Kalaja e Nivicës
Rrënojat e kalasë së Nivicës ndodhen majë një shkëmbi të thepisur, rrethuar nga humnera, me thellësi 200-400 metra. Nga tre anë ka një mbrojtje natyrale, ndërsa vetëm nga Perëndimi është e mbrojtur nga një mur guri me llaç gëlqereje me gjerësi mbi një metër. Deri vonë është ruajtur një portë e brendshme me qemer, ndërtuar me gurë të latuar me gjatësi 0,5-1 metra, të nxjerra nga shkëmbinjtë e zonës. Në krahun lindor dallohet një udhë pothuajse shkallore që zbret në drejtim të lumit nëpërmjet një porte të çarë në shkëmb. Këto shkallare lidhin kalanë me lumin si dhe me dy mullinj që funksiononin nëpërmjet një vije uji që rridhte nga një e çarë në shkëmb. Me sa duket, ky ishte edhe shtegu i furnizimit të kalasë në raste rrethimesh.
Kalaja është ndërtuar mbi një shkëmb të pamundur t’i afrohesh, në një kryqëzim strategjik rrugësh. Këtu kalon rruga e Vermikut, ajo e Salarisë, e Kuçit dhe e Bënçës. Sipas francezit Pouqueville, këtu ka banuar fisi ilir i Amantëve, të cilët kanë qenë të parët që kanë ndërtuar kalanë në shek IV para Krishtit. Pas kësaj mendohet se Nivica është shndërruar në qendrën e dytë të banuar për fisin e Amantëve. Të dhënat arkeologjike tregojnë se qyteti arriti kulmin e lulëzimit në shekujt III-I para Krishtit, ndërsa kronistët osmanë të periudhës së luftërave shqiptaro-turke bëjnë fjalë për një qytet me 500-600 shtëpi. Kalaja u rindërtua në periudhën e sundimit bizantin me urdhër të perandorit Justinian, i cili i kushtoi një rëndësi të veçantë fortifikimeve ushtarake në Arbëri. Në periudhën e dyndjeve sllave dhe më pas gjatë pushtimit osman, kalaja e Nivicës ka qenë një teatër i rëndësishëm i luftimeve, duke qenë e zaptuar herë prej vendasve dhe herë prej të huajve.