Jump to content

Kaltrina Krasniqi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kaltrina Krasniqi (Prishtinë, 22 Nëntor, 1981) është regjisore nga Kosova. Filmi i saj i parë i metrazhit të gjatë Vera Andrron Detin pati premieren në edicionin e 78 të Festivalit të Venedikut dhe ndër shumë çmime u shpërblye si filmi më i mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Tokios dhe me çmimin Ingmar Bergman në Festivalin e Geteburgut.

Kaltrina Krasniqi është regjisore dhe specialiste e medias nga Prishtina që punon në film, televizionin dhe në fushën e arkivimit dixhital që nga viti 2000. Është anëtare themeluese e Kosovo Oral History Initiative, arkiv dixhital ku dokumentohen histori personale njerëzish nga shtigje të ndryshme jetësore dhe themeluese e Vera Films, kompani e prodhimit të filmave e fokusuar në mbështetjen e zërave autentik në kinematografi.

Ka diplomuar në regji filmi në Universitetin e Prishtinës në 2004 dhe në 2011 ka kryer magjistraturën në Kosovo Institute for Journalism and Communication. Në vitin 2015 vazhdoi rritjen profesionale në kuadër të Universitetit të Kalifornisë (UCLA) në Los Angeles, duke u përqëndruar në prodhimin e filmit.

Filmi i saj i parë i metrazhit të gjatë “Vera Andrron Detin’’ ka pasur premierën botërore në Festivalin e Venedikut (Venice Film Festival) në vitin 2021 dhe ndër shumë çmime ndërkombëtare u shpërblye me Grand Prix në Festivalin e Tokios (Tokyo International Film Festival 2021) dhe çmimin Ingmar Bergman në festivalin e Geteburgut (Gothenburg Film Festival 2022). Tani është në zhvillim të filmit të saj të dytë të metrazhit të gjatë ”Zbardhje”.