Jump to content

Kisha e Shna Prendes, Balldren

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kisha e Shna Prendes, zyrtarisht e njohur Shën Premtes është një kishë në Balldren, Lezhë, Shqipëri. U shpall monument kulture më 1984.

Kisha e Shën e Premtes ndodhet në fshatin Balldren, ndërtuar mbi kodrën shkëmbore të një vendbanimi mesjetar.

Ndërtimi i kishës tregon përkushtim dhe funksionin fetar të këtij komuniteti dhe më gjërë, në luginën e poshtme të lumit Drin, ajo i përket tipit romanik. Kisha pati një restaurim i cili mendohet që është i vitit 1462 sipas mbishkrimit të vendosur në anën e jashtme të apsidës ku shkruhet: “Në vitin e Zotit 1462 kujto o ZOT shërbëtorët e tu, Perlatët së bashku me të gjithë miqtë e tyre”.

Arkitektura e kishës së Shën e Premtes, e ndertuar mbi një kishë më të hershme, daton në shek. XIV-XV. Planimetria e saj është e thjeshtë, një nefëshe në formë drejtkëndore me aksin gjatësor të theksuar dhe e mbuluar me qemerë guri, prerja e të cilës është hark majë mprehtë. Me të njëjtin lloj harku janë edhe dyert e dritaret origjinale një pjesë e të cilave janë të murosura. Nga gërmimet e viteve 1985-1986, në pjesën jugore të kishës janë evidentuar mure dhe njëapsidë, vazhdim i ekzistueses, duke përcaktuar në këtë mënyrë se forma planimetrike origjinale ka qënë e përbërë në dy anijata dhe dy apsida.

Kisha ka brenda afresket që tregojnë Darkën e Fundit, prandaj ka marrë emrin Kisha e të Premtes së Shenjtë.

Kisha e vjetër i është dedikuar Shën Venerandës (144 P.K.) e cila në antikitet përkonte me Shën Premten. Historinë e Shën Premtes/Venerandës/Parashqevisë mund ta gjeni edhe nëpër librat dedikuar Shenjtorëve Katolikë. Për disa kohë, kjo kishë i është dedikuar edhe Shën Anna (Nëna e Virgjereshës Maria). Kjo dëshmon antikitetin e kësaj ndërtese.

Kisha ishte e ritit Benediktin, dhe vendimarrjen për to e kishte Papati i Romës.