Jump to content

Fshati

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Katund)
Fshati

Fshati sipas fjalorit shpjegues të gjuhës së sotme shqipe, është një qendër e vogël (ose më e madhe) banimi, ku njerëzit merren kryesisht me bujqësi dhe me blegtori ose qendër e vogël ku banojnë përkohësisht grupe njerëzish që kryejnë një veprimtari të caktuar. Tërësia e banorëve të kësaj qëndre njihen si fshatarë.

Një fshat i largët në Benin

Fjala fshat përdoret si emërtim për bashkësitë lokale që ndodhen në periferi, apo më larg qendrës urbane të një qyteti. Në të kaluarën, me fillimin e komuniteteve të para njerëzore, ka filluar edhe krijimi i fshatrave të cilat në dallim nga format e tjera të vëndbanimeve, ishin më të zhvilluara në shumë drejtime, si ato të ndërtimit dhe të organizimit të jetës.

Me kalimin e kohës dhe me organizimin dhe futjen e jetës urbane në qendrat e fshatit janë krijuar qytetet. Në fakt, procesi i krijimit të qyteteve nga fshatrat është proces natyror dhe për këtë arsye edhe shpesh në literaturë nuk hasen data të themelimit të qyteteve, përpos atyre qyteteve që në një farë mënyre janë themeluar me një qëllim të caktuar.

Në ditët e sotme termi fshat përdoret për të emërtuar bashkësitë lokale, më të largëta nga qendra urbane e qytetit, njësi administrative tek të cilat bëjnë pjesë.