Kryengritja e Himarës (1472)
Kryengritja e Himarës (1472) u zhvillua si pasojë e qëndresës së armatosur që turqit ndeshën gjatë regjistrimit të tokave të malsorëve shqiptarë. Në disa nga këto krahina, qëndresa mori përpjestime të mëdha. Njëra nga këto, ishte krahina e Himarës. Krahina e Himarës, në shekullin e XV përfshinte viset jug-perëndimore të Shqipërisë, krahinat e sotme të Himarës, Kurveleshit dhe Tepelenës, një zone prej afërsisht 50 fshatrash, në pjesën më të madhe fshatra malore. Pasi nuk mundën ta thyenin qëndresën e himarioteve, sundimtarët turq u munduan t'i nënshtronin ata me anën e bujarëve renegatë shqiptarë.
Një nga këta renegatë, Komjan Arianiti, ndodhej në oborrin e sulltanit dhe pretendonte të vendoste sundimin e vet në viset e dikurshme të Arianitëve, nën hijen e sulltanit. Sulltani e dërgoi këtë renegat në Himarë me titullin sanxhakbej të Vlorës, por himariotët nuk e pranuan dhe në fillim të vitit 1486, pasi e kapën të gjallë, e vranë dhe vijuar kështu kryengritjen e armatosur.[1]
Për të shtypur kryengritjen, sulltani në atë vit nisi për në Shqipëri ushtri të reja turke, nën komandën e dhëndrit të tij, Sinan Pashës, por ky nuk mundi ta shuante lëvizjen. Në vitin 1488 kryengritja u përhap edhe në Shqipërinë e Mesme. Këtë vit, në luftime me turqit, shqiptarët korrën disa fitore të rëndësishme dhe çliruan një pjesë të madhe të vendit.
Për t'i grumbulluar krahinat e çliruara në një principatë, kryengritësit shqiptare dërguan përsëri një delegacion në Itali për të thirrur Gjon Kastriotin e II. Për ardhjen e tij në Shqipëri, burimet historike këtë radhë nuk janë të sigurta. Kryengritja vazhdoi deri në vitin 1492. Gjatë këtyre viteve, kontrolli i turqve u kufizua vetëm rreth kështjellave ku ndodheshin garnizonet ushtarake.[1]
Në verën e vitit 1492, ushtritë turke të kryesuara nga vetë sulltan Bajaziti II, u nisën nga Sofja në drejtim të Shqipërisë dhe, duke kaluar përmes Manastirit dhe luginës se Shkumbinit, u vendosën në krahinën e Tepelenës, Gjirokastrës dhe Sarandës. Njëkohësisht flota turke arriti në brigjet e Himarës. Synimi i turqve ishte t'i merrnin Venedikut ishullin e Korfuzit dhe pastaj të zbarkonin përsëri në Itali, si në vitin 1480, në tokat e Mbretërisë së Napolit. Por Venediku dhe Napoli morën masa të shpejta dhe sulltan Bajaziti u detyrua të hiqte dorë nga synimet e tij dhe të përsëriste paqen e mëparëshme me ta.[1]
Me ardhjen e ushtrive turke, himariotët filluan sulmet kundër tyre, sidomos kundër karvaneve që furnizonin ushtrinë turke. Sulltan Bajaziti vendosi që para se të kthehej në Kostandinopojë, të nënshtronte me anën e një operacioni ushtarak popullsine e kësaj krahine, që vazhdonte të mos e përfillte autoritetin turk.
Sulmi i turqve filloi në korrikun e vitit 1492. Pasi shtinë në dorë kështjellat e Himarës dhe Sopotit, pashallarët e sulltanit kërkuan të hynin në viset e brëndëshme duke shfarosur himariotët. Por himariotët, sikurse vepronin gjithmonë në raste të tilla, i lanë vendet të pambrojtura dhe bashkë me pleqtë, gratë dhe fëmijët u grumbulluan në malet e Labërisë.[1]
Që nga lart, ata lëshonin shkëmbin e popla mali mbi ushtarët turq. Armët e tyre ishin shtizat në trajtën e gjuhës së gjarpërit, të cilat i hidhnin me dorë, dhe harqet të punuara në dru, me të cilat lëshonin shigjeta me majë të hekurta, të mprehta e të helmatisura.
Pas sulmesh të vazhdueshme, turqit i detyruan himariotët të përqëndroheshin në dy maja mali. Njëri grup me gjithë rezistencën heroike u shtërngua të dorëzohej. Turqit pranuan marrëveshjen për t'i lënë himariotët të lirë të iknin. Por marrëveshjen e shkelën dhe mbi himariotët e dorëzuar bënë kërdinë, burrave ua prenë këmbët e duart dhe pastaj i hodhen tatëpjetë malit. Gratë e fëmijtë që gjetën në atë mal, afro 8.000 vetë, i nisën si skllevër për në Vlorë.
Turqit u përpoqën të asgjësonin edhe rezistencën që vazhdoi në malin tjetër. Luftimet vazhduan deri në fund të gushtit, pa asnjë rezultat për turqit. Afrimi i vjeshtës dhe shpenzimet e mëdha që kryente perandoria për të mbajtur një ushtri të madhe në këmbë kundër një pakice shqiptarësh e shtërnguan Sulltan Bajazitin e II, të kërkonte një marrëveshje me himariotët.
Në fillim himariotët pranuan si pasojë e premtimit të një sërë privilegjesh të njohura nga tradita me emrin "venome". Në bazë të kësaj marrëveshjeje, sulltani do ta linte këtë krahinë autonome dhe nuk do të dërgonte qeveritarë turq, himariotët fitonin të drejtën të qeverisnin vendin e tyre, si edhe më parë, në bazë të kanuneve tradicionale, të krijonin gjyqet e tyre dhe të mbanin lirisht armët. Si shpërblim himariotët zotoheshin të mos ngrinin krye dhe ta paguanin haraçin vetëm si shënjë bindjeje.
Marrëveshja e lidhur me sulltanin ishte në favor të himariotëve. Me venomet që morën, ata larguan rrezikun e vendosjes së qeveritarëve turq dhe të sistemit të timareve e zameteve në krahinën e tyre.
Venomet që u njohu himariotëve, sulltani nuk i respektoi gjithnjë. Por sa herë që turqit i cënonin ato, himariotët rrëmbenin armët dhe hidheshin në kryengritje, turqit detyroheshin përsëri t'u akordonin privilegje të cilat kishin gjithnjë si bazë kushtet e caktuara në marrëveshjen e vitit 1492. Nga ana e tyre edhe himariotët, pagesën e haraçit, megjithëse e premtuan shpesh herë nuk e paguan ose kur e paguan ua dhanë turqve në sheshin e jataganit, që do të thoshte se ata nuk ishin raja por të nënshtruar duke ruajtur të drejtën t'i mbanin armët në krahë. Këto venome himariotët i ruajtën për shekuj me radhë.
Pas marrëveshjes me himariotët, sulltani me një pjesë të ushtrisë së tij u largua nga Shqipëria, pjesa tjetër zhvilloi luftime në krahinat e ndryshme të vendit dhe arriti më në fund të rivendoste sundimin turk. Por rivendosja e këtij sundimi qe përsëri e përkohëshme.
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Shqipëria Osmane
- Sanxhaku i Arbërit
- Kryengritja Arbërore (1432-1436)
- Arbëria Venedikase
- Kryengritjet shqiptare të shekullit të XVI
- Kryengritjet shqiptare të shekujve të XVII-XVIII
- Kryengritjet shqiptare në vitet 1680
- Kuvendi i Matit
- Kuvendi i Dukagjinit
- Kuvendet ballkanike
- Kuvendi Kishtar i Arbërit
- Kuvendi i Kuçit
- Kryengritja e Bogdanit
- Luftërat osmane në Evropë
- Luftërat turko-veneciane
- Lufta Osmano-Venedikase (1570-1573)
- Frankokracia
- Shteti i Detit
- Lufta e Madhe Turke
- Perandoria Osmane në shek. XVII-XVIII
- Kryengritja antiosmane e vitit 1689 në vilajetin e Rumelisë
- Perandoria Osmane në gjysmën e parë shek. XVIII-XIX
- Perandoria Osmane në gjysmën e dytë të shekullit XVIII-XIX
- Historia e luftërave Ruso-Turke
- Armada Spanjolle
- Lufta Tetëdhjetë Vjeçare
- Lufta Tridhjetëvjeçare
- Lufta e Madhe Veriore
- Shpërbërja e Perandorisë Osmane
- Kuçi (Mali i Zi)
- Piperët
- Sanxhakbeu
- Xhizja
- Timari
- Timarliu
- Raja
- Pashallëqet shqiptare
- Rilindja Kombëtare Shqiptare
- Kriza Lindore dhe Shqipëria
- Kriza lindore dhe lëvizja shqiptare
- Shqipëria në fillim të Krizës Lindore (1875-1876)
- Kriza Lindore
- Shkaqet për shpërthimin e Krizës Lindore
- Perandoria Osmane në shek. XIX-XX
- Lidhja e Prizrenit
- Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë
- Konferenca e Londrës (1912–1913)
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- 1 2 3 4 Injac Zamputi (2002). "Kreu VII/2 – Kryengritja e vitit 1492 në Shqipërinë e Poshtme". Historia e Popullit Shqiptar. Vëll. Pjesa e Dytë: Mesjeta. Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Instituti i Historisë - Tiranë. fq. 475–476. ISBN 978-99927-1-622-9.[lidhje e vdekur]
- Vetitë CS1: Vlerë e madhe vëllimi
- Pages using div col with small parameter
- Historia e Perandorisë Osmane
- Historia e Shqipërisë
- Rebelime shqiptare
- Shqipëria nën Perandorinë Osmane
- Shekulli XV në Shqipëri
- Shekulli XV në Perandorinë Osmane
- Shekulli XV në Ballkan
- Shekulli XV në Evropë
- Kryengritës shqiptarë të Perandorisë Osmane
- Çështja shqiptare
- Himarë
- Periudha e hershme moderne