Lajthia

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Lajthia
Lajthia
-
Seleksionimi shkencor
Lloji: Bimë
Dega: Magnoliophyta
Klasa: Magnoliopsida
Fisi: Fagales
Familja: Corylaceae
Grupi: Corylus
Corylus aveliana

Lajthia (lat. Corylus avellana L.), e njohur edhe si : lethi ose lajthiza është një bimë që bën pjesë në famijen Corylaceae.

-- Përshkrimi—Lajthia e zakonshme është zakonisht një shkurre gjetherënëse që arrin 3-8 m lartësi, por mund të arrijë edhe 15 m. Rritet veçmas ose e përzierë me shkurre si shkoza, mëlleza, molla e egër (dyvjaka), thana etj. Bima parapëlqen shpatet e drejtuara nga veriu ose verilindja që nuk rrihen nga dielli.

Gjethja e lajthisë është e rrumbullaktë, 6–12 cm e gjatë dhe e gjerë, me push në të dy sipërfaqet dhe e dhëmbëzuar. Lulet çelin shumë herët në pranverë, para gjetheve, dhe janë të ndara në lule femërore dhe në lule mashkullore. Lulet mashkullore janë në ngjyrë të verdhë të zbehtë dhe janë 5–12 cm të gjata dhe quhen krënde, ndërsa lulet femërore janë shumë të vogla që dallohen nga sythet e tjera të bimës nga fijet e holla të trëndafilta në majë të tyre dhe qëndrojnë vetëm ose në grupe pranë atyre mashkullore. Frutat prodhohen në grupe prej një deri pesë së bashku. Secili frut mbahet brenda një lëvoreje të fortë. Fruti është afërsisht sferik në oval, 15–20 mm i gjatë dhe 12–20 mm i gjerë, kafe në të verdhë me një mbresë të zbehtë në bazën. Kokrra bie jashtë membranës kur piqet, rreth 7-8 muaj pas pllenimit.

Shufrat e gjata e të drejta përdoren për thurje gardhesh. Në dimër krëndi është ushqim i pëlqyer i bagëtisë, sidomos i dhisë. Edhe gjethet janë të ushqyeshme. Me drurin e trashë dhe me rrënjët e plota janë bërë orendi si bishta veglash, llulla (çibukë) etj. Frutat e lajthisë, që piqen nga fundi i gushtit ose gjatë vjeshtës, janë të shijshme, ndaj ruhen.

Lajthitë kanë disa vlera :

Gjethet e thara në hije, pasi zihen, kullohet të bëhen banja të lëkurës së sëmurë. Në sasi të vogla ëmbëlsohet dhe përdoren si çaj. Ato përmbajnë Vitaminë C, që ndihmon në punën e muskujve të lëmuar të trupit, rregullon veprimet ritmike të zorrëve, nxit urinimin, ngushton enët e gjakut. Ndihmon edhe ata që vuajnë nga variçet (që varen), hemorroidet (majasëlli), ndërpret heqjen e barkut si dhe hemoragji nga hundët.

Lëvorja e rrënjës grumbullohet në vjeshtë. Pasi lahet me kujdes nga mbeturinat, thahet në diell dhe ruhet. Lëngu i përftuar prej saj ulë temperaturat e larta të trupit, duke zëvendësuar aspirinën, që është kimikat nganjëherë i dëmshëm. Pjalmi grumbullohet në kohën e lulëzimit, kur është pjekur mirë dhe ruhet ne qese letra. Përdoret kundër epilepsisë (sëmundjes së tokës).

Nga druri nxirret vaji, që i ngjet atij të ullirit dhe përdoret kundër dhimbjeve të dhëmbëve, krimbave të zorrëve (askarideve) dhe pickimit të insekteve.

Fryti është pjesa më e dobishme. Thelbi ka vlera të mëdha; në përbërje të tij ka 60 % yndyrë, 20 % proteina, 16 % albumina, pak sheqer etj. Fryti i lajthisë këshillohet për njerëzit anemikë (dobësi e përgjithshme e organizmit) si dhe për gratë shtatzëna. Kura përgatitet duke përzier një kg lajthi me një kg mjaltë. Përdoren 3-4 lugë gjelle në ditë. Thelpinjtë e lajthisë bluhen dhe përzihen me miell për të bërë bukë speciale, biskota, çokollata etj.

Lajthia e egër e vendin tonë Corylus colurna L, është lloj shumë i rrallë. Prandaj, duhet t’i ruajmë dhe t’i shtojmë këto dhurata të çmuara të natyrës, që janë kaq bujare.

Shiko dhe këtë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lajthia në projektin Commons të Wikipedias


Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

 Commons: Betulaceae – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale