Leka Ndoja
Leka Ndoja (lindur në Tiranë, 1962) është studiues i letërsisë dhe historisë dhe përkthyes shqiptar.
Ka kryer studimet e larta në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi në fillim të viteve 90. Ka punuar si gazetar dhe skenarist në TVSH në vitet 1993-2002. Nga viti 2004 drejton "Qendrën e Studimeve Ndërshqiptare". Ka botuar rreth 50 ese kulturologjike dhe "Traktatin e artit inteligjent". Ka botuar tre vëllime me poezi; "Rrezja e territ" 1993, "Zaret u hodhën" 1996, "Këngët barbare" 1999, romanin "Motel El Salvador" 2002.
Ka përgatitur librin "Vox populi" të Zef Malës 2002. Nga përkthimet, ka sjellë së pari vëllimin antologjik "Pambarimi" të G. Ungarettit, (Çabej 1997), si dhe ka botuar në revistat letrare cikle poetikë nga Xhon Kits, Karduçi, Montale, Quasimodo, Marinetti, Papini, Ted Hjuz, Masters, Hini etj.
Ka përkthyer nga anglishtja dhe ka botuar librat albanologjikë "Shqipëria, çelësi kryesor i Lindjes së Afërme' të Kristo Dakos 2003, "Epiri" N.G.L. Hammond QSN 2004, "Kanuni shqiptar" Margaret Hasluck 2005. Ka përgatitur dhe komentarin e Komedisë Hyjnore të Dante Alighierit nga Xhovani Andrea Skartacini, të përkthyer nga i ati Mark Ndoja.