Jump to content

Mezoliti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Koha e Mezolitit)

Midis moshës së gjuetarëve të drerëve dhe asaj bujqësore, midis paleolitit të epërm dhe neolitit, qëndron një periudhë tranzicioni. Ajo, në Evropë, përkon me fundin e akullnajës së Wurmit. Klima zbutet. Drerët emigrojnë drejt veriut, duke ia lënë vendin kaprojve dhe dhive të egra. Mezoliti shtrihet ne kohërisht nga mijëvjeçari i dhjetë gjer në të pestin në Mesopotami dhe Egjipt, në të katërtin në Evropën mesdhetare, dhe në të dytin në Evropën veriore.

Disa historianë ia atribuojnë Mezolitin artit shkëmbor në Levantin spanjoll, sepse stilizimi i tij paralajmëron simbolizmin dhe skematizmin e artit mezolitik, gërmadhërimet e të cilit janë të pasura me to, veçanërisht nga Afrika e Veriut gjer në Egjipt.

Në kundërshtim me piktorët e paleolitit të epërm që përpiqeshin të restauronin realitetin, artisti i mezolitit kërkon vizatimin linear, shkurtimin e formave, ritmin e lëvizjeve. Në qendër të interesit të tij nuk është më kafsha, por njeriu me siluetën e shtriqur, që vendoset në qendër të skenës. Gjithçka të duket sikur ka për objekt të mendimit vetveten dhe pozitën e tij në univers.

Njeriu i mezolitit jeton kryesisht me gjah: punonte brirë dhe kocka, armët e gjahut i kishte të shumta dhe të ndryshme. Priste stërrallin, me parapëlqim për modele shumë të vogla (mikrolitike). Gjuetari jetonte në fshatra dhe prapa tij vraponte qeni, që e kishte zbutur.