1991, me nismën e inxhinierit Dashamir Uruçi dhe me pjesëmarrjen e shumë intelektualëve të njohur shkodranë, u krijua shoqata “Kosova”, një shoqatë atdhetare e kulturore, me objekt çështjen e pazgjidhur kombëtare shqiptare, kryesisht të Kosovës martire, ku kontribuon si anëtar i kryesisë në themelimin dhe veprimtarinë e kësaj organizate.

Në vitin 1997 krijon shoqatën “Dashamirët e këngës shkodrane” me synimin për t'i dhënë një hov rivlerësimit të këngës qytetare shkodrane.

Gjatë viteve të pensionit, Isa Alibali është marrë me organizimin e shumë veprimtarive kulturore-artistike në Shkodër, si organizimi dhe zhvillimi për herë të parë i “DITËS SË LULEVE” më 6 maj 2006 si bashkëideues, organizator dhe drejtues me Myfarete Laze, Ridvan Karakaçi dhe Prof. As. Dr. Ahmet Osja, veprimtari e cila u bë edhe traditë e përvitshme.

Në prill 2012, Këshilli i Bashkisë Shkodër i akordon titullin e lartë “Mirënjohja e Qytetit” me motivacionin “Për kontributin e çmuar në fushën e kulturës dhe arteve, për botimet cilësore, organizimin e veprimtarive kulturore – artistike, veçanërisht në promovimin e vlerave të këngës qytetare shkodrane”

Në nëntor 2012, Komuna e Gjakovës i akordon “Mirënjohje” për kontributin shumëvjeçar në përafrimin dhe thellimin e lidhjeve kulturore ndërmjet qytetit të Shkodrës dhe Gjakovës.  

Ai është autor i shumë veprave. Për disa vjet, ai ka dhënë mësim për gjuhë-letërsi.

Veprat e Autorit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • 1997 Në Shkodër të gjithë këndojnë..., i cili përmban histori të krijimit të këngëve shkodrane. Ky është libri i parë që lidhej me këngën shkodrane, si një nga shtyllat e traditës artistike të Shkodrës. Ribotimi i këtij libri u bë në vitin 2011 dhe 2018.
  • 2002, “Mirënjohje” që lidhet me figurat më të shquara të artit të kultivuar të Shkodrës e më gjerë, si aktorët, regjisorët, shkrimtarët, kompozitorët, këngëtarët, piktorët tanë të shquar, etj.
  • 2005,“Prenkë Jakova” trajton jo vetëm jetën e figurës madhore të muzikës shqiptare, që i dha emër të madh Shkodrës, veçanërisht me operën e parë shqiptare “Mrika”, përshkroi jetën e veprimtarinë muzikore të Prenkë Jakovës, por në këtë libër tregohet se si është zhvilluar muzika në Shkodër dhe që është edhe kjo një shtyllë e fuqishme e traditës artistike të qytetit tonë.
  • 2007, “Me Tano Banushin dhe humorin e tij”, ku shpaloset jeta dhe veprimtaria artistike - humoristike e kollosit të humorit shqiptar Tano Banushi, si dhe për shumë aktorë të njohur të humorit në Shkodër, që kanë rrezatuar vlera në të gjithë Shqipërinë.
  • 2011, libri me kujtime “Si e njoha Mirditën” ku paraqiten mbresat nga puna në Mirditë në fushën e arsimit në rininë e autorit, edhe si drejtor i parë i Gjimnazit të parë të Rrëshenit, në vitin 1960.
  • 2012, “Rrënjë dashurie” (Shkodranët për Kosovën) që lidhet me marrëdhëniet e ngushta midis Shkodrës dhe Kosovës, në histori, arsim, kulturë dhe arte dhe ndikimet e tyre të ndërsjella. Ky është libri i parë i këtij lloji, që shpreh ndjenjat e dashurisë midis këtyre trevave shqiptare, traditat e përbashkëta dhe kontributet reciproke ndaj njëri-tjetrit. Libri përmban kujtime, tradita veprimtari, portrete, mbresa, udhëtime turistike, reportazhe e ngjarje të përjetuara larg e afër Kosovës. Ky libër, në kuadrin e viti jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, i kushtohet shqiptarëve të Kosovës, të cilët, përveçse kanë dhënë shembuj të shkëlqyer të trimërisë, qëndresës e të unitetit, kanë bërë edhe edhe një jetë të pasur shpirtërore , duke ruajtur traditat, gjuhën, dinjitetin dhe duke mbajtur gjallë , si gjënë më të shenjtë, ndjenjat e çmuara kombëtare të atdhedashurisë.
  • 2015, "Përtej Mjegullës ka Dritë", Roman, pasqyron fatin e vështirë të njerëzve gjatë diktaturës si pasojë e ushtrimit mbi ato të Luftës famëkeqe të Klasave, rrugën e mundimeve të shumta të tyre, dhe ndikimin e egër në jetën shpirtërore të personazheve.
  • 2016, “Ne, Pedagogjikasit e ’56-ës”, kujtime, kushtuar maturantëve të vitit 1956 të Shkollës pedagogjike “Shejnaz Juka” të Shkodrës, të cilët, me guxim, heroizëm dhe vetëmohim, me një përkushtim për tu marrë shembull, punuan në zonat më të vështira të vendit dhe dhanë ndihmesën e tyre të vyer në arsimimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare.
  • 2017, “Muharrem Nurja, meteor i humorit shkodran”, monografi kushtuar Muharrem Nurja, që ka lëvruar gjininë e vështirë të humorit në interpretim, në krijimtarinë e pasur dhe cilësore të kësaj fushe, si dhe në drejtimin e grupeve të shumta artistike.
  • 2018, “Bejtet Shkodrane”, trajtohet një nga gjinitë më tërheqëse të krijimtarisë qytetare shkodrane në fushën e humorit, sic janë edhe bejtet. Në libër paraqiten disa nga bejtet shkodrane, rrethanat dhe mënyrat e krijimit të tyre, si edhe krijuesit e shumtë të kësaj krijimtarie.