Jump to content

Kryengritja e Arbërit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kryengritja e Arbërit gjatë viteve 1257-1258 ishte një kryengritje në principatën e Arbrit kundër Perandorisë së Nikesë dhe në mbështetje të Despotatit të Epirit. Kjo kryengritje shqiptare përmendet nga historiani bizantin Gjergj Akropoliti.[1]

Vendosja e pushtetit të Nikesë në viset shqiptare u shoqërua me vendosjen e një administrate të rreptë ushtarake e civile në krye të së cilës u vu qeveritari bizantin, Konstandin Habaroni. Menjëherë u shfaq një pakënaqësi e thellë, sidomos në trevat e Principatës së Arbrit e cila u privua nga çfarëdolloj autonomie.[2]

Në dimrin e vitit 1257-1258 në Shqipëri populli u çua në kryengritje kundër administratës nikease. Gjergj Akropoliti drejtoi një fushatë ushtarake për ta shtypur atë, por për shkak të rezistencës së fuqishme të shqiptarëve u kthye mbrapsht në Ohër. Më pas provoi të hynte në Shqipëri nga ana e Dibrës por edhe këtu ushtria nikease u rrezikua të asgjësohej nga kryengritësit shqiptarë dhe u kthye në Përlep. Despoti i Epirit i inkurajuar nga kryengritja shqiptare filloi veprimet luftarake në Maqedoni dhe me përkrahjen e popullsisë dhe dezertorëve nikeas pushtoi një varg kështjellash në Maqedoni.[3]

Kryengritja u shtyp pas dërgimit të trupave nga Azia e vogël në pranverën e vitit 1259, të drejtuara nga Gjon Komneni. Beteja vendimtare u zhvillua në Devoll, ku nikeasit pësuan humbje të mëdha por arritën më në fund ta futnin situatën nën kontroll. Megjithatë në vitet 1260–1270 shqiptarët ngritën krye prapë në rajonin e Durrësit.[4][5]

  1. ^ Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht) (bot. 2). Britani: Scarecrow Press. fq. 28. ISBN 9780810873803.
  2. ^ Xhufi 2002, p. 236
  3. ^ Xhufi 2002, p. 236
  4. ^ Setton, Kenneth Meyer: The Papacy and the Levant, 1204–1571: The Thirteenth and fourteenth centuries, Volume 1. American Philosophical Society, 1976. page 74.
  5. ^ George Akropolites: the history. Oxford University Press, 2007. Page 324.
  • Xhufi, Pëllumb (2002). Historia e popullit shqiptar: vëllimi i parë. Tiranë: Akademia e Shkencave të Shqipërisë. ISBN 9992716223.

1257-Gjergj Akropoliti: Kryengritja shqiptare