Jani Ristani
Jani Ristani lindi në fshatin Lliar Zagori në Gjirokastër më 1913. Që në moshë të vogël shkoi në Stamboll në “Robert kolezh”, në shkollën tekniko-inxhinierike, ku u njoh me radiogalenen dhe fotoromantizmin. Merr mësimet e para nga mjeshtri turk i fotografisë Niko Huzuri dhe fillon një aktivitet të ethshëm në Turqi duke fiksuar me aparatin e tij Qemal Ataturkun apo Miss Turqinë në vitin 1933 botuar në gazetën “Xhumurjet“ me firmën Ristani.
Në 1935 kthehet në Tiranë dhe hap « Studio Ristani » të parën studio moderne veçanërisht me laboratorin ku ndjehej edhe si mbret. Si vlerësim vjen më 1939 Diploma e nderit e njëvleshme me atë të Marubit nga “Fiera de Levante“. Janë të njohura fotot e Ristanit të qendrës së Tiranës viti 1938, fotot nga jeta partizane; fotot gjatë luftës për çlirimin e Tiranës, fotot partizanësh që parakalojnë në Tiranë, foto peizazhi nga natyra e bukur shqiptare.
Në 1947 studio e tij shtetëzohet duke i dorëzuar shtetit një sasi prej dhjetëra mijëra negativesh. Vazhdon si nëpunës fotograf pranë Ministrisë së Ndërtimit derisa del në pension. Më pas punon shpesh part time edhe për rregullimet e fotove të portretit të Enver Hoxhës pa asnjë shpërblim. J. Ristani krijoi arshivën e ndërtimeve të infrastrukturës në Shqipëri.
Në qershor të vitit 1965 fiton tre çmime të para në festivalin ndërkombëtar të fotografisë në Berlin me foto nga ndërtimi hidrocentraleve etj. Që prej 1954 Jani zhvilloi në laboratorin e tij fotografinë me ngjyra duke qenë pionier i saj edhe në arenën evropiane dhe më pas 1957 filloi stampimin e fotografisë me ngjyra. Në vazhdën e Janit ishte edhe Vasil Ristani i cili punoi në Studion Ristani deri në 1947 kur u shtetëzua. Në këtë traditë emri Ristani vazhdon edhe sot me Petrit Ristanin me një studio modeste që ka hapur me forcat e tij.