Jump to content

Ku je?

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ku je? është një roman i autores Flutura Açka nga shtëpia botuese "Toena", botim i vitit 2009 me 414 faqe. ISBN 978-99943-1-546-8

Janë vitet '80-të të shekullit XX në Skampis, një qytet shqiptar i kohës së diktaturës. Ira Gjoni, një vajzë shumë e re, jeton në Qytezë, një lokalitet pranë Skampisit, e detyruar nga një "liri" e çuditshme që ia jep një sëmundje e rëndë, të lëvizë nëpër Shqipëri në kërkim të shërimit dhe të zbulimit të pikëpyetjeve të familjes së saj të shkokluar nga fati.

Ajo është e bija e një ish – pushtetareje të lartë, e rrëzuar për shkak të një gabimi "politik". Një tjetër vajzë, Klara Daiu, një aktore e talentuar dhe e suksesshme, është e detyruar të ndjekë të njëjtin rrugëtim, për arsye të përafërta. Ajo është bartëse e një dashurie të pamundur që bëhet thelbi i jetës së saj.

Një skulptor me ide të çuditshme vegjeton në qytet në kërkim të identitetit të tij krijues. Ai është ithtar i Anarkisë dhe i grishjes substanciale të lirisë dhe petku i artistit të parealizuar dhe të diktuar do ta shqetësojë shpesh. Karakteret e këtij romani takohen mes tyre dhe nëpër rastësi ngrejnë jetën njerëzore me një të përditshme të gjallë mes absurdit dhe tragjedisë.

"Ku je?" është një sagë e diktaturës që përfshin gati një qytet të tërë, e rrëfyer nga një prej dëshmitareve të asaj kohe. Nga dritaret e fëmijërisë së dikurshme, që përtej kureshtjes e ndihmuan të skanonte kohën në të cilën rritej, autorja sjell një fiksim plot ngjarje, jetë, dramë, komedi, dhimbje, dhunë, dashuri dhe ethe padurimi, nëpër spirale rrënqethëse mes jetës dhe vdekjes. Ky roman është një klithmë e fuqishme për lirinë dhe dashurinë.