Jump to content

Kosova - ëndrra ime

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kosova - ëndrra ime (Komb-shteti i shqiptarëve, vepër e atdhetarëve të përkushtuar e vizionarë) me Autor Hulusi Hako. Faqet e librit 290. Tiranë, 2012.

Tashmë, në vitin e 100-të të krijimit të shtetit tonë të parë, shqiptarët lipeset të ndërgjegjësohen, se ka ardhur koha, kur ata të jenë me shumë se kurrë të bashkuar. Për këtë qëllim e për këtë ideal të shenjtë e të lartë, luftuan e u përpoqën, me të gjitha udhët e mjetet, rilindësit tanë zemërzjarrë, që nga epoka e lavdishme e Skënderbeut, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe rilindësit tanë tanë të shumtë. Për këtë detyrë madhore historike marshuan për në Vlorë, në atë fund-nëntori 1912, delegatët e popullit tonë, nga të gjitha trevat mbarëshqiptare, që nga Kosova, Shkupi, Mali i Zi e deri në Çamëri. Rreth plakut të urtë e të mençur Ismail Qemali, u mblodhën sa e sa trima e luftëtarë, të pushkës e të mendjes, ndër ta edhe Isë Boletini, Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri, Sali Gjukë Dukagjini e të tjerët. Ata e shpallën, para gjithë botës, Shqipërinë e Kombin tonë të lirë dhe të pavarur, pas pesëqindë vjet robërie, nën Perandorinë Osmane. Por, fatet e tij u nëpërkembën nga shtetet grabitqare europiane, të cilat iu turrën furishëm, me armë e diplomaci dhe trupin e shëndoshë ia ndanë, përdhunisht, në disa pjesë.

I tronditur shpirtërisht, para kësaj të vërtete historike, por mjaft të hidhur për gjendjen e Kombit tonë, por dhe me deshirën, mendimin dhe shpresën për një zgjidhje të shpejtë, autori prof.H.Hako, që në faqet e para të librit të tij shkruan: “Siç ka ndodhur edhe me krijimin e shtet-kombeve të tjerë, kudo në botë, ashtu po e sjell koha edhe për ne shqiptarët rrjedhën e gjërave, në atë pikë, që ta realizojmë këtë ligjësi dhe aspiratë“. Ky mendim është zbërthyer, me fakte e argumente të pakundërshtueshëm, në të gjithë kapitujt e këtij botimi me mjaft interes. Ata janë shumë domethënës, si: ”Bashkimi bën fuqinë’’,”Vëllazërimi, integrimi, bashkimi, ja ç’na duhet, sa dielli, uji dhe ajri”, “Institucionalizimi i çështjes sonë kombëtare, ja ç’kërkohet në mënyrë imperative”,”Fitorja e re juridike e Kosovës, sanksionim i të drejtës së shqiptarëve, hap vendimtar i zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan”, ”Çamëri, më takon dhe mua të jetoj e mendoj për ty”, “Mirë integrimi europian, po ai shqiptar?”, “Pse ky sindrom antishqiptarizmi në Masqedoni?” etj. Pra, autori përmendë dhe trajton me dashuri e atdhetarizëm disa “pika të nxehta” të çështjes kombëtare shqiptare. Veçse, ai nuk paraqitet vetëm në rolin e shikuesit të thjeshtë ose renditësit të fakteve e dukurive, por jepedhe mendime për zgjidhje të shpejta e afatgjata të çështjes shqiptare në Ballkan, që është pjesë përbërëse e atyre europiane e më gjerë.