Jump to content

Kështjella shqip e Kafkës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kështjella shqip e Kafkës
AutorVeli Karahoda
BotoiBuzuku
Faqe128
ISBNISBN 86-7785-002-3

Kështjella shqip e Kafkës është roman i shkruar nga Veli Karahoda.

"Romani fillon me Prologun ku fiksohet pozicioni jetësor i kryeprotagonistit Ardian Tuzi, i cili është një i burgosur politik, të cilin thënë me zhargonin e politikës së instrumentalizuar, mund ta quajmë si i burgosur i ndërgjegjes. Fjala është për një vetërrëfim të personazhit për peripecitë e të burgosurit, për tretmanin e tij special, për seancat e përpunimit shpirtëror etj. Pjesa tjetër e veprës është një monolog i një shkalle më të lartë ku personazhi transcendenton, ku shpërthimi i impulseve të ndërdijes është ajo që e mban gjallë rrëfimin, përkatësisht atë "historinë" e narratologjisë moderne. Të gjitha pjesët pasuese, pos Epilogut janë një formë e të rrëfyerit të një personaliteti të jetëruar mbi tentativën për të ikur nga kështjella. Këtu edhe është ai paradoksi që lind nga përkimi i dy titujve, i romanit të Karahodës dhe romanit Kështjella të Franz Kafkës. Derisa Kafka gjakon hyrjen në kështjellën e papushtueshme, Karahoda dëshmon se gjakimi jetësor i shqiptarit është ikja nga predestinacioni i kështjellës, i katakombit, birucës - burgut. Sanksionimi i ndërgjegjes dhe ikja nga sanskionimi i tillë përbën boshtin e rrëfimit romanësor (...)" (R. Musliu, Ezoteria e letrarizuar, 1992)

"Kështjella shqip e Kafkës është një roman që unifikon formën dhe përmbajtjen, domethënë një roman që teknikën e transpozicionit e shkrin me akseologjinë jetësore, relevancën e problemit shoqëror, statusin e temës dhe fakteve të tjera që i takojnë planit reprezentues (...) Është një rrëfim metaforiko-simbolik për realitetin fizik dhe për realitetin metafizik. Autori si rrallëkush di të ndërtojë një sistem rrëfimi, i cili mbështet një varg simbolesh e metaforash, të cilat materializojnë gjendje shpirtërore dhe situata metafizike. Të përshkruhet një përvojë jashtëshqisore nuk do të thotë vetëm emërtim i situatave, por edhe krijim i një konteksti kuptimor. Kemi këtu së pari situatat metafizike që shprehen me gjuhë adekuate si është problemi i vetmisë, problemi i dhembjes, problemi i ekzistencës dhe mosekzistencës, çështja e ekzistimit te rrafsheve të ndryshme dhe perspektiva të ndryshme kohore. (...) Rrëfimi romanësor i Karahodës përmban një arsenal të tërë imazhesh, figurash dhe mënyrash transpozicioni borgesian (ref. J.L. Borges). Madje ky shkrimtar ka treguar invencion të jashtëzakonshëm në përdorimin e erudicionit, i cili është i funksionalizuar dhe inkorporuar brenda perceptimit autorial. (...) Kështjella shqip e Kafkës është një rrëfim-sintezë që ndërtohet nga kompleksi ezoteriko-metafizik, historiko-artistik që në prozën tonë inauguron një procedim të ri” (R. Musliu, Ezoteria e letrarizuar).

Kritiku dhe studiuesi A. Konushevci shkruan për “Kështjellën...”: Romani ndërtohet në formë reminishencash, kujtimesh të hidhura, të cilat fitojnë përmasa të ndryshme filozofike mbi elementin e thelluar demonologjik, politik e filozofik, e që përshfaqen nëpërmjet krijimit të pasazheve, situatave dhe peizazheve me një simbolikë mjaft shprehëse... kemi të bëjmë me një prozë të përroit të ndërdijes, ku shtresa metaforike, simbolike dhe filozofike sajojnë jo vetëm sistemin shprehës, i cili fiton një njëjzim të fuqishëm, falë lidhjeve të ndryshme asociative, por edhe një atmosferë të tendosur, që e mban zgjuar interesin dhe vetëdijen e publikut lexues.